Serveri i 21 janarit, dy vjet burg ish-shefit të IT

Jul 13, 2012 | 13:19
Armando Kasaj, ish specialisti i IT në Kryeministri

Prokuroria e Tiranës kërkoi dje dënimin me dy vjet burg të Armando Kasajt, të akuzuarit për fshirjen e pamjeve filmike të demonstratës së 21 janarit 2011 nga serveri i kamerave të Kryeministrisë. Sipas Prokurorisë, i pandehuri Kasaj, ish-specialist i rrjetit kompjuterit në Kryeministri, duhet të deklarohet i fajshëm për akuzën e “veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, prokurori Ndini Tavani i kërkoi gjykatës që dënimit me 2 vjet t’i ulet një e treta. Pretenca e lexuar para gjyqtarit Gerd Hoxha është qëndrimi i parë i Prokurorisë së Tiranës në lidhje me ngjarjen e 21 janarit.
ARGUMENTET
Në një material prej 7 faqesh në total, përfaqësuesi i akuzës paraqiti para gjykatës argumentet, në bazë të cilave kërkoi fajësinë e Kasajt. Sipas Prokurorisë, pamjet filmike të demonstratës së dhunshme janë kopjuar e më pas fshirë. Konkluzionet e Akuzës u referoheshin edhe ekspertimeve të bëra nga autoritetet amerikane të Drejtësisë. “Në një analizë të të dhënave duket qartë se në këtë pajisje është ndërhyrë menjëherë pas ngjarjeve të datës 21.01.2011 (në orën 19:24), duke kopjuar të gjitha regjistrimet e kamerave të sigurisë. Këto regjistrime nuk i janë vënë në dispozicion organit të Prokurorisë, përkundrazi, është informuar ky organ se nuk kishte regjistrime, pasi sistemi i kamerave nuk punonte që prej fundit të vitit 2009. Regjistrimet rezulton të jenë kopjuar dhe më pas fshirë duke mbajtur të fshehtë përmbajtjen e tyre dhe aktualisht ende nuk janë vënë në dispozicion të hetimit. Sipas aktit të ekspertimit të kryer nga autoritetet amerikane të Drejtësisë rezulton se kanë qenë më datë 21.01.2011 në gjendje pune gjithsej 11 kamera, përkatësisht kamerat numër 1, 3, 5, 7, 13, 14, 2, 6, 9, 10 dhe 11. Këto kamera, sipas aktit të ekspertimit, kanë qenë të vendosura për të kryer regjistrime në cilësinë më të lartë, dhe kjo provon se këto kamera kanë filmuar dhe pamjet e tyre janë regjistruar nga DVR, e cila ka rezultuar, sipas aktit të ekspertimit, në gjendje pune. Pas kopjimit të të dhënave, pajisjes i është bërë formatim në orën 00:51:52 të datës 22.01.2011, duke fshirë në këtë mënyrë të gjitha regjistrimet që ndodheshin në pajisje”, thuhej në pretencë. Sipas Prokurorisë, rezulton e provuar se në pamjet filmike të një kamere që ndodhet në portën e hyrjes së Këshillit të Ministrave, në krahun e Piramidës, që “ka pasur si fushëpamje të paktën një prej vrasjeve të ndodhura në datën 21.01.2011”. Në pretencë citoheshin edhe deklarimet e dhëna gjatë hetimeve nga ana e Armando Kasajt, ku ai pranon të ketë kopjuar pamjet e një prej kamerave. “Ky i pandehur pranon se ka bërë kopjen vetëm të një kamere, pikërisht të kamerës nr. 1, që ndodhej në tarracën e godinës së Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë. Por, në të vërtetë, i pandehuri ka kopjuar dhe filmimet e kamerës nr. 2 dhe që nga data e ndodhjes së ngjarjes, 21.01.2011, deri më datë 04.03.2011, i pandehuri ka fshehur filmimet e kamerës nr. 2, kopjimin e së cilës e ka bërë po vetë”, thuhej në pretencë.

“I fshiu Kasaj”
Nga hetimet e zhvilluara ka rezultuar se i pandehuri Armando Kasaj ka qëndruar në ambientet e Këshillit të Ministrave deri pas orës 23:30 dhe ka qenë personi i vetëm që ka pasur dijeni për funksionimin e sistemit të survejimit të Këshillit të Ministrave. Ka qenë pikërisht Armando Kasaj që në orën 00:51:52 ka bërë formatimin e sistemit duke fshirë gjithë pamjet filmike të të gjitha kamerave që kanë qenë funksionale më datë 21.01.2011.

ARMAND BAJRAMI

© Panorama.al

Te lidhura