Shantazhohen VIP-at, u thyhen profilet dhe kërcënohen me publikimin e bisedave intime

Jul 15, 2012 | 13:04

Gjatë javës që kaloi, shumë personazhe të njohura kanë qenë në siklet për shkak të shantazheve, të cilat u janë bërë nga haker të ndryshëm, që me metoda shumë të sofistikuara u kanë vjedhur profilet, si dhe faqet e fansave, duke i lënë personazhet e ekranit shqiptar me duar bosh, pasi përmes këtyre profileve ata kanë reklamuar gjithë punën e tyre, e veçanërisht tani që është verë dhe sezoni i koncerteve ka filluar. Vesa Luma, edhe pse nuk ka pasur profil në emrin e saj, pasi në Facebook ka përdorur një profil me emrin ”Sandra Keys”, ka disponuar një faqe të fansave me mbi 40 mijë ndjekës, në të cilën ka prezentuar të gjithë aktivitetin e saj artistik, por tashmë ajo faqe nuk ekziston, pasi është fshirë dhe Vesa ka ngelur shumë e dëshpëruar. Po ashtu ka ndodhur edhe me këngëtaren dhe modelen Afërdita Dreshaj, e cila ndryshe nga Vesa, ka pasur një faqe me mbi 220 mijë fansa, e cila tashmë nuk është në duar të bukuroshes Dreshaj. Të njëjtën gjë e ka përjetuar edhe këngëtari Mentor Haziri, të cilit gjithashtu i është vjedhur faqja e fansave në të cilën ka prezantuar punën e tij si këngëtar. Për momentin kemi mësuar vetëm për këto personazhe, por mund të ndodhë që ditëve në vijim, faqet t’u vidhen edhe personazheve të tjera. Frikë dhe makth i madh i ka kapluar shumë personazhe, të cilët janë vënë në siklet, pasi nga hakerët janë kërcënuar se do ua publikojnë të gjitha bisedat private, të cilat i kanë realizuar në Facebook. Kërcënime të ngjashme personazhet e njohur kanë pasur edhe para dy viteve, kur një haker nga Shkupi, duke i gënjyer dhe duke u shfaqur si personazh i njohur, kishte arritur të realizojë disa video intime përmes internetit, ndërsa më pas kishte kërkuar shuma të majme për mospublikimin e videove. Pre e këtij rasti kishin rënë disa aktorë dhe këngëtarë të njohur nga Kosova.

© Panorama.al

Te lidhura