Zgjedhjet maqedonase kanë sjellë një lajm të mirë dhe një lajm të keq për pjesën më të madhe të shqiptarëve. Lajmi i keq është që në zgjedhje fitoi përsëri partia në fuqi e kryeministrit Nikolla Gruevski, i cili i ka nervozuar kohët e fundit shqiptarët me politikat e tij të deshqiptarizimit historik të Shkupit. Lajmi i mirë është se VMRO-DPMNE ka marrë më pak se gjysmat e vendeve në Parlament dhe do të ketë nevojën e një partie shqiptare për të qeverisur. Shqiptarët kanë, pra, mundësinë që ta detyrojnë me fuqinë e numrit të votave Gruevskin që të respektojë kërkesat dhe nevojat e tyre të ndershme për të ndarë jo vetëm hapësirën ku jetojnë dhe ajrin që thithin në Maqedoni, por edhe pushtetin, identitetin e shtetit dhe historinë e shkruar dhe të mbrojtur në monumente kulture.
Problemi është se edhe lajmi i mirë vjen me një “bisht” nga mbrapa. Vërtet që Gruevski nuk qeveris dot pa votat e shqiptarëve, mirëpo ai duket se ka marrë mjaftueshëm vota që të qeverisë me cilëndo nga dy partitë kryesore shqiptare. Dhe, duke qenë se të dyja këto parti duket se e urrejnë njëra-tjetrën shumë më tepër sesa duan interesat shqiptare, nuk është çudi që të jenë gati të heqin dorë nga kërkesat kombëtare e komunitare për të mos dëmtuar shanset e tyre për pushtet.
Lufta politike mes tyre është e rëndësishme. Në demokraci, shqiptarët e Maqedonisë meritojnë që të kenë më shumë se një zë në politikë. Asnjë parti nuk duhet të ketë monopolin politik. Pra, konkurrimi politik është pozitiv. Ajo që nuk nevojitet dhe që është e dëmshme është vënia e pushtetit përpara parimeve morale dhe interesave të qytetarëve që përfaqësojnë.
Rezultatet e dy partive kryesore shqiptare të vendit, BDI-së dhe PDSH-së, dëshmojnë se tashmë këto dy parti kanë elektoratet e tyre besnike që u sigurojnë një lloj “dyshemeje” numerike. Kjo bazë politike duket e painteresuar që t’i ndëshkojë ato për mungesën e bashkëpunimit ndërshqiptar dhe i sheh si e vetmja alternativë e mirë e interesave shqiptare në pushtet. Kështu që shanset janë që si BDI, ashtu edhe PDSH, do të vazhdojnë të kujdesen vetëm për bazat e tyre respektive, duke i shpërblyer me mundësi pune e biznesi, qoftë edhe duke injoruar pjesën tjetër të komunitetit shqiptar në Maqedoni apo mbarëvajtjen e vetë shtetit.
Sa për interesat e shqiptarëve në mbarë Ballkanin, nuk është çudi që ato të kenë rënë në vend të tretë apo të katërt. Kjo nuk është shumë e habitshme. Kosova ka fituar pavarësinë, ndërsa Shqipëria ka hyrë në NATO. Shumë shqiptarë të Maqedonisë tani presin që këto shtete të bëjnë më shumë për shqiptarët e tjerë jashtë kufijve, sesa e anasjella. Kjo situatë vë pak peshë përgjegjësie mbi udhëheqësit politikë shqiptarë në Maqedoni.
Besohet se Gruevski do të bëjë përsëri koalicion me Bashkimin Demokratik për Integrim të Ali Ahmetit, që ka mbetur si partia më e fuqishme shqiptare. Dy janë arsyet që Gruevski do të zgjedhë të këtë parti. Së pari, e njohin mirë njëra-tjetrën, sepse të dyja partitë, për katër vjet me radhë, kanë bashkëqeverisur vendin. Me gjithë tensionet brendaqeveritare, ato u kanë mbijetuar përplasjeve për Enciklopedinë e vendit, për moszgjidhjen e konfliktit të emrit me Greqinë, për moshyrjen në NATO, për nivelet dhe ritmet e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, për përdorimin e gjuhës shqipe, për ndërtimin e kishës/monument në Shkup etj. Nëse “martesa” politike u ka mbijetuar të gjitha këtyre “sherreve”, ajo duket e fortë për të vazhduar edhe katër vjet të tjera.
Arsyeja tjetër e fortë është se BDI-ja ka 15 deputetë, ndërsa PDSH-ja vetëm 8. Një koalicion me këtë të fundit, që udhëhiqet nga Menduh Thaçi, mbase do të ishte e realizueshme numerikisht (me ndihmën e ndonjë pale të tretë), mirëpo do të ishte shumë i brishtë. Një apo dy deputetë të pakënaqur do të mjaftonin për t’i shkaktuar djersë qeverisësit.
Në këto kushte, BDI-ja duhet ta kuptojë se, ndonëse Gruevski ka edhe një alternativë tjetër, ai do të bëjë çmos për të mbajtur në qeveri partinë e Ali Ahmetit. Kjo duhet ta trimërojë këtë të fundit që të bëjë presion për më shumë lëshime ndaj shqiptarëve, më shumë respektim të ndjenjave të tyre kombëtare, historike e fetare.
Ahmeti duhet të kuptojë vetë dhe të ndihmojë Gruevskin të kuptojë se ai nuk po shfrytëzon situatën për të fuqizuar shqiptarët në kurriz të maqedonasve, por për të mirën e maqedonasve. Shqiptarët janë tepër të shumtë në numër dhe Maqedonia nuk mund të njohë begati dhe të ardhme të sigurt, nëse ata nuk e shohin veten si pjesë e kësaj të ardhmeje.
Nga ana tjetër, Menduh Thaçi, sigurisht që do të jetë i gatshëm që të formojë qeveri me Gruevskin nëse ky nuk pranon kërkesat e Ahmetit. Mirëpo, nëse koalicioni prishet për shkak të kërkesave që kanë të bëjnë me statusin e shqiptarëve, atëherë Thaçi duhet të refuzojë që të shërbejë si pjesë këmbimi për makinën nacionaliste maqedonase. Çdo parti synon dhe jeton që të qeverisë, mirëpo gjithnjë ka një kufi moral që nuk duhet kaluar. Në rastin e partive njëkombëshe, si ato të shqiptarëve në Maqedoni, kufiri moral është tek interesat e shqiptarëve.
Natyrisht, jo vetëm shqiptarët kanë qenë të shqetësuar kohët e fundit nga qeverisja e Gruevskit. Maqedonia ka të drejtë kur ankohet se Greqia i ka mbyllur derën e anëtarësimit në BE dhe NATO, mirëpo e vërteta është se Gruevski po fshihet mbrapa konfliktit me Greqinë për të mbuluar rënien ekonomike të vendit, problemet me demokracinë, me rehatimin e pakicave, me dukurinë e rritjes së ekstremizmit fetar etj. Kur erdhi Gruevski në pushtet, ai ishte kryeministri më i ri i Europës dhe e ardhmja e Maqedonisë ishte shpresëdhënëse. Sot, dyshimi dhe depresioni janë tiparet mbizotëruese.
Epërsia numerike u jep, pra, shqiptarëve mundësi që jo vetëm të forcojnë zërin për kërkesat e tyre, por që ta bëjnë Maqedoninë një shtet më të mirë për të gjithë dhe, si rrjedhim, më të mirë për Ballkanin. Qytetarët sllavë të Maqedonisë duhet të gëzohen që partia kryesore nuk do të ketë më një dorë absolute mbi pushtetin dhe duhet ta shohin komponentin shqiptar në qeveri si një garanci të lirisë dhe ndershmërisë për të gjithë qytetarët, pa dallim etnie, si dhe për demokracinë e vendit.
BDI, me miratimin bujar të PDSH-së, mund të ketë për herë të parë shansin në Maqedoni që të punojë njëkohësisht për interesat e të gjithë shqiptarëve, si dhe të gjithë qytetarëve të Maqedonisë. Ky shans vjen me përgjegjësi të madhe dhe le të shpresojmë se nuk do të na zhgënjejë.
© Panorama.al












