TIRANE- Shqipëria dhe Kosova kanë nënshkruar sot një memorandum bashkëpunimi, për organizimin e shërbimeve të përbashkëta të Policisë Rrugore në akset kryesore të vendit në kuadër të sezonit turistik veror.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi, i cili ishte për një vizitë në Tiranë, nënshkruan memorandumin, ndërsa vlerësuan se bashkëpunimi mes dy policive, “ka shënuar progres në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme, trajnimeve të përbashkëta me metodat më të mira bashkëkohore, në drejtim të luftës së krimit ndërkufitar.”
“Do tentojmë së bashku për ta thelluar edhe më tej bashkëpunimin. Aktualisht jemi në fazën përfundimtare të implementimit të marrëveshjeve të përbashkëta, për kryerjen e procedurave të përbashkëta të kontrollit të hyrje/daljeve nëpërmjet pikave të kalimit kufitar Morinë, Qafëprush, Qafë Morinë. Një gjë e tillë krijon mundësitë e përshpejtimit të procedurave dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve të dy vendeve.”,- tha Burgaj.
Ndërsa, tha se nënshkrimi I memorandumit të bashkëpunimit për patrullim të përbashkët, vjen për të përballuar me sukses fluksin e madh të qytetarëve të Kosovës në Shqipëri gjatë sezonit veror.
“Janë fusha të shumta për të cilat kemi nevojë për ndihmën e njëri-tjetrit, ekziston gatishmëria, ekziston vullneti dhe besoj se ne së bashku do të arrijmë të sigurojmë rend dhe qetësi për qytetarët.”- tha ai.
© Panorama.al











