Ekonomia shqiptare e këtyre dy vjetëve ka treguar se çfarë rëndësie kanë për zhvillimin e një vendi politikat dhe modelet e mirëmenduara e të përshtatura me realitetin. Nuk është rastësi që në kushtet kur fqinjët tanë, por edhe partnerët tanë më të mëdhenj tregtarë janë kapur nga paniku, ekonomia jonë e brendshme vazhdon rritjen pozitive. Askush nuk i mohon efektet negative të gjithë asaj që ndodh përreth, por një ekonomi që rritet në kushte të tilla ka stimuj të fortë të brendshëm zhvillimi. Dhe pamja që kemi sot para syve është se realiteti i ekonomisë shqiptare nuk ka asgjë të përbashkët me atë të vendeve me probleme në BE, si Greqia, Portugalia, Spanja dhe së fundi frika e krizës italiane.
Për krizën globale
Kriza financiare globale filloi me kolapsin e bankave në kontinentin amerikan, në Europë, kryesisht në vendet e BE-së. Shtetet më të konsoliduara u goditën më rëndë. Sigurisht, efekte pati dhe në ekonomitë në zhvillim, ku pozicionohet edhe vendi ynë. Vendet të cilat e përjetuan më dhimbshëm krizën globale, e kishin fluksin e goditjeve të vizatuar me dy faza, vala e parë: Kriza e Sistemit Financiar dhe vala e dytë: Deficiti Publik. Ndërhyrja e shtetit në vendet e BE-së, për të kontrolluar krizën me një plan masash, fillimisht e zvogëloi goditjen e valës së parë të krizës. Në realitet, ndërhyrja e shtyu atë në kohë, por nuk e eliminoi plotësisht. Për të amortizuar krizën financiare, u prezantua plani “Bailout”, i cili e pozicionon shtetin si “Dorëzanë” për bankat me probleme dhe të goditura nga kjo valë e parë. Përmbledhja e këtij plani masash konsistoi në: ndihmë financiare të përkohshme për bankat me probleme, ndërhyrje të shtetit tek institucionet financiare, ndërhyrje e cila mund të diktonte ndryshime edhe në menaxhimin e tyre dhe të politikave të vetë institucioneve financiare, nëse shihej e nevojshme. Pa diskutim, në plan të parë të këtij grupi masash ishte: mbrojtja e interesit të taksapaguesve, si dhe minimizimi i efekteve sekondare për shtetet e tjera të BE-së. Ky plan masash rialokoi rreth 1 465 bilionë euro, për bankat që patën probleme. Sigurisht, pati edhe përjashtime dhe mospërfshirje të disa bankave në plan-masat e mësipërme. Vetë institucionet bankare nuk e shfrytëzuan në mënyrë eficiente këtë ndihmë, madje edhe e keqpërdorën atë. Ndihmën e shtetit e pozicionuan për të përballuar me tepër risqe. Gjithashtu, këto institucione financiare, të suportuara nga kjo politikë ndihme, fitimet i konsideronte të tyret dhe humbjet si të pagueshme nga shteti. Plani i mësipërm i masave, shoqëruar edhe me stimuj të politikave fiskale, gjeneruan më shumë borxh sesa punë e, si rrjedhojë, fitime.
Realiteti shqiptar
Panorama e krizës financiare europiane, e ndjekur nga një deficit publik i frikshëm në këto shtete, nuk ka asgjë të përbashkët me pozicionimin aktual të ekonomisë shqiptare dhe politikat financiare në vend, të ndjekura apo të planifikuara në vazhdimësi të ndiqen, që me fjalë të tjera përbëjnë modelin ekonomik shqiptar. Mosprekja nga zhvillimet e mësipërme ekonomike globale prezanton dukshëm stabilitetin makroekonomik dhe politikat e kujdesshme financiare në vend. Ishte pikërisht ky model ekonomik, që përballoi me sukses efektet e krizës globale. Këto politika ekonomike u mbështetën fuqishëm nga mirëmenaxhimi dhe planifikimi i burimeve natyrore dhe njerëzore që ofron vendi. Modeli ynë ekonomik identifikohet në taksa të ulëta, duke qenë vendi me barrën fiskale më të ulët në Europë. Nga ana tjetër, ky model bazohet në nxitjen e investimeve të mëdha në vend. Shqipëria është një vend shumë i pasur me burime natyrore, ndër të cilat janë burimet natyrore ujore, me nëntokë të pasur, toka me pjellori të lartë etj. Një ndër prioritetet në vend është edhe turizmi me vijën bregdetare, malet, luginat dhe lumenjtë. Nga 300 mijë turistë e vizitorë në vitin 2004, Shqipëria ka mikpritur 3.5 milionë turistë e vizitorë në vitin 2010. I pritshmi për 2011, referuar ecurisë së deritanishme, parashikohet edhe më i lartë. Nëntoka shqiptare është e pasur me krom, bakër, hekur nikel, tashmë edhe naftë. Kjo pa dyshim edhe për faktin e politikave të drejta dhe prioriteteve të qeverisjes në këto 6 vite. Krahas infrastrukturës rrugore dhe përmirësimit të klimës së biznesit, si dy shtyllat kryesore të realizuara me shumë sukses, prioritet i është dhënë edhe infrastrukturës dixhitale. Krahasimi është i pamatshëm me 6 vite përpara (para 2005-s kishte vetëm 4.8 për qind depërtim të internetit, në 2010 kjo shifër ka arritur në 50 për qind). Është shumë e rëndësishme për të nënvijëzuar edhe impaktin e reformave rregullatore, krahas atyre fiskale. Lehtësia e të bërit biznes në Shqipëri është një aset i rëndësishëm për tërheqjen e investitorëve në vend. Klima e favorshme e biznesit bën që Shqipëria të rezultojë 7 për qind më lart se mesatarja e vendeve anëtare të OECD-së, për investimet e huaja. Shqipëria ka regjimin fiskal ndër më të favorshmit në Europë, me kontributet shoqërore 15 për qind për sipërmarrësit, me tatimin mbi fitimin prej 10 për qind, tatimin për të ardhurat personale prej 10 për qind e të tjera tarifa e taksa të hequra. Është ky model ekonomik që i rezistoi krizës globale, duke pasur të gërshetuar politikat makroekonomike dhe ato monetare.
Optimizmi i 2011-s
Ekonomia shqiptare vlerësohet me një ecuri pozitive gjatë vitit 2011, kjo referuar edhe organizmave të specializuara që matin besueshmërinë e këtyre treguesve ekonomikë. Aktiviteti ekonomik vlerësohet në rritje, ndërkohë që balancat kryesore makroekonomike janë përmirësuar duke ulur edhe rreziqet që prezantohen nga normat e interesit dhe kursi i këmbimit. Modeli ekonomik i ndjekur po rezulton pozitiv në çdo etapë të tij, duke prezantuar ndryshime strukturore të rëndësishme me impakt pozitiv. Vlen të theksohet rishpërndarja e burimeve në sektorët më eficientë të ekonomisë. Kjo po shoqërohet, siç dhe është e natyrshme, me një kujdes të familjeve shqiptare në konsum, duke pasur një ulje të lehtë këto dy vitet e fundit. Nga analiza e përbërësve të kërkesës, rezulton se përmirësimi i ritmeve të rritjes në tremujorët e fundit 2010 dhe gjatë vitit 2011, ka ngushtuar ndjeshëm hendekun negativ të prodhimit dhe ka bërë që ekzistenca e kapaciteteve të lira në ekonomi të krijojë kushtet për një parashikim optimist edhe për periudhën në vazhdim. Në këto rrethana, megjithëse modeli ynë ekonomik rezultoi i qëndrueshëm, pa diskutim që kërkon një ristrukturim të vazhdueshëm lidhur me diversifikimin e produkteve e shoqëruar kjo me adaptimin masiv të teknologjive të reja. Ndaj është me rëndësi që të kërkojmë që biznesi të jetë në fokus, duke përmirësuar cilësinë dhe treguesit e kërkim zhvillimit të tij. Pa diskutim që niveli rregullator standardizon raportet dhe thekson nevojën e reformave të reja në favor të biznesit. Por kjo nuk mund të arrihet pa kontributin e opozitës, e cila duhet të jetë e pranishme, për të evidentuar së bashku se cilat janë burimet e reja që ushqejnë rritjen ekonomike të vendit, duke e konsideruar biznesin privat si kolona kryesore e këtij ndryshimi. Arritjet e deritanishme flasin qartë me shifra dhe fakte se ekonomia shqiptare demonstroi se mbeti tërësisht e paprekur nga presionet e krizës globale dhe me një trend tërësisht pozitiv përgjatë vitit 2010 dhe parashikim optimist për vitin 2011, duke motivuar ambicien e shqiptarëve – “Shqipëria, një vend i zhvilluar”.
*Deputet i PD
© Panorama.al












