Sesilia Plasari, regjisorja që i duhet teatrit shqiptar

May 8, 2013 | 12:37
Sesilia Plasari dhe aktori Jean Paul Belmondo

Mbi komedinë romantike “Kasollja e vogël”

Nga vajza-imazh e Vitit të Ri në prehër të Enver Hoxhës, deri në sup të Belmondos.

Në kohën kur njerëzia po bëhet gati të “emigrojë” në plazhet e 2013-s, një “Ishull ekzotik” u shfaq në qendër të Tiranës, brenda sallës së Teatrit Kombëtar të Komedisë. Pata fatin të isha një nga vizitorët e parë, duke shijuar komedinë romantike “Kasollja e vogël” nga Andre Roussin, me përkthim dhe regji të Sesilia Plasarit. Sapo del nga shfaqja, është e pamundur t’i arratisesh ngjarjes, një dëshirë e fshehtë të nxit për ta riparë sërish. Pse?
“Kasollja e vogël” është një kryevepër e komedisë franceze, e luajtur vetëm në Francë 1500 herë, për të fundit herë në 2011-n, dhe e xhiruar si film në Hollivud. Autori Andre Roussin është një ndër 40 akademikët e Francës, që mbeti anëtar për aq kohë sa ishte gjallë, dhe kur u anëtarësua, u përmendën dy fakte: “Andre, shkruan për tema të përjetshme, dhe ‘Kasollja e vogël’ është kryevepra e tij”.
Sesilia Plasari na e rrëfen këtë vepër universale, qysh në  sekondat e para, kur dritat fiken nga një zë i thellë, që të kujton Zotin, duke të ndriçuar para syve një ishull plot qiell, rërë, dhe një siluetë nudo, stërnip i Adamit biblik, sikur të thotë “Këtu jeni në kopshtin e Edenit, me ndodhira lakuriqe”.
Në këtë ishull kanë shpëtuar nga mbytja e anijes burri–Filip, gruaja-Suzanë dhe miku më i ngushtë-Marti. Të marrësh vesh se gruaja qenka e dashura e mikut prej 6 vjetësh, është vetëm fillimi. Bashkëjetesa treshe ka surpriza të panumërta. Por, regjisorja Sesilia Plasari me elegancë na pëshpërit se femra nuk është pronë, por krijesë e Zotit për t’u dashuruar.

Sesilia Plasari dhe Enver Hoxha me rastin e Vitit të Ri 1978

Dhe burri i tradhtuar kërkon të rifitojë gruan, duke e dashuruar. Dhe ky ishull nuk ka paqe, duke pritur ditën që të shfaqet një anije. Pata privilegjin që regjisorja Plasari të më drejtonte gishtin si ndër kandidatët e saj. Rrallë kam parë regjisorë si ajo që njeh çdo dihatje të personazhit, apo çdo prapamendim të aktorit. Është bonus që ajo të dhuron tri variante për çdo fjali të çdo personazhi.
Skenografia e Genc Shkodranit është si një “portë ajri”, ku të fton të turresh në ishull, të luash, ta pushtosh dhe në mbrëmje, vë re se mendja është burgosur në ato palma dhe kasolle të teatrit: “Çdo të bëja në këtë ishull?”. Muzika është një bordurë,  e cila orienton stilin e veprës. Tingujt e zgjedhur mbështjellin këta njerëz reale, si një eko e së përjetshmes njerëzore. Detaji i hënës në duart e burrave që luajnë si me top, duket sikur është një lojë që Zoti ua dhuroi për t’u argëtuar nga lart me keqkuptimet njerëzore.
Stafi i aktorëve ka një harmoni interpretimi, ku të gjithë janë protagonistë. Ina Gjonci-Suzanë, me inteligjencën e saj fizike dhe shpirtërore, lë gjurmë mbi rërën e skenës, e gatshme për të qenë e dashura e çdo burri spektator.
Genc Fuga-Burri i tradhtuar, me zhdërvjelltësi aktoreske mbart suksesshëm mbi vete dinjitetin e burrit, optimizmin naiv dhe gatishmërinë sportive për të kapërcyer çdo situatë me “Logjikë të fortë”.
Lulzim Zeqja-shoku tra-dhtar, me një nur skenik të dallueshëm, “ndez zjarre” dhe debate në ishull, duke na sjellë me finesën e tij edhe siluetën e mashkullit ballkanas.
Florian Agalliut-mysafir i ishullit, i janë dhënë në dorëzim nga autori vetëm ulërimat epshore, apo bukuria e lakuriqësisë fizike. Një aktor simpatik që edhe kur ulërin projekton mendime të qarta.
Është e rrallë të shijosh një koktej të humorit, melan-kolisë, filozofisë, si një lojë. Në fund të shfaqjes ndjehesh se edhe ti spektator i dashur, ke bërë një piknik artistik, madje ke kapërcyer statusin audiencë, duke u shndërruar në spekt-aktor. Një strategji e qartë që duket se buron nga përzgjedhja e drejtorit të Teatrit të Komedisë, z. Kastriot Çipi.
Gjithë kjo kënaqësi estetike, pa dyshim buron nga energjia emocionale, kultura e thellë e Sesilia Plasarit, e cila jo rastësisht është emër i dinastisë Plasari, atit Skënder që na ka dhuruar kinokomedinë kampione “Kape-dani” apo ungjit Aurel, si një nga eksploratorët dhe gjuetarët e kulturës botërore.
Mjafton të përmendësh rrugëtimin e Sesilia Plasarit, vajzës tiranase, e cila emigroi kaq gjatë në pyllin e dendur të artit francez, duke arritur krejtësisht e vetme, me sfida të heshtura emigrantësh, një vajzë, e cila instaloi brenda trupit dhe psikikës së saj 20 vjet kulturë, rezultate të shkëlqyera në Sorbonë të Francës, asistente, trajnere aktrimi, aktore për kaq vjet pranë yjeve francezë, duke filluar nga Shqipëria si vajza- imazh e “Vitit të Ri” në prehër të Enver Hoxhës dhe deri në sup te i shumënjohuri Jean Paul Belmondo. Sesilia është ai lloj regjisoresh-femra që nuk e ndesh lehtësisht sot. Nëse vuajtjet e artistëve kanë një limit, ku shfryhen “Mjaft më!”, Sesilia duket se kërkon “Çfarë ka përtej mjaftit?!”. Dhe çudia, një artiste kaq e kompletuar, me kaq valixhe kulture mbi shpatulla, me çfarë vetëpërmbajtjeje ajo ecën nëpër Tiranë me hapat e një kalimtari anonim. Duke e njohur si nga të paktat vajza bukuroshe-inteligjente të kohës sime, si artistja që kulturën profesionale e mbështjell me buzëqeshje të ndrojtur melankolike, do të doja që në këtë shkrim t’i thosha oborrit të teatrit shqiptar: “Miq, pranë jush, është parkuar si një jaht për fundjavë, Sesilia Plasari, e gatshme për udhëtim. Uikendin e saj në bregun tonë, kthejani në stinë. Ajo fsheh brenda vetes më shumë se sa është në dijeni.
E dini pse e di?
Sepse karriera më ka mësuar se Shqipëria e sotme është mal me vepra të parealizuara, sesa të realizuara. Ashtu siç të gjithë jemi dakord se rreth nesh ka më shumë të mençur, sesa media fabrikon.

LEONARD BOMBAJ

© Panorama.al

Te lidhura