SHBA, Dempsey: Shqipëria, aleate e denjë

Feb 27, 2012 | 21:28

TIRANË- Kryetari i Shefave të Shtabeve të SHBA, Gjeneral Martin Dempsey, duke e konsideruar Shqipërinë aleate të denjë dhe të sigurt ka garantuar mbështetjen e plotë të SHBA-së ndaj vendin tonë.

Deklaratat janë bërë gjatë  një bisede telefonike që ai zhvilloi me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, Gjeneral Dempsey shprehu ngushëllimet më të thella për humbjen e kapiten Feti Vogli,në adresë të familjes Vogli dhe të FA shqiptare. “Ne jemi bashkë dhe ju do të keni mbështetjen tonë të plotë”,- ka theksuar Gjeneral Dempsey. Duke vlerësuar veprën e kapiten Feti Voglit, ai shprehu mbështetjen e fuqishme që SHBA garantojnë për Shqipërinë, si një aleate e denjë dhe e sigurt në misionet e NATO dhe në luftën kundër terrorizmit.

Gjunkshi e informoi Gjeneral Dempsey për kontaktet që ai ka pasur këto ditë me autoritetet ushtarake më të larta të NATO, por edhe me Gjeneral Allen, komandantin e ISAF dhe për vlerësimet e tyre. Gjeneralmajor Gjunkshi e siguroi Gjeneral Dempsey se rënia heroike e kapiten Voglit nuk e ka lëkundur aspak vendosmërinë e vendit tonë dhe të Forcave të Armatosura shqiptare në pjesëmarrjen në misionet paqeruajtëse për aq kohë sa edhe aleatët amerikanë.

Në të njëjtën kohë të dy shefat e shtabeve gjetën rastin të shprehin edhe një herë kënaqësinë për takimin që pritet të zhvillohet së afërmi nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, në SHBA.

“Biseda me Kryetarin e Shefave të Shtabeve të SHBA ishte në serinë e kontakteve, letërkëmbimeve dhe bisedave që shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Gjunkshi ka pasur me homologët e vendeve të NATO dhe me një numër të konsiderueshëm autoritetesh politike, diplomatike dhe ushtarake”- thuhet në njoftimin e MM.

© Panorama.al

Te lidhura