Shanset e humbura në rrugën drejt Europës

Feb 19, 2012 | 8:38

NAIM MANDRI

Ndërsa këtë vit festohet 100-vjetori i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, në qershor 2014 do të mbushet plot një shekull nga fillimi i Luftës së Parë Botërore, të konfliktit më të përgjakshëm deri  në atë periudhë që do të pasonte kaos dhe kriza politike të vazhdueshme jo vetëm në Ballkan, por në pjesën më të madhe të globit, do të përmbyste perandori dhe do të shkaktonte 16 milionë të vdekur. Si pretekst do të shërbente pikërisht vrasja e Franc Ferdinandit më 28 qershor 1914 në Sarajevë, princi trashëgimtar i fronit austriak. Në fundshekullin e kaluar, konfliktet ballkanike do të përsëriteshin në formën më të ashpër, duke arritur kulmin në verën e nxehtë të 1995-s, përsëri në Bosnjë-Hercegovinë, dhe më 1999-n në Kosovë, duke shkaktuar mbi 100 000 viktima dhe rreth 2 milionë të shpërngulur; një masakër e turpshme në kohë moderne, që nuk u parandalua dot nga forcat e OKB-së, që në këtë rast demonstruan ineficiencën më të padiskutueshme, por pas hezitimesh dhe lëvizjesh diplomatike boshe u desh më në fund ndërhyrja e Aleancës më të suksesshme ushtarake të Atlantikut Verior që t’ju jepte fund luftërave.
Simbolikisht, pas një shekulli, viti 2014 do të mund të konsiderohej si riintegrimi ballkanik në familjen e vjetër europiane, si fundi permanent i vatrave të konflikteve absurde ndëretnike jo vetëm ballkanike, ashtu siç ndodhi në Europën e pas Luftës së Dytë Botërore. Një shekull do të mjaftonte për të mbyllur dhe shuar njëherë e përgjithmonë konfliktet dhe ristrukturuar urat e bashkëpunimit paqësor, duke integruar edhe “ishullin” e vogël të Ballkanit Perëndimor pas zgjerimit të hartës së BE-së me Big Bang-un e 2004-s. Por, ngjarjet nuk rrodhën paqësisht. Në mënyrë paradoksale, ndërsa në ish-Jugosllavi do të shpërthenin luftërat në mesin e vitit 1991, shtetet anëtare të Komunitetit Europian do të merreshin me Traktatin e Mastrihtit (që do të hynte në fuqi dy vjet më vonë) dhe politikat e sigurisë, duke mbetur të spostuar dhe larg një strategjie reale parandaluese të përshkallëzimit të konflikteve ballkanike, me gjithë përpjekjet e Trojkës së atëhershme dhe Lordit Carrington si përfaqësues i posaçëm. Komuniteti Europian, organizata më e suksesshme e bashkëpunimit ekonomik dhe politik të pas Luftës së Dytë Botërore, promotori i paqes dhe prosperitetit, për herë të parë konstatoi se nuk mjaftonte ombrella e NATO-s për të shuar konfliktet në pragun e saj; (Franca dhe Britania e kishin provuar tashmë që më 1956-n, në krizën e Kanalit të Suezit, domethënien e të vepruarit pa mandatin e SHBA-ve dhe NATO-s). Ndërsa Britania e Madhe kundërshtonte përpjekjet për një ndërhyrje ushtarake europiane duke mbështetur vetëm NATO-n si alternativë, Uashingtoni e trajtonte konfliktin ballkanik si çështje europiane, duke mos mbështetur krijimin e një force ushtarake europiane (që do të iniciohej në Traktatin e Mastrihtit). Në Shqipëri, në vend të konflikteve ndëretnike do të shërbenin trazirat e vitit 1997 si shkak për të destabilizuar vendin dhe për ta spostuar atë në kohë larg strukturave integruese të BE-së. Për pasojë, ndryshe nga pjesa e integruar tashmë e Europës Lindore, Ballkani  Perëndimor mbetet ende jashtë familjes europiane.
Veç problemeve të brendshme, ajo që të bën përshtypje është fakti që vendet baltike dhe vendet që ndajnë BE-në nga pjesa tjetër e Europës, u integruan me shpejtësi, sikur u bë për të garantuar “kufijtë” e ardhshëm të BE-së, për ta konsideruar “ishullin” e Ballkanit Perëndimor si terrenin ku BE-ja të mund të eksportojë vlerat e saj, të udhëheqë procesin transformues dhe integrues, duke parë me lupë çdo detaj të progresit. Këshilla e ish-sekretarit të Shtetit, Henri Kissinger, për integrimin e shpejtë të këtyre vendeve, u mor parasysh me justifikimin se “një bashkësi prej treqind milionësh duhet të bëjë përjashtim për tetë milionë, edhe pa i përmbushur kriteret teknike” (Does America need a foreign policy? Botim i 2002-shit, faqe 63). Por, Lufta e Ftohtë dhe përfundimi i saj konfirmuan strategjinë e gabuar të ish-BRSS, liderët e të cilit përdorën edhe shtypjen ushtarake (në ish-Çekosllovaki dhe Hungari) për të “mbrojtur” vlerat e komunizmit në rang ndërkombëtar; ndaj do të mund të konfirmohej që as katër milionë të tjerë nuk mund të përbëjnë problem në të njëjtën bashkësi, koha nuk mund të kthehet prapa. Ky standard do të ishte mirë të zbatohej për të gjitha vendet në proces integrimi, duke përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor, dhe jo vetëm për vendet kufitare me ndarjen e Europës. Diplomati legjendar amerikan këtë radhë nuk ka qëlluar në shenjë, ose do të jetë një obsesion nga e kaluara dhe përpjekjet e tij të suksesshme dhe të paprecedent në diplomacinë botërore. Si duket, ndonjë funksionar “i moshuar” në mentalitet i BE-së, akoma mbetet nën influencën e shkollës së mendimit amerikan të para shembjes së Murit të Berlinit. Në mënyrë paradoksale, në mjaft raste monitoruesit janë ish-bashkëvuajtës, por që tashmë e kanë kapërcyer paq “lumin” dhe ndjehen komodë në pozicionimin e tyre në Bruksel, ose shtetas të vendeve të Mesdheut që u integruan para përcaktimit të kritereve të Kopenhagës në vitin 1993. Në fakt, po të kthehemi 22 vite prapa, ishulli i vetëm ballkanoperëndimor ishte Shqipëria, vendi më i izoluar që për më shumë se katër dekada shërbeu si një “laborator” për të parë se deri ku të çonte një sistem komunist totalitar, një propagandë e suksesshme kundër lëvizjeve ekstremiste të majta europiane që në Itali arritën kulmin me aktet terroriste në vitet ‘80. Pjesë e këtij “laboratori” nuk ishin vende të ish-Jugosllavisë, megjithatë Shqipëria krahasohet me Bosnjë-Hercegovinën!! A duhet marrë në konsideratë edhe ky fakt? Me siguri Brukseli e ka “arkivuar” tashmë këtë histori. Konfrontimet politike janë të pashmangshme në një shoqëri demokratike, pavarësisht se në vendin tonë kapërcehet çdo kufi. Nëse bashkëpunimi politik ka probleme serioze dhe mund të konsiderohet si një instrument për marrjen e pushtetit nga opozita, a duhet të ketë një alternativë Brukseli për ta shmangur këtë fenomen? Ç’do të ndodhë nëse çdo opozitë do të përdorë të njëjtin instrument? Por, jashtë politikës shqiptare, Brukseli do të duhet të monitorojë edhe qytetarin shqiptar, nëse ai është apo jo i gatshëm të integrohet në BE. Personalisht jam i bindur se qytetari shqiptar është disa hapa para politikës shqiptare; mentaliteti europian është perceptuar edhe direkt, pa by-pass politik. Përgjigjen për pjesën më aktive të shoqërisë shqiptare, emigracionin, tashmë strukturat e BE-së e kanë të konfirmuar. Pavarësisht nga disa deformime mediatike vendase dhe të huaja të imazhit të qytetarit shqiptar, që shpesh na bëjnë edhe ne vetë skeptikë, Big Bang-u i 2004-s evidentoi dhe identifikoi problemet reale të shoqërisë së ardhshme europiane, probleme të cilat nuk lidhen aspak me Shqipërinë, por me fenomene të tjera të emigracionit, të akumuluara për dekada, apo me vendet “kufitare”. E konsideruar nga shumë aspekte, Shqipëria në të ardhmen do të jetë pjesë e zgjidhjes, dhe jo e problemeve europiane. Për ironi të fatit, edhe këtë radhë të qenit pranë BE-së nuk shërbeu si një shans për t’u pranuar në familje, por për t’u lënë mënjanë edhe për disa kohë.  Megjithatë, perspektiva europiane e shqiptarëve, si e ardhme e afërt, është e pashmangshme, pavarësisht nga kriza e thellë financiare dhe recesioni ndërkombëtar; kjo perspektivë është artikuluar qartë më në fund, por rruga nga Samiti i Zagrebit dhe Selanikut, ku përveç konfirmimit të  perspektivës europiane u pranua dhe shfrytëzimi i të njëjtave instrumente si ato të vendeve të tjera, është tejzgjatur. Të shpresojmë që komisionerët e BE-së të arkivojnë edhe “lupat” e monitorimit të procesit të integrimit të Shqipërisë, të mos “penalizojnë” më shqiptarët, ashtu siç po bëjnë me të kaluarën e hidhur të tyre, të pranojnë faktin se kanë “shkuar shumë larg” në paragjykime, të shikojnë gotën gjysmëplot më në fund. Liberalizimi i vizave me hapësirën “Shengen” ishte, pa dyshim, ëndrra e parë e realizuar e shqiptarëve pas rënies së Murit të Berlinit, që u bë realitet pas dy dekadash, por gjithashtu një proces i tejzgjatur. A do të jetë i tillë edhe integrimi në BE? A mjafton një shekull tranzicion ballkanik? Përgjigjja e kësaj pyetjeje do të duhej të jepej duke marrë në konsideratë ndryshimet e jashtëzakonshme gjatë mbi 20 viteve të fundit, por para së gjithash në respekt të brezave të mëparshëm, të cilët nuk përjetuan dot asgjë tjetër veçse luftërave dhe vuajtjeve. Pas kaq kohësh do të mund të marrin përgjigje demonstruesit e parë të viteve ’90, të cilët me entuziazëm në atë kohë brohorisnin: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”.

© Panorama.al

Te lidhura