
Edhe sot që është 73 vjeçe nuk mund të rrijë pa e lëvizur telekomandën e televizorit se mos, ku i dihet, andej nga kanalet sportive flitet për qitjen. Shahije Billa ka qenë për 10 vite me radhë kampione republike në sportin e qitjes. Brezi i viteve ’60-’70 duhet ta njohë mirë. Sepse ajo nuk u mjaftua vetëm të ngrinte lart emrin e saj. Poligoni që ndërtoi me ndihmën e të shoqit e gjithë vullnetarët e qytetit të Laçit do të ishte po kaq i bujshëm edhe për brezat që do të vinin.
Disa dëshira mund të plotësohen ashtu fare rastësisht. As që e kishte menduar fare se do të merrte ndonjëherë atë urban, as e kishte menduar fare që në atë urban do të ishin ata njerëz, ata që duheshin. Ata që do t’i bënin vepra dëshirat e saj të paguximshme. Shahije Billa, qitësja që sot është 73-vjeçe dhe vazhdon të ëndërrojë ende për sportin e saj të dashur, vërtetë nuk e pati menduar ndonjëherë që lojërat që bënte me babain, shënjestrën që ai i mësonte të merrte të mund ta kthente një ditë në qëllimin e vetëm të jetës. Ishte ky qëllim që ia çoi emrin prej Peshkopisë, në Tiranë mandej në Kinë, Itali e gjithkund ku zhvilloheshin garat e këtij sporti. Ajo rrugë disaorëshe që e çoi nga Laçi në Peshkopi, vendosi dhe fatin e së ardhmes së saj. Në të gjitha pikëpamjet. Bashkëshorti do të ishte gjithashtu qitës. Bashkë do të bëheshin sportistët më të dashur të qytetit të tyre, sepse do t’ua induktonin këtë dëshirë edhe fëmijëve e të rinjve të qytetit, duke iu dhënë edhe atyre suksesin që ata vetë kishin pasur.
Si keni nisur të merreni me sportin e qitjes? Nuk ishte një gjë e zakonshme për një vajzë të re në atë kohë, për më tepër nga zonat tuaja, apo jo?
Në vitin 1956 isha nxënëse në Teknikumin e Ndërtimit Tiranë, tek Qyteti i Nxënësve. Në pushimet e verës shkova në Peshkopi dhe në të njëjtin autobus ishte dhe ekipi i qitjes së Burrelit që udhëtonin për atje, ku do të zhvillohej kampionati i qitjes së qarkut. Trajneri i këtej ekipi më njohu, sepse isha vajza e shefit të degës ushtarake të këtij qyteti. Im atë, Veli Zogu, ka qenë ushtarak në të gjitha qytetet e Shqipërisë dhe njihej si qitës i mirë në ushtri. Për këtë më propozuan që të merrja pjesë e t’i bashkëngjitesha këtij ekipi.
A, qenka dora e gjenit atëherë, nuk ishte kaq e rastësishme…
Po, po. Unë kisha bërë paraprakisht stërvitje me babain, por që ishin thjesht për të përmbushur dëshirën e tij dhe timen, pa kaluar në etapa profesionale. Megjithatë, sikundër e kisha dëshirë, pranova menjëherë, pa e zgjatur. M’u desh një kohë tjetër që t’i kushtohesha tashmë seriozisht stërvitjes që kërkonte përfaqësia në një ekip dhe pas një kohe të shkurtër garova dhe mora vendin e parë.
Kaq shpejt suksesi?
Kjo sa për të kaluar një fazë. Pas kësaj, më caktuan për të shkuar në kampionatin kombëtar që zhvillohej në Tiranë. Për këtë duhej një stërvitje edhe më impenjative. Pra, suksesi nuk ishte aq i shpejtë. Kaluan edhe disa kohë stërvitjeje dhe në gusht të 1956-ës mora titullin “Kampion Republike”. Çmim të cilin ma dorëzoi gjeneral Spiro Mojsiu. Që nga ky vit e në vazhdim, për 10 vite me radhë, vazhdova të marr titullin e kampiones me pushkë.
Di që ky sport ju ka çuar edhe jashtë…
Po. Në vitin 1965 qitësit më të mirë të vendit tonë, të ftuar nga Kina, u grumbulluan në Durrës për një stërvitje që do të zgjaste 3 muaj. Pas kësaj shkuam në Kinë, ku qëndruam rreth 1 muaj. Aty na pajisën me armë të reja që ne i konsideronim padyshim moderne për kohën. Duke u stërvitur me këto armë të reja dhe me instruksione tashmë të tjera, mora normën e Mjeshtres së Sportit me pushkë. Ato pushkë na u dhuruan më pas.
E treguat gjithë këtë sikur të ishte kaq e lehtë të mbërrije deri këtu…
Jo nuk ishte. Të arrije këto rezultate nuk ishte kollaj. Një vajzë nga Veriu që merrej me sport, do kishte doemos paragjykime, por duke pasur mbështetjen e familjes, sidomos babait, që e kishte me dëshirë dhe më pas të bashkëshortit tim, Xhemal Billa, gjithashtu qitës, arrita të kem rezultate të mira.
Po historia e ndërtimit të poligonit si ishte?
Në vitin 1973 punoja teknike ndërtimi në N.N.I. Laç. Duke e pasur pasion këtë sport, vendosa të bëj projektin e një poligoni qitjeje në këtë qytet. Këtë projekt e vura në zbatim në një kodër të Laçit, sepse atje më lejuan. Arrita të grumbulloj shumë të rinj e të reja, të cilët kontribuuan në ndërtimin e këtij poligoni, që për atë kohë ishte më i miri në Ballkan. Megjithatë, mbështetëse u bënë edhe të gjitha ndërmarrjet e qytetit, me ndihmës kryesor profesor Rexhep Ramën, në pozicionin e kryetarit të Federatës së Sportit të Qitjes në Ministrinë e Arsimit. Brenda një viti ia dolëm. Më 1974-n u bë përurimi i poligonit dhe për pasojë, filluam të merreshim me krijimin e ekipeve të qitjes, të pionierëve, të rinjve e të rejave, e më vonë me ekipin e të rriturve.
Arritën këta të rinj të merrnin pak e nga pak prej mjeshtërisë suaj?
Po, rezultatet e para nuk vonuan. Në vitin l976, ekipi i pionierëve doli kampion dhe arriti që ta mbajë këtë titull për pesë vite me radhë. Ndodhi e njëjta gjë edhe me ekipin e të rejave, qitëset si Halit Cara, Fiqerete Demiri, Ina Dragovoja, Mimoza Lajthia, Zana Gramo, Zana Gjini, Zenel Dema me pistoletë, qitësja Lindita Palushi dhe Mimoza Pepa e shumë të tjerë kanë qenë grumbulluar në ekipin kombëtar. Meqenëse u morën dhjetëra kupa nga ekipet kombëtare, federata e qitjes më caktoi trajnere të ekipit kombëtar për vajza për në ndeshjen e Kampionatit Europian në Itali, në vitin 1979. Elizabeta Karabolli, për herë të parë mori vendin e 3-të nga 28 shtete të Europës. Rezultatet po ecnin me këto ritme, pra ishin në ngritje edhe sepse qitëset i kishin të gjitha kushtet për t’u stërvitur, për më tepër që pasioni të lehtëson gjithçka.
Vazhdoi kështu deri sa… Si është jeta juaj sot?
Në vitin 1988, bashkëshorti im vdiq nga një infarkt, vdekje e parakohshme. Për mua ishte humbje e madhe, për dy fëmijët gjithashtu. E ndjenë shumë humbjen e babait, kështu që përkushtimi dhe koha ime duhet të shkonin te ata të dy. Për këtë arsye, m’u desh që ta lija këtë sport, me dhimbje të madhe. Veçse edhe sot që jam 73 vjeçe më qan zemra për të. Në vitin 1995, me gjithë fëmijët, për arsye ekonomike morëm rrugën e emigrimit. Vajza Mimoza iku në Holandë me familjen e saj dhe unë me djalin familjarisht erdhëm në Greqi, ku jemi edhe sot. Jemi mirë, por shpresojmë që së shpejti të kthehemi në vendin tonë.
ANI JAUPAJ
© Panorama.al











