
Nënkryetari i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, Eduard Shalsi, akuzon drejtuesin e këtij komisioni, Jemin Gjanën, se e ka kthyer aktivitetin e këtij komisioni në një shtojcë të qeverisë. Përmes një letre drejtuar Gjanës, por dhe për dijeni kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli dhe kreut të Grupit të deputetëve demokratë, Patozi dhe atij socialist, Ruçi, Shalsi shprehet se jo vetëm puna, por dhe komunikimi në këtë komision është përkeqësuar. “Duke menduar se gjërat do të përmirësoheshin me kalimin e kohës, qoftë në thelb, qoftë në aspektin etik të komunikimit, kam pritur prej jush një reflektim serioz që do të përmirësonte punën në drejtimin e këtij komisionin të rëndësishëm, gjë që jo vetëm që nuk ka ndodhur, por, fatkeqësisht, është përkeqësuar ndjeshëm me kalimin e kohës, duke kulmuar me mbledhjet gjatë diskutimeve për ligjin mbi Albpetrolin dhe raportimin e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare( AKEP), dhe sidomos në mbledhjen e fundit”, shprehet Shalsi në letrën e tij drejtuar Gjanës. Sipas tij, drejtuesi i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese nuk po kryen funksionin e tij në shërbim të votuesve. “Do të mjaftonte një shikim i shpejtë i procesverbaleve të mbledhjeve, për të kuptuar lehtësisht nivelin e ulët në të cilin ka rënë puna e këtij komisioni, që ju kërkoni dhe e keni shndërruar në një aneks të qeverisë. Ndërkohë që, sipas standardeve më të mira të vendeve të zhvilluara të BE-së, të cilave do të doja t’i referohesha, detyra e këtij komisioni parlamentar është, ndër të tjera, të kërkojë informacion të plotë për propozimet që sjell qeveria, si dhe të monitorojë, kontrollojë dhe kërkojë llogari në punën e Ekzekutivit”, thuhet në letrën e deputetit socialist.
Incidenti
Deputeti demokrat, Jemin Gjana dhe ai socialist, Eduard Shalsi, debatuan ashpër javën e shkuar me njëri-tjetrin në Komisionin Parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese, ku është diskutuar pr/ligji për peshkimin. Të dy deputetët kanë përdorur sharje dhe ofendime të ndërsjella dhe ata i kanë shpëtuar konfrontimit fizik falë ndërhyrjes së deputetëve të tjerë në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese.











