
Të zhvillojmë cilësitë tona më të mira, bashkëjetesën ndërfetare, ndëretnike e ndërkulturore, t’i promovojmë ato dhe t’i bëjmë pjesë të botës së madhe. Pas një serie konferencash, seminaresh e trajnimesh më të ngushta, Forumi Shqiptar për Aleancat e Qytetërimeve zhvilloi dje konferencën përmbyllëse të ciklit mbi dialogun ndërkulturor: “Përvoja dhe sfida. Shtypi i shkruar dhe bashkëjetesa ndërfetare”. Merrnin pjesë në këtë konferencë drejtues të institucioneve shtetërore dhe ndërkombëtare, si zv/kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, Engelbert Ruoss, drejtori i Zyrës së UNESCO-s në Venecia, si edhe drejtues të disa prej mediave të shkruara më të rëndësishme në vend. Të gjithë të pranishmit vunë theksin në rëndësinë që ka për integrimin shqiptar në familjen e madhe europiane dialogu ndërkulturor edhe fetar, bashkëjetesa dhe bashkëveprimi mes tyre. “Shqipëria e ka mbështetur që herët nismën e OKB-së për Aleancën e Qytetërimeve, që prej krijimit të saj. Ajo u bë anëtare e Grupit të Miqve dhe u angazhua në këtë Aleancë për të farkëtuar vullnetin e saj politik dhe për t’u mobilizuar me veprime konkrete, si në nivel shtetëror, institucional, ashtu dhe në nivelin e shoqërisë civile. Ky angazhim ka si synim tejkalimin e paragjykimeve, koncepteve të gabuara dhe polarizimit të skajshëm të shoqërive, çka ka penguar arritjen e një mirëkuptimi të gjerë ndërkomunitar dhe ndërkulturor”, tha zv. kryeministri Haxhinasto, duke shtuar se në gjirin e Aleancës së Qytetërimeve, kombi shqiptar sjell një shembull të rrallë harmonie, dialogu, paqeje e bashkëjetese ndërfetare. “Ne jemi një popull, i cili ka ndërtuar historinë e vet nëpërmjet një rrugëtimi të gjatë përvetësimi besimesh apo kulturash të ndryshme, rrugëtim që e pasuroi brez pas brezi identitetin shqiptar”, tha Haxhinasto.
Pjesë e mirëkuptimit dhe dialogut është edhe ruajtja e trashëgimisë kulturore shqiptare, në mënyrë të veçantë të asaj materiale, ku bëjnë pjesë edhe objektet e kultit, si kishat, xhamitë etj. Përfaqësuesi i UNESCO-s, Ruoss, ofroi një panoramë të gjerë të aktivitetit të UNESCO-s në Shqipëri, i cili sigurisht është zgjeruar pas përfshirjes së Butrintit, Gjirokastrës, Beratit dhe Iso-polifonisë në listën e trashëgimisë kulturore botërore. Ruoss paraqiti një platformë se si mund të arrihet në ruajtjen e kësaj trashëgimie kulturore.
Por një nga çështjet kryesore të kësaj konference kombëtare ishte diskutimi mbi rolin e mediave në trajtimin e çështjeve me karakter fetar. Për drejtuesin e AFALC, Besnik Mustafaj, mediat kanë një rol të jashtëzakonshëm për të promovuar dialogun ndërkulturor dhe fetar, si edhe një kanal prej nga ku mund të përcillen ide të reja për të ardhmen. Pjesë e programit të AFALC ka qenë edhe monitorimi i mediave mbi mënyrën e trajtimit të këtyre temave. Në pjesën e dytë të konferencës, “Mekanizmi mediatik i reagimit të shpejtë”, Besnik Mustafaj relatoi disa rezultate të disa raporteve të hartuara me këtë qëllim, nën drejtimin e historianit Ferid Duka. Ndërsa drejtues e analistë të njohur të medias së shkruar, si Anila Basha, Andi Tela e Sami Neza ofruan shembuj konkretë mbi mënyrën se si mediat shqiptare i trajtojnë çështjet me karakter fetar, mbi dialogun ndërkulturor dhe ndëretnik. Referuan gjithashtu Remzi Lani, Piro Misha, Zhulieta Horasani, Zana Tabaku etj, mbi mënyrën se si ky dialog mund t’u injektohet të rinjve përmes edukimit e librave.
Raporti mediatik
“Mekanizmi mediatik i reagimit të shpejtë” ishte pjesë e programit mbi dialogun ndërkulturor, organizuar nga Forumi Shqiptar për Aleancën e Qytetërimeve. Përgjatë një periudhe njëvjeçare, nën drejtimin e historianit Ferid Duka u hartuan një sërë raportesh se si shtypi i shkruar ka trajtuar çështje që lidhen me fenë dhe marrëdhëniet ndërfetare, sipas këtij raporti, “Shtypi shqiptar ka treguar interesim mbresëlënës për probleme të rëndësishme dhe mjaft aktuale të spektrit fetar. Është për t’u theksuar se informacioni që jepet, analizat dhe komentet e bëra për këtë qëllim, lidhen jo vetëm me zhvillime e ngjarje në Shqipëri, por edhe në vende të tjera, kryesisht ato perëndimore”. Nga pikëpamja metodologjike, shqyrtimi është bërë mbi bazën përmbajtësore.
Ruajtja e trashëgimisë
Ruajtja e trashëgimisë materiale, si pjesë e kulturës së të gjithë shqiptarëve, ishte gjithashtu pjesë e konferencës kombëtare “Përvoja dhe sfida. Shtypi i shkruar dhe bashkëjetesa ndërfetare”. Drejtuesi i zyrës së UNESCO-s në Venecia, Engelbert Ruoss, ofroi një platformë se si mund të ruhet kjo trashëgimi, si mund t’i përcillet brezave dhe si mund të ndihmojë në zhvillimin social dhe ekonomik. Jo vetëm përmes punës së institucioneve qendrore e mbështetjes së UNESCO-s, por edhe përmes bashkëpunimit me pushtetin lokal, edukimit në shkolla, programet trajnimit për mësuesit, zhvillimit të debateve dhe diskutimeve mediatike, si dhe krijimit të rrjeteve të të rinjve, ku të promovohet kultura dhe mbrojtja e saj, ishin disa nga mënyrat se si mund të arrihet në përcjelljen brez pas brezi të trashëgimisë kulturore.
© Panorama.al











