Sezoni në Durrës, plazhet private pushtojnë bregdetin

Jul 4, 2012 | 14:22
Plazh publik në Durrës i zënë nga privatët

Në një kohë kur hapësirat publike zvogëlohen dita-ditës në plazhin e Durrësit për shkak të plazheve private, këta të fundit nuk paguajnë detyrimet në Bashki. Vetëm 1 në 4 plazhe private ka paguar detyrimin prej 360 mijë lekësh, shifër kjo e miratuar në Këshillin Bashkiak. Për ushtrimin e këtij aktiviteti, burime nga Bashkia e Durrësit bëjnë të ditur se më pak se 25% e plazheve private kanë paguar shifrën e sipërpërmendur. Nga “Ura e Dajlanit” deri në Plepa janë 176 plazhe gjithsej. Prej tyre 172 plazhe janë private, ndërsa publike 4 të tjerët. Me gjithë numrin e lartë, vetëm 44 prej tyre i kanë shlyer detyrimet. Ndërsa sa u përket parcelave publike ato nuk mund të quhen të tilla, pasi edhe ato janë “zaptuar” nga privati, i cili i detyron pushuesit të paguajnë për të vendosur çadrën, pavarësisht se këto janë hapësira publike. Mirëpo as kjo hapësirë e vogël e lënë për plazhet publike nuk po vihet në funksion për pushuesit, por vijon të lakmohet nga privatët. “Edhe pse je në një plazh publik, duhet të paguash për të përdorur rërën e cila është e “zaptuar” në të gjithë sipërfaqen e saj. Kemi ardhur që në pikë të mëngjesit dhe prapë paguam 300 lekë për të ngulur çadrën këtu”, shprehet një i moshuar nga Kosova, i cili prej disa ditësh pushon në bregdetin e Durrësit së bashku me familjen e tij. Pikërisht për këtë çështje disa ditë më parë Zyra e Mbrojtjes së Konsumatorit akuzoi Policinë Bashkiake për “shpërdorim të detyrës”. Sipas kreut të saj, Altin Goxhaj, Policia Bashkiake ka bashkëpunuar me persona të caktuar për të uzurpuar edhe ato 4 plazhe të vogla publike të lëna me vendim Bashkie në Plazhin e Durrësit, duke “privatizuar” kështu një ndër pak plazhet publike në vijën bregdetare të Durrësit. Këtë fakt e ka denoncuar publikisht Goxhaj, i cili ka theksuar se ky akt është në kundërshtim të hapur me ligjin dhe se Policia Bashkiake mbledh përfitimet nën dorë për të gjithë zonën që është parashikuar si plazh publik, por faktikisht është nën administrimin e privatëve. Ndërsa është pyetur në lidhje me këto dy probleme, kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, është shprehur se duke filluar që nga kjo javë gjithçka do t’i rikthehet normalitetit. Teksa ka pranuar se as gjysma e plazheve private nuk kanë mbyllur detyrimet në Bashki, Dako shprehet se nuk do të lejojë që të vazhdojë kjo situatë. “Duke nisur që nga kjo javë, Policia Bashkiake së bashku me inspektorë të Tatimeve do të jenë në terren, ku do të verifikojnë çdo subjekt. Në të gjitha rastet që do të konstatohen shkelje, do të pezullohet aktiviteti”, deklaroi kryebashkiaku.

Braçe: Bashkitë e PS të çlirojnë plazhet publike
Nënkryetari i Grupit Parlamentar socialist, Erjon Braçe, kërkoi dje në mbledhjen e javës që PS të tregojë se di të qeverisë më mirë dhe se përfaqëson më mirë interesat e qytetarëve. Braçe kërkoi që drejtuesit socialistë të bashkive dhe komunave në zonat bregdetare të çlirojnë plazhet publike nga zaptimi që privatët i kanë bërë bregdetit. “PS t’u kërkojë drejtuesve vendorë, atje ku qeverisin përfaqësuesit e PS, një angazhim të menjëhershëm për krijimin e plazheve publike për qytetarët nga Velipoja në Sarandë; Veçanërisht për të rinjtë e të moshuarit që nuk kanë ç’të paguajnë për të pushuar çdo ditë! Hapësira është publike, jo private, ndaj plazhi publik duhet të jetë thelbësor”, mësohet të jetë shprehur Braçe në mbledhjen e radhës së Grupit Parlamentar socialist që zhvillohet çdo të martë. Sipas nënkryetarit të Grupit Parlamentar, ankesat dhe shqetësimet që vijnë nga qytetarët në nisje të sezonit veror, lidhur me mungesën e plazheve publike dhe dhënien e tyre me qira privatëve, krijojnë kosto për Partinë Socialiste. Sipas tij, kjo mënyrë qeverisjeje në pushtetin vendor nuk jep shpresë te qytetarët dhe zgjedhësit se ato që ne shkruajmë në programe dhe mundohemi t’i detajojmë në tryeza, do të zbatohen ashtu siç shkruhen kur ne të vijmë në pushtet.

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

© Panorama.al

Te lidhura