Sërish kufij në “Shengen”, ndryshohet traktati i BE

Jun 8, 2012 | 13:14

Vendimet e Luksemburgut do të zbatohen vetëm në raste emergjente.

Brenda zonës “Shengen” do të vendoset sërish kontrolli i kufijve në rast eme-rgjencash të cilat mund të kërcënojnë sigurinë e shteteve. Vendimi u mor dje në Luksemburg në takimin e ministrave të Brendshëm të bllokut. Ky ishte një ndryshim thelbësor në traktatin e rëndësishëm europian, i cili për herë të parë do ta përkufizonte fluksin e emigrantëve si një emergjencë dhe kërcënim sigurie. Drafti i miratuar nga ministrat në mënyrë unanime i jep lejen një shteti brenda zonës “Shengen” që të rivendosë kontrollin e kufijve për gjashtë muaj, me të drejtën për ta zgjeruar këtë proces edhe për gjashtë muaj të tjerë, “kur kontrolli i një kufiri tjetër nuk është i sigurt për shkak të rrethanave përjashtuese”. Ministrat e Brendshëm ranë gjithashtu dakord se vetë vendet anëtare duhet t’i marrin këto vendime. Komisioni Europian ka propozuar se shtetet duhet të kenë mundësi të mbyllin kufijtë për pesë ditë në rast fluksi të madh të emigrantëve, por për periudha të gjata duhet të kërkojnë leje nga Brukseli. Masat e miratuara nga ministrat e Brendshëm kanë ndezur debate të ashpra në Parlamentin Europian dhe nga autoritetet në Bruksel. Franca dhe Gjermania, të cilat ishin vendet që argumentuan më fort për ndryshimin, thanë se masat do të praktikoheshin vetëm në raste ekstreme. Ministri i ri i Brendshëm francez, Manuel Valls, i cili mori pjesë për herë të parë në këto diskutime, tha se e mbështeti këtë marrëveshje sepse ajo lejonte “adresimin e rritjes së rasteve të situatave serioze”, si largimi i shumë njerëzve nga Siria, në rast të krizës më të keqe në këtë vend. Aktualisht, traktati i nënshkruar nga 26 vende lejon rivendosjen e kontrollit të kufijve në rast të kërcënimeve terroriste apo rasteve të rritjes së masave të sigurisë, për shembull në evenimente të mëdha sportive, si Polonia,e cila po rivendos kontrollin për turneun “Euro 2012’. Komisionerja e Çështjeve të Brendshme në BE, Sesilia Malmstrom, u shpreh e dëshpëruar nga mungesa e ambicies europiane të ministrave të Brendshëm të BE-së gjatë marrjes së këtij vendimi.

Raundi 3
Sipas analistëve të  “Reuters”, në Greqi mund të mbahet një raund i tretë zgjedhjesh pas atij të 17 qershorit, nëse SYRIZA e Aleksis Tsipras i kalon votat e Demokracisë së Re dhe PASOK të marra së bashku. “Grekët mund të jenë të gatshëm të dalin në rrugë për të protestuar kundër masave shtrënguese të vendosura nga BE-ja dhe FMN-ja, por në të njëjtën kohë dëshirojnë të mbeten në zonën e euros, gjë të cilën Alexis Cipras duket se premton ta ofrojë”, thuhet në analizë.

© Panorama.al

Te lidhura