Zgjedhjet presidenciale në Francë përfunduan me rikthimin e socialistëve pas 17 vjetësh në Elyse. Francois Hollande, i cili ndërtoi ofertën e tij politike mbi shpresën , ndryshimin dhe të ardhmen, javën që vjen do të betohet si President i Republikës, në një moment vendimtar për Francën si në aspektin e brendshëm, ashtu dhe në arenën globale. Presidenti në ikje, Nicolas Sarkozy, e bazoi fushatën zgjedhore te frika që do të vinte nga emigracioni për shkak të qëndrimit liberal të së majtës ndaj kësaj shtrese, kërcënimi për rendin publik dhe pasojat ekonomike me të cilat do të përballeshin qytetarët e Francës për shkak të programit të së majtës, në themel të së cilës nuk qëndronin politikat e shtrëngimit, por ato të rritjes ekonomike. Menjëherë pas shpalljes së rezultatit, Sarkozy deklaroi tërheqjen nga jeta politike, duke marrë mbi shpinë përgjegjësinë.
Duke qenë se pata fatin t’i ndiqja nga afër zhvillimet e mësipërme, falë mikpritjes bujare të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Europiane, sikundër të shkëmbej pikëpamje me zyrtarë të lartë të institucioneve franceze, por edhe njerëz të botës së mendimit politik e akademik, e çmova të nevojshme që të ndaj me opinionin publik disa nga arsyet përcaktuese të fitores së Hollande, duke hedhur dritë, në të njëjtën kohë, mbi dallimet mes kandidatëve dhe sigurisht, sfidat me të cilat pritet të ballafaqohet projekti i shpresës i Presidentit të porsazgjedhur të një prej vendeve më demokratike dhe më me influencë në arenën europiane dhe ndërkombëtare.
Presidenti “normal” Francois Hollande
Përpara se të fillonte gara zgjedhore, socialistët, përmes një votimi paraprak që rroku zemrat e tre milionë qytetarëve, zgjodhën drejtpërdrejt si kandidat të tyre për President të Republikës, Francois Hollande. Kandidatët e tjerë socialistë u rreshtuan në mbështetje të kandidatit fitues, pavarësisht dallimeve programore. I shkolluar në shkollat më të mira të Francës, duke përfshirë edhe prestigjiozen e administratës publike, Hollande u kritikua për “mungesë eksperience në administrimin qendror të vendit”. Një kritikë e tillë duket se u fashit shpejt. Pasi Hollande u perceptua si politikani pajtues i brezave dhe rrymave të ndryshme të mendimit politik progresist francez. Ky perceptim merr një vlerë të veçantë nëse kemi parasysh sagën e grindjeve e përçarjeve nëpër të cilën janë përfshirë socialistët francezë në të shkuarën.
Në këtë frymë, Hollande ka shprehur hapur admirimin për Presidentin Mitterrand, rrugën e të cilit dëshiron të ndjekë. Ka punuar për Jacques Delor dhe është frymëzuar nga vizioni i tij për ekonominë dhe Europën. E fundit, por jo më pak e rëndësishme, ka drejtuar Partinë Socialiste Franceze në kohën kur Kryeministër ishte Lionel Jospin, me të cilin ka bashkëndarë vendimmarrje politike.
Me të marrë besimin e socialistëve, Hollande nuk rreshti së demonstruari një prerje të ndryshme politike nga Sarkozy. Duke mbajtur parasysh anketimet e ndryshme që tregonin idhnimin e qytetarëve francezë ndaj jetës luksoze të Presidentit Sarkozy, korrupsionit, krizës ekonomike dhe thellimit të pabarazive sociale, Hollande aplikoi modelin e politikanit normal, që e kërkon ndryshimin pikësëpari nga vetja. Ai udhëtonte me motor, si një pjesë e mirë e bashkëqytetarëve të tij. Nuk frekuentonte jetën e salloneve dhe mbante lidhje me qytezën periferike të Tullës që e mandatoi politikisht. Siç e perifrazoi shtypi francez, ai ishte “një kandidat presidencial pa orë Rolex në dorë dhe jo i dhënë pas jetës së jahteve”. Shumëkujt i bëri përshtypje përunjësia që tregoi në momentin e shpalljes së rezultatit. Përdorimi i një makine modeste dhe ndalesa e parë për të mbajtur fjalimin përshëndetës në qytezën, njëkohësisht zonën e tij zgjedhore, para se të nisej për festën e madhe që e priste në sheshin e Bastijës në Paris.
Triumfi i shpresës përkundrejt frikës
E gjithë fushata presidenciale, sidomos raundi i dytë, u zhvillua në dy pista që nuk kishin pikëprerje me njëra-tjetrën. Sarkozy u zhvendos qartësisht djathtas duke tentuar të fitojë zemrat e mbështetësve të ekstremit të djathtë. Apeli i tij publik u përqendrua në çështjet e emigracionit dhe rendit publik, duke stigmatizuar rivalin socialist për politika favorizuese ndaj kësaj shtrese. Ai tentoi të ngjallte ndjenjën e frikës te francezët e drobitur nga kriza ekonomike, duke u kërkuar atyre që të “mos e ndërrojnë kapitenin e anijes në një det të trazuar”. Madje, nuk ngurroi ta konsiderojë katastrofik premtimin e Hollande për rritjen ekonomike dhe rishikimin e traktatit financiar që u firmos para pak kohësh nga 25 vende anëtare të BE-së.
E kundërta ngjau me Hollande, i cili kombinoi faktet me projektin e shpresës në trajtën e “historive të treguara”. Nga njëra anë, listoi të gjitha dështimet e Presidentit Sarkozy. Nga ana tjetër, përktheu në mesazhe gjithëpërfshirëse politike ambicien për të qenë President i të gjithë francezëve, duke ringjallur shpresën dhe premtuar ndryshimin përmes një politike të re sociale, në qendër të së cilës qëndron rritja ekonomike, krijimi i vendeve të reja të punës, shpëtimi nga diktatura e korrupsionit, reduktimi i pabarazisë sociale, rritja e fuqisë blerëse, edukimi dhe rinia. Hollande shkoi më tej duke artikuluar nevojën për përqasjen e shoqërisë franceze me vlerat sociale të skalitura në vendet e Europës Veriore, teksa kërkoi një politikë taksimi më të ndershme që bazohet në raport proporcional me të ardhurat.
Edhe dueli televiziv mes dy kandidatëve nxori në pah një Sarkozy agresiv në mbrojtje të arritjeve apo justifikimeve për mosarritjet gjatë presidencës së tij. Dhe ç’është më e rëndësishme, pa ofertë konkrete për qytetarët francezë. Në ndonjë rast, ai humbi qetësinë dhe kapërceu caqet e etikës teksa e shënjestroi rivalin Hollande si “gënjeshtar”. Sakaq, Hollande drejtpeshoi mesazhin politik, duke u kujtuar francezëve dështimet e “presidencës Sarkozy” dhe duke paraqitur në stilin e dikurshëm të Tony Blair projektin e shpresës dhe ndryshimit për 5 vitet e ardhshme, mbi bazën e propozimeve tematike.
Europa si çështje e brendshme, por me sytë nga Gjermania
Si një prej vendeve themeluese të Bashkimit Europian, debati politik mbi Europën u konsumua kryesisht për efekt të brendshëm. Pika më e nxehtë mbeti qëndrimi i njëtrajtshëm i Hollande për “rinegocim të traktatit financiar”. Qëndrim që u kritikua ashpër nga Sarkozy. Ndërkohë që Gjermania u tregua e kujdesshme të bëjë me dije se traktati financiar është një çështje e mbyllur për të. A do të mundë Presidenti Hollande ta tërheqë Gjermaninë në një sipërmarrje të tillë? Nga pikëpamja formale kjo është vështirësish e arritshme. Ekipi i Hollande është i ndërgjegjshëm për këtë. Aq më tepër kur 90% e Produktit të Brendshëm Bruto shkon për rimbursim të borxhit publik. Mirëpo, traktati është fleksibël dhe krijon mundësi për aplikimin e politikave të rritjes ekonomike, krahas atyre të shtrëngimit. Në këtë kontekst, mbetet të shihet se si do t’i kombinojë këto dy çështje Presidenti Hollande.
Debati politik për Europën zbuloi edhe ambicien e dy kandidatëve për adoptimin e “modelit ekonomik Gjerman”. Gjatë duelit televiziv, Sarkozy vlerësoi figurën e ish-kancelarit socialdemokrat Gerhard Schroeder, duke ia atribuuar gjendjen e shëndetshme të ekonomisë gjermane sot, reformave të ndërmarra qysh herët prej tij. Edhe për Hollande boshti franko-gjerman mbetet vendimtar për prosperitetin dhe fuqizimin e mëtejshëm të rrezes së veprimit të BE-së. Tregues i bashkëpunimit të ngushtë është fakti se Presidenti Hollande do ta zhvillojë vizitën e parë jashtë vendit në Berlin. Pritet gjithashtu një bashkëpunim më i intensifikuar me Mbretërinë e Bashkuar dhe një partneritet i ri me vende të Europës Veriore si Danimarka, e cila për momentin mban presidencën e BE-së.
Zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, megjithëse nuk u trajtua për asnjë çast gjatë fushatës zgjedhore, nuk u vu në pikëpyetje as nga kandidatët e as nga stafet e tyre respektive. Mirëkuptim të gjerë politik gëzon ideja e integrimit të Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete të pavarura në BE, e ngjizur për më shumë se një dekadë. Është i njohur qëndrimi i pazëvendësueshëm i Presidentit Sarkozy në mbështetje të pavarësisë së Kosovës, sikurse roli i çmuar i Kryeministrit Jospin gjatë ndërhyrjes së NATO-s dhe krizës humanitare të vitit 1999 në Kosovë.
Kur vjen puna për aderimin e mundshëm të Turqisë në BE, Hollande ka një qëndrim të ndryshëm nga Sarkozy. Ky i fundit e ka akuzuar Hollande se është “pro integrimit të Turqisë në BE”. Është pak, por e sigurt të pranohet se kjo është një temë e ndërlikuar. Sidomos kur mund të bëhet objekt diskutimi në fushatat zgjedhore. Ndonëse nuk u shpreh publikisht në fushatë, Presidenti Hollande mbron pikëpamjen e vijimit të negocimit të kapitujve të acquis ndërmjet BE-së dhe Turqisë. Ai ka qenë drejtues i Partisë Socialiste Franceze kur BE-ja mori vendimin për fillimin e negociatave për aderim të Turqisë. Ndërkohë që Kryeministri i kohës, Jospin, është konsultuar gjerësisht për këtë vendimmarrje me të.
Në planin pragmatik, ky është një qëndrim i mençur, pasi Hollande e di fare mirë se deri në përfundim të mandatit të tij presidencial më 2017-n, BE-ja nuk do të marrë vendim në lidhje me aderimin e mundshëm të Turqisë. Përparimi i negocimeve ndërmjet BE-së dhe Turqisë do të rriste ndikimin e BE-së mbi Turqinë si fuqi në rritje. Le të mos harrojmë se në fushëpamjen strategjike Turqia paraqitet si një partnere me rëndësi brenda radhëve të NATO-s, programit të mbrojtjes raketore, në Ballkan, Afrikën e Veriut, Azi dhe Kaukaz. Roli i saj në gjetjen e një zgjidhjeje të ndërmjetësuar ndërkombëtarisht për gjakderdhjen siriane është vetëm një prej shembujve të pakundërshtueshëm të rolit të ri që Turqia po luan në arenën globale.
Përdorimi i politikës së jashtme si mënyrë legjitimimi politik
Në dallim nga viti 2007, kur Sarkozy organizoi takime të posaçme me median dhe gazetarët e specializuar në çështjet e politikës së jashtme, një gjë e tillë nuk ndodhi kësaj radhe nga asnjë prej kandidatëve. Mirëpo, politika e jashtme u përdor tërthorazi si mënyrë legjitimimi e platformave konkurruese.
Roli i trupave franceze në Afganistan, kontributi francez në proceset demokratizuese në Libi, Tunizi dhe Egjipt, roli i Francës në NATO, qëndrimi i ndryshëm francez përkundrejt atij gjerman për programet e mbrojtjes raketore, përdorimi i forcës në përputhje me rregullat e së drejtës ndërkombëtare, u trajtuan pak a shumë me të njëjtin këndvështrim nga të dy kandidatët. Megjithatë, ia vlen të theksohet se çështjet që ngërthejnë sovranitetin shihen më me kujdes nga Hollande, i cili është në favor të rritjes së rolit të ligjvënësve kur vjen puna për ndërhyrjet ushtarake ndërkombëtare. Ndërkohë që ngjarja tragjike e Tuluzës nxori në sipërfaqe debatin mbi rolin që duhet të luajë Franca në parandalimin dhe goditjen e terrorizmit ndërkombëtar.
Interesant është fakti se gjatë duelit televiziv, Sarkozy nuk e kurseu ish-kryeministrin socialist të Spanjës, Zapatero, duke aluduar se Hollande ndan të njëjtin vizion me të. Vizion që e çoi Spanjën – sipas tij – drejt greminës financiare. E menjëhershme ishte kundërpërgjigjja e Hollande, i cili i kujtoi Sarkozy-së lidhjet e tij me ish-kryeministrin konservator të Italisë, Berlusconi. Më e drejtpërdrejt u shfaq udhëheqësja e ekstremit të djathtë në përdorimin e politikës së jashtme për legjitimitet të brendshëm. Le Pen këmbëngulte se formacioni i saj politik nuk është i ndryshëm nga partitë e ekstremit të djathtë në Itali apo Holandë.
Tranzicion drejt një mandati të qartë politik?
Me gjasë qeveria aktuale e qendrës së djathtë do të dorëhiqet papritur në zgjedhjet parlamentare të mesit të qershorit. Në rast se kjo ndodh, Presidenti Hollande do të emërojë kabinetin e ri qeveritar me përbërje nga Partia Socialiste. Pra, një qeveri minorance deri në konstituimin e Asamblesë Nacionale, pas zgjedhjeve parlamentare. Nëse socialistët do të fitojnë shumicën, Hollande do ta ketë më të lehtë për të jetësuar programin e tij. Në të kundërt, do t’i duhet të bashkëqeverisë me kundërshtarët politikë të së djathtës. Aktualisht, socialistët kanë shumicën në Senat dhe pushtetin vendor. Një fitore edhe në zgjedhjet për Asamblenë Nacionale shihet si mundësi për reforma radikale nga Presidenti Hollande. Por, nga ana tjetër, si “rrezik” për demokracinë, për shkak të përqendrimit të pushteteve.
Në prag të zgjedhjeve parlamentare, partia e Sarkozy-së është në udhëkryq, pasi i duhet të ndalojë erozionin që vjen si pasojë e tërheqjes së votuesve nga ekstremi i djathtë. Dhe, nga ana tjetër, të mbrojë vlerat e Republikës, si një parti e qendrës së djathtë, duke përjashtuar çdo mundësi bashkëpunimi me ekstremin e djathtë.
Etja për ndryshim
Fitorja e Hollande vjen si pasojë e frustrimit të francezëve me gjendjen e vështirë ekonomike, mungesën e perspektivës së punësimit, rënien e fuqisë blerëse, qëndrueshmërinë e skemës së pensioneve dhe dështimeve të elitës drejtuese të vendit për t’iu përgjigjur këtyre nevojave. Shkëputja e Presidentit nga realiteti, veçse shtoi mobilizimin e votave kundër Sarkozy-së. Në këtë kontekst, francezët e zhgënjyer nga status quo-ja votuan për ndryshimin.
Nisur nga mënyra se si janë shpërndarë votat e zgjedhësve për të dy kandidatët dhe ingredientët e sociologjisë elektorale franceze, mund të thuhet se Francois Hollande është përballë një sfide tejet të vështirë. Më shumë se sa performanca në takimet bilaterale me Presidentin Obama, Kancelaren Merkel dhe udhëheqësit e tjerë europianë, apo prezantimin e qëndrimit të Francës në Samitin e G8-s dhe të NATO-s, ngjarje që do të zhvillohen brenda harkut kohor të 30 ditëve, atij i duhet që përmes reformave konkrete ta bëjë të prekshëm ndryshimin. Është e qartë se jo thjesht BE-ja, por sistemi kapitalist në përgjithësi ka nevojë të reformohet e përmirësohet. Si një socialist i përkushtuar, President i një vendi të madh demokratik, Hollande ka mundësinë për të projektuar një model europian progresist në përgjigje të krizës, duke e vendosur kontinentin në shinat e zhvillimit dhe solidaritetit. Duke dëshmuar kështu se socialdemokracia e re është një model efikas për kohën që jetojmë.
© Panorama.al












