Serbia heq dorë nga “lufta” për fusnotën e Kosovës

Sep 4, 2012 | 12:11
Ivica Daçiç

Qeveria e Serbisë, të hënën ka miratuar një udhëzim se si duhet të sillen përfaqësuesit e autoriteteve shtetërore serbe karshi atyre të Kosovës në mbledhjet e bashkëpunimeve rajonale. Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, ka thënë se qeveria e re e Serbisë “nuk do të luajë rolin e heroit” rreth aplikimit të fusnotës për Kosovën. “Çështja kryesore është nëse Kosova do të njihet ndërkombëtarisht, nëse serbët do të mbesin në Kosovë dhe nëse do të pranojnë legjitimitetin e institucioneve të Kosovës. Çdo gjë tjetër është e parëndësishme. Ne nuk kemi më kapacitet që të bëjmë luftë të kotë”, tha Daçiç. Ai shtoi se asgjë e re nuk ka ndodhur në lidhje me fusnotën dhe se do të zbatohet marrëveshja e arritur në Bruksel. “Për Serbinë është me rëndësi që Kosova të përfaqësohet ndryshe nga Serbia dhe shtetet e tjera të njohura ndërkombëtarisht, ndërsa nëse fusnota do të jetë në tavolinë apo në dokumente, është pak e rëndësishme”, tha ai. Tashmë serbët nuk do të braktisin më takimet rajonale, ku do të jenë të pranishëm edhe zyrtarët kosovarë, nëse marrëveshja nuk do të jetë e shkruar në fusnotë. Anëtari i Kryesisë së Partisë DSS të Vojisllav Koshtunicës, Marko Jakshiç, tha se heqja dorë e qeverisë serbe nga insistimi në fusnotë për prezantimin e Kosovës “është lëshim shumë i madh dhe i panevojshëm” i palës serbe. “Nëse sipas mëngjesit shihet dita, serbët në Kosovë i pret thënia popullore ‘Ditë e zezë, o fat i zi’. Frikësohem se ky është vetëm fillimi i kompromiseve të dhimbshme që i paralajmëronte zv.kryeministri Aleksandar Vuçiq”, i tha Jakshiqi agjencisë “Beta”. Sipas tij, qeveria serbe me këtë akt të lëshimit pe ka shkuar përtej marrëveshjes që në Bruksel e ka arritur negociatori i Beogradit, Borisllav Stefanoviç.

© Panorama.al

Te lidhura