Tashmë që sapo ka nisur sezoni turistik, kanë filluar dhe problemet me furnizimin e ujit të pijshëm në qytet dhe në zonën e plazhit të vjetër.Që prej mbrëmjes së të dielës, kjo zonë, një pjesë e lagjes “Kume” si dhe lagjes “Lirim” nuk kanë ujë. Pushuesit, të cilët sapo kanë filluar të frekuentojnë plazhin, ankohen për mungesën e ujit të pijshëm. Premtimi se pas përfundimit të investimit të tubacionit kryesor të ujësjellësit nga kompania holandeze jo vetëm që nuk do të kishte mungesë të ujit, por do të kishte furnizim me ujë të pijshëm 24 orë pa ndërprerje, duket se nuk u realizua. Probleme po shfaqen dhe nga tubacionet sekondare, të cilat janë tejet të amortizuara dhe shkaktojnë shpeshherë defekte. Me sa shihet, 24 milionë euro të shpenzuara për projektin e ujësjellësit jo vetëm janë vënë në dyshim, por rezultojnë të shkuara dëm. Gjithçka është faktuar nga vetë situata aktuale e furnizimit me ujë të pijshëm në qytet, ndërsa pohohet edhe nga Ndërmarrja e Ujësjellësit të Vlorës. Disa lagje në qytet janë pa ujë dhe shkak për këtë mbetet lënia e tubacioneve të vjetra në funksion, amortizimi i të cilave nuk është evituar as nga implementimi i projektit të ri. Drejtoresha e Ujësjellësit të Vlorës, Varvara Gjika, shprehet se “shkaku që disa lagje të qytetit janë pa ujë është amortizimi i tubacionit kryesor që po furnizon qytetin e Vlorës. Tubacioni kryesor në rrugën transballkanike që furnizon qytetin është tërësisht i amortizuar. Ujësjellësi i ri, që duhet ta kishte nxjerrë plotësisht jashtë pune këtë tubacion, nuk e ka bërë këtë, por e ka lënë ashtu siç ka qenë dhe në këtë mënyrë është shkaktuar bllokimi dhe çarja e tubacionit të vjetër dhe i riu aty ku ata bashkohen. Ndërmarrja ka planifikuar që me fondin e vet prej rreth 8 milionë lekësh të nxirret jashtë pune një pjesë të këtij tubacioni. Dhe kjo është arsyeja kryesore që lagjja fundore e qytetit të Vlorës nuk ka furnizim normal, pasi humbet presioni”. Projekti i rehabilitimit të ujësjellësit të Vlorës rezultoi me një vlerë financiare prej 24 milionë eurosh, nga e cila gjysma është kredi e butë, dhënë nga qeveria holandeze qeverisë shqiptare dhe pjesa tjetër është grant i dhënë po nga Holanda. Nga firma zbatuese e projektit të ujësjellësit, sipas drejtuesve të mëparshëm të Ujësjellësit, ishte premtuar se ujësjellësi i ri do të furnizonte rreth 80% të qytetit të Vlorës, nga Jonufra deri në Pusin e Mezinit. Por, një gjë e tillë deri tani nuk ka ndodhur. Kjo kërkon një fazë të dytë për zbatimin e së cilës ende nuk ka informacione. Riparimi do të dojë një kohë prej dy ditësh, gjë që do të rezultojë se kjo lagje dhe zona e plazhit do të qëndrojnë pa u furnizuar me ujë të pijshëm dhe pushuesit do të marrin bidonë me ujë të pijshëm me vete.
Bllokimi
Në muajin maj, qyteti i Vlorës mbeti pa ujë për shkak se “ÇEZ Shpërndarja” ndërpreu furnizimin me energji të stacionit të pompave pranë Ujit të Ftohtë. Kjo masë erdhi si pasojë e debiteve të mbledhura në Ndërmarrjen e Ujësjellësit kundrejt kompanisë së shpërndarjes së energjisë. Por, pas reagimit, u la një afat i dytë për pagesën e borxhit, ndërsa ditët e fundit ndërprerja e ujit po vjen për pasojë të defekteve në rrjet.
VLORE/ QEMAL BIRAKU
© Panorama.al











