
Rreth 500 mijë persona kanë hyrë dhe dalë përmes kufirit të Vermicës që nga një qershori e deri sot. Këto janë të dhënat zyrtare të autoriteteve kufitare cituar nga Radio Kosova. Të dhënat tregojnë se krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, 10 për qind është shtuar numri i turistëve. Autoritetet policore thonë se brenda 24 orëve në këtë pikë kalojnë mbi 20 mijë udhëtarë.
Sipas burimeve nga policia kufitare në Vermicë, që nga fillimi i sezonit turistik me 1 qershor e deri sot, kanë kaluar rreth 500 mijë udhëtarë.
“Policia e Kosovës dhe Shqipërisë tashmë kanë një qasje të rregullt të databazave në të dyja pikat, ndërsa pavarësisht numrit të madh të lëvizjeve gjatë sezonit turistik, kontrolli i udhëtarëve bëhet hyrje-hyrje”, ka thënë zëvendëskomandanti i Policisë kufitare të Vermicës, Shaban Osmanollaj.
Sipas agjencive turistike në qytetin e Prizrenit, që nga fillim i sezonit para një muaji, kërkesat e pushuesve sa vijnë e shtohen.
Ndërkaq, autoritetet policore kufitare në Vermicë thonë se janë të gatshme të presin e përcjellin të gjithë turistët, pavarësisht fluksit, pasi për periudhën e sezonit turistik është rritur edhe numri i personelit në pikën e kalimit kufitar.
© Panorama.al











