NEVILA XHINDI
Rëndësia në rritje e kërkimit shkencor dhe zhvillimit (research and development; R & D) për ekonominë, punësimin dhe mirëqenien është tashmë e njohur që në mars 2000 nga Këshilli Europian i Lisbonës, i cili vendosi për BE-në një sfidë të re, një qëllim strategjik ambicioz për dekadën, atë që shoqëria europiane duhet të bëhet më konkurruese dhe dinamike, e mbështetur fortësisht në dije, e aftë për rritje të qëndrueshme ekonomike, me më shumë mundësi punësimi dhe kohezion më të madh social. Për të arritur këtë qëllim, një theks i madh i duhej vënë hulumtimit, arsimit dhe inovacionit, d.m.th trekëndëshit të dijes. Po ashtu, BE nënvizoi rëndësinë e veprimeve të së ashtuquajturës “spirale të trefishtë”, d.m.th bashkërendimit dhe bashkëveprimit të ngushtë midis universiteteve, bizneseve dhe autoriteteve publike, si elemente kryesore të zhvillimit të Zonës Europiane të Kërkimit.
Si specialiste e arsimit të lartë dhe e përfshirë si aktore në këtë proces, do të ndalem tek problematika që ngrihet nga rezultatet e dala për dy indikatorë shumë të rëndësishëm pas renditjes (ranking) pilot të Universiteteve shqiptare për katër fusha të studimit, në Ekonomik, Drejtësi, Shkenca Sociale dhe Infermieri: veprimtaria shkencore dhe reputacioni i kërkimit shkencor. Vërej, jo pa keqardhje, që për universitetet që morën pjesë në këtë renditje, këta dy indikatorë ose nuk janë shfaqur fare, ose ekzistojnë njëri pa tjetrin, dhe vetëm në ndonjë rast të rrallë janë të dy përkrah njëri-tjetrit, ashtu siç duhet vërtet të jenë. Sigurisht, secili prej nesh kupton që të renditesh në këta indikatorë është sfidë, sfidë që të bësh shkencë, të ofrosh mundësi për shkencë, të paguash për shkencën (sepse ndryshe nuk ndodh) dhe për këtë duhet jo vetëm të dish, por edhe të kesh.
Reformat e nisura në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor kanë synuar para së gjithash të integrojnë arsimin dhe kërkimin shkencor, deri tani thellësisht të ndarë nga njëri-tjetri, në një sistem të shkencës, i cili duhet të jetë inovativ dhe eficient për kushtet e një vendi të vogël dhe me resurse financiare shumë të kufizuara si Shqipëria. Gjerësia dhe niveli i kërkimit shkencor në universitetet e ndryshme është dhe duhet të jetë i ndryshëm. Në këtë këndvështrim, duke përjashtuar Universitetin e Tiranës, p.sh. universitetet publike rajonale përgjithësisht kanë një veprimtari më të kufizuar kërkimore, çka nuk do të thotë që për fusha apo nënfusha të caktuara, ku ato kanë traditë dhe kompetencë të njohur, të mos shkëlqejnë dhe të mos mund të kuotohen tek indikatori i reputacionit shkencor, gjë që ka ngjarë në këtë renditje të bërë së fundmi. Ndërkohë, universitetet private (26 të tilla morën pjesë në renditje), te reja në moshë, duke synuar rritjen e numrit të studentëve dhe një rritje të reputacionit akademik, kanë bërë investime serioze për ta gërshetuar mësimdhënien dhe përvetësimin e dijeve me kërkimin shkencor, por jo të gjithë kanë pasur mundësinë ta ofrojnë realisht këtë informacion sasior dhe cilësor për indikatorët e veprimtarisë shkencore dhe reputacionit në kërkimin shkencor, pasi është shumë herët në kohë për ta. Megjithatë, nëse do i hidhnim një sy tabelave të renditjes së indikatorëve të mësipërm nga kompania CHE, do vëmë re që universitetet private qëndrojnë denjësisht.
Por, kërkimi shkencor që sot përfshin institucionet publike e jopublike të arsimit të lartë, qendrat e kërkimit shkencor, zhvillimit dhe transferimit të njohurive dhe teknologjisë (inovacionit), duhet me patjetër të përfshijë edhe sipërmarrjet, bizneset që veprojnë në fushën e kërkimit, zhvillimit dhe inovacionit. Vitet e fundit po shtohen sipërmarrjet private në fushën e kërkimit dhe zhvillimit, por janë akoma të pakta. P.sh. ka shumë pak iniciativë private për studime në fushën e albanologjisë, gjuhësisë, energjisë, bujqësisë, biologjisë, bioteknologjisë, burimeve natyrore, zhvillimit të qëndrueshëm etj. Kjo hallkë e sistemit është ende në hapat e parë të zhvillimit në vendin tonë. Megjithatë, tendenca është shumë pozitive. Aktualisht ekzistojnë disa njësi të tilla private në formën e instituteve apo OJF-ve, që kanë krijuar profil të qartë kompetence në fusha të caktuara, përgjithësisht në kryerjen e studimeve të analizës, kryesisht të problemeve shoqërore dhe ekonomike, si bazë për politikëbërje. Ky segment i sistemit të kërkimit dhe zhvillimit është bërë një mbështetje shumë e mirë edhe për politikëbërjen, ndaj si ekzekutivi, edhe legjislativi po e shfrytëzojnë këtë mjedis të kompetencës gjithnjë e më mirë.
Megjithatë, duhet nënvizuar se zhvillimi i sipërmarrjes private në R&D (përfshirë Universitetet) dhe transferim të teknologjisë e njohurive ka qenë, në të gjitha rastet, më i shpejtë se sa ai i institucioneve publike, çka lidhet edhe me mungesën e mekanizmave financiarë stimulues për kërkuesit dhe mungesën e një reforme të vërtetë të institucioneve publike, që veprojnë në sistemin e shkencës. Në të ardhmen duhet nxitur edhe më shumë sipërmarrja private që vepron në kërkim, zhvillim, transferim të njohurive dhe teknologjisë dhe në bashkëpunim me qendrat dhe institucionet akademike. Në këtë kontekst, është e rëndësishme të nxitet zhvillimi i R&D me projekte që vijnë nga bashkëpunimi i universiteteve me sektorin e biznesit. Për funksionimin e kësaj marrëdhënieje ka shumë shembuj të praktikës së mirë: një ekzekutiv nga një kompani e madhe amerikane “Agrochemical” me një 1 miliard $ fond për t’u shpenzuar për R & D, theksonte në një intervistë, se në marrëdhëniet e tij me Universitetin e Oksfordit, vitin e kaluar ai gjeti një nga organizatat më profesionale me të cilat kishte bashkëpunuar ndonjëherë. Ky model do të favorizojë kërkimin shkencor në universitete dhe do të krijojë mundësinë e lindjes së iniciativave private në fushën e kërkimit, zhvillimit, transferimit të njohurive dhe teknologjisë, si dhe do ta mbështesë financiarisht. Një mbështetje e madhe për këtë trend të zhvillimit janë edhe programet ndërkombëtare, veçanërisht FP7 (programi kuadër i BE-së për R&D 2007-2013), ku Shqipëria dhe vendet e rajonit vetëm në pak raste kanë mundur t’i lejojnë.
Gjithashtu, është e domosdoshme që të investohet me përparësi për rritjen e shkallës së kualifikimit të kërkuesve shkencorë dhe të shtohet numri i tyre. Fondi i Exelencës, i cili filloi të zbatohet para disa vitesh nga MASH, për të mbështetur të rinjtë të bëjnë studimet e doktoratës në shkollat perëndimore, duhet të rritet, për të përshpejtuar përmirësimin e shkallës së kualifikimit të personelit akademik që përfshihet në sistemin e shkencës. Ndërkohë, vetë institucionet duhet të ndryshojnë thellësisht politikën e rekrutimit të të rinjve, duke rritur kërkesat për meritat akademike, si dhe të intensifikojnë mbështetjen për të mundësuar kualifikimin e kërkuesve të rinj në kuadër të programeve internacionale, bi dhe multilaterale. Programi “Brain Gain”, që ka ndërmarrë qeveria në bashkëpunim me UNDP, ka mbështetur dhe duhet të mbështesë në vazhdim institucionet publike dhe private të sistemit të shkencës (jo vetëm universitetet dhe administratën publike), të rekrutojnë të rinj të shkolluar në shkollat e huaja ose të përfitojnë nga kontributi i shkencëtarëve shqiptarë që punojnë në qendrat akademike të huaja.
Arritja e një standardi botëror zakonisht përkthehet me pasjen e një imazhi perëndimor, që barazohet me dhënien e parësisë një buxheti të madh për kërkimin shkencor. Në kushtet aktuale, ky është një disavantazh për Shqipërinë për sa i përket alokimit të fondeve publike për shkencën, ama kjo është vetëm një mundësi e dhënë, por rrugët për ta shumëfishuar janë të hapura, mundësitë për kontakte shkencore, për të qenë pjesë e rrjeteve shkencore apo qendrave të ekselencës nëpër botë, mundësitë e projekteve të përbashkëta mes aktorëve të sistemit të shkencës dhe biznesit, sot më shumë se kurrë duhet të jenë në eficiencë të plotë.
Këtë na e kujtoi edhe vlerësimi i indikatorëve tek renditja e universiteteve.











