Serveri, eksperti i Kryeministrisë çon arrestin në Apel

Feb 2, 2012 | 12:35
Armando Kasaj në Gjykatën e Tiranës

TIRANE – Armando Kasaj, ish-specialisti i IT-së në Kryeministri, i akuzuar për fshirjen e pamjeve të demonstratës së 21 janarit 2011, ankimoi dje këtë vendim në Gjykatën e Apelit. Nëpërmjet mbrojtësit të tij ligjor, Ilir Murati, i dyshuari Kasaj ka depozituar në Gjykatë apelimin e vendimit që e “kyçi” në shtëpi. U mësua se Kasaj kërkon lirimin e tij nga masa shtrënguese. Burime pranë Gjykatës sqaruan se në themel të ankimit të Kasajt qëndron pretendimi se ai nuk ka qenë prezent në ambientet e Kryeministrisë, në kohën që Prokuroria dyshon të jetë fshirë serveri. I njëjti pretendim u pohua nga avokati mbrojtës i Kasajt, edhe në seancën e njohjes me masën e sigurisë “arrest shtëpie” në Gjykatën e Tiranës, më 25 janar. Në atë seancë, avokati u shpreh se klienti i tij kishte kopjuar vetëm pamjet e një kamere regjistruese. “Ai thotë se ka bërë kopjimin e një kamere dhe është larguar në orën 23:30 të darkës. Kasaj nuk ka bërë ndërhyrje dhe nuk ka bërë fshirje”, u shpreh avokati në atë seancë. Po sipas mbrojtësit Murati, organi i akuzës nuk mund të provonte dyshimet se Kasaj ishte autori i fshirjes së pamjeve të kamerave të Kryeministrisë, të regjistruara gjatë zhvillimit të demonstratës. Para Gjy-katës, avokati u shpreh se Armando Kasaj nuk kishte qenë në institucion kur janë fshirë pamjet. “Nuk mund të akuzohet për fshirjen. Prokuroria e provon fshirjen, por jo se kush e ka bërë atë. Nuk ekziston dyshimi i arsyeshëm për të provuar se i ka fshirë ai. Fshirjet janë bërë në mëngjes, kur Kasaj nuk ka qenë në institucion”, pretendoi avokati. Nga ana tjetër, pak ditë më parë, Prokuroria e Tiranës apeloi të tria masat e sigurisë “arrest shtëpie” për tre të dyshuarit për llogari të hetimeve për 21 janarin, ish-kreun e Gardës, Ndrea Prendi, shoferin e tij, Margarit Kume dhe specialistin e IT-së, Armando Kasaj. Ashtu si edhe në Shkallën e Parë, Prokuroria pretendon se masa e përshtatshme e sigurisë për tre të dyshuarit është ajo e “arrestit me burg”. Sipas Prokurorisë, Gjykata ka anashkaluar rrezikshmërinë tepër të madhe që paraqesin veprimet e kryera nga personi nën hetim.                     ar.ba

© Panorama.al

Te lidhura