KUKES – Në pikën e kalimit kufitar të Morinit, më e madhja që lidh Shqipërinë me Kosovën, pritet të nënshkruhet një marrëveshje që lejon kalimin e kufirit përgjatë sezonit turistik të verës vetëm me një kalim. E thënë ndryshe, të gjithë udhëtarët që deklarohen në kufi si turistë, por dhe kalimtarë të thjeshtë dhe që vijnë nga Kosova për në Shqipëri, do të kontrollohen vetëm në Morinw e jo në Vërmicë. Kalimtarët që shkojnë nga Shqipëria në Kosovë do të kontrollohen vetëm në pikë-kalimin e Vërmicës. Sipas autoriteteve kufitare, kontrolli vetëm në një pikë bëhet për të reduktuar kohën e qëndrimit në pritje të kalimit të kufirit, pasi kjo sjell vonesa dhe radhë të gjata. Në fakt, këto ditë ka pasur radhë të kalimtarëve, pasi në anën e Morinit është punuar me kapacitet të reduktuar. Marrëveshja dhe plani i Policisë shqiptare të Kufirit është që lehtësirat të ndikojnë në frekuentimin e plazheve të bregdetit shqiptar. Edhe vitet e kaluara ka pasur marrëveshje të tilla, madje verës së kaluar policitë rrugore të dy vendeve kanë patrulluar bashkërisht akset rrugore që të çojnë drejt plazheve tona, por kjo gjë nuk ka të ngjarë të ndodhë sivjet. Ndërkohë, për të garantuar rend dhe siguri në akset rrugore, që mbrëmë kanë nisur shërbimet e përforcuara të policisë së Kukësit nga Morini deri në tunelin e Kalimashit me shërbim 24 orësh. Në ditë kalojnë kufirin nga Kosova për në Shqipëri, ndonëse nuk është piku i sezonit, afro 4 mijë persona. Gjatë verës së kaluar 1 milion pushues nga Kosova e bënë një gjë të tillë. j.h











