
KUKES – Ekipi i zjarrfikësve në tunelin e Kalimashit është në pikën kulmore të kryerjes së misionit të tij për të qenë në gatishmëri në rast emergjence. Veçanërisht ata që kanë të bëjnë me parandalimin dhe shuarjen e zjarreve. Në stacionin e ngritur bashkë me sallën e komandimit dhe stacionin e policisë, kanë mbërritur së fundi dhe dy mjete moderne për shuarjen e zjarreve, të cilat kanë gjithë aksesorët e duhur për dhënien e ndihmës së parë gjatë rënies së zjarreve, aksidenteve, përmbytjeve, shembjeve etj. Ato kanë kushtuar rreth 28 milionë lekë dhe përdoren kryesisht në dy galeritë nga 5.8 km e gjatë secila. Komandanti i zjarrfikësve, Fatmir Cengu, thotë për “Panoramën” se misioni i kësaj trupe është shpëtimi i jetës së njerëzve nga çdo lloj avarie në tunel, por kryesisht nga zjarri dhe aksidentet. Ata janë në gatishmëri, sidomos këto ditë piku të sezonit, kur vetëm dje nga Kosova në Shqipëri kanë hyrë 21 201 persona, ndërsa në drejtim të kundërt 15 828.
Çfarë mund të thuhet për sigurinë në tunel për të gjithë udhëtarët që hyjnë e dalin pa pushim këto ditë në të?
Duke e vlerësuar tunelin si një objekt të rëndësisë së veçantë, qeveria i ka kushtuar një rëndësi të madhe që në ngritjen e stacionit dhe strukturës. Këtu janë 50 zjarrfikës bashkë me komanduesit. Që në projektimin e tunelit u është kushtuar një rëndësi e madhe masave të mbrojtjes ndaj zjarrit, si dhe aksidenteve dhe incidenteve të tjera që mund të ndodhin në tunel. Në tunel ka 35 dhoma të emergjencave në çdo galeri, ku aty mund të kërkosh ndihmë me telefon, i cili është i lidhur direkt me sallën e monitorimit. Në tunel automatikisht bëhet njoftimi për rënien e zjarreve apo ngritjen e nxehtësisë në të, sidomos në panelet elektrike. Në dy galeritë janë të vendosur dhe 24 hidrantë që nxjerrin ujë me presion në çdo kohë. Në tunel nuk mbetesh asnjëherë pa ujë. Për raste të veçanta përdorim dhe fikëset e dorës dhe shkumën, e cila kushton shumë, por ne gjithsesi e kemi.
Si janë zgjidhur deri tani rastet e rënies së zjarreve në tunel apo të tjerave emergjenca në popullatë?
Ne kemi pasur disa raste të rënies së zjarreve në tunel. Një nga këta ka qenë i përmasave të mëdha, ku u dogjën bateritë, që janë burimi i tretë për të mos munguar energjia elektrike në tunel, pasi i pari është rrjeti elektrik dhe i dyti sistemi i motor-gjeneratorëve. Trupa jonë është gjendur në vatër menjëherë, duke eliminuar në kohë pasojat që mund të kishin kalimtarët. Rastet e tjera kanë qenë më të vogla, si p.sh. marrja flakë e motorëve të automjeteve, të cilat janë izoluar në kohë dhe pa pasoja.
Sa është i kualifikuar stafi për të përballuar këto situata?
Që në fillim qeveria ka sjellë trajnuesit më të mirë të BE-së, të cilët kanë trajnuar efektivin për 15 ditë. Më pas administrata turke për zhvillim dhe bashkëpunim me qendër në Tiranë, ka sjellë katër pedagogë që kanë zhvilluar dy javë stërvitje me efektivin dhe më vonë 6 veta janë dërguar në Turqi për trajnim. Këta zjarrfikës janë më të trajnuarit në gjithë sistemin e zjarrfikëse në vendin tonë.
Po pajisjet që ka në dispozicion ky personel, si janë?
Me financimin e qeverisë kanë mbërritur dy makina zjarrfikëse të reja, prodhim gjerman i vitit 2008. Të gjitha pajisjet për shpëtim janë të fjalës së fundit. Detyra jonë në stërvitjet e përditshme është që të dimë të përdorim sa më mirë dhe me efikasitet këto pajisje. j.h











