
Thaçi: S’ishte zgjidhja ideale, por e vetmja për momentin ku po kalojmë.
Palët në bisedime dhe Bashkimi Europian kanë konfirmuar arritjen e marrëveshjeve të rëndësishme në takimin e fundit treditor mes Prishtinës dhe Beogradit, ku të gjithë kanë dalë të fituar. Politikanët drejtues në Kosovë thonë se më këtë marrëveshje Serbia e njohu Kosovën. Tashmë vendi do të nënshkruajë në emër të vet dhe jo më nën hijen e UNMIK-ut, edhe pse fusnota nuk e gjykon statusin. Ndërsa zyrtarët serbë mbetën të kënaqur me përmendjen e Rezolutës 1244 në shpjegimin e fusnotës. Marrëveshjet e arritura ishin për bashkëpunimin e përfaqësimin rajonal dhe protokollin teknik të pikëkalimeve. Sipas BE-së, të dyja palët kanë konfirmuar përkushtimin për një bashkëpunim rajonal reprezentativ dhe inkluziv si vlerë fondamentale e BE-së. “Marrëveshja do të lejojë Kosovën që të marrë pjesë dhe të nënshkruajë marrëveshje të reja në llogari të saj dhe të flas për vetveten në të gjitha takimet rajonale”, thuhet nga BE.
Pala e Kosovës
Pala kosovare e ka cilësuar arritjen e marrëveshjes si barazi shtetërore. “Nga sot, Kosova do të përfaqësohet njësoj si të gjitha shtetet e rajonit dhe do të mund të nënshkruajë vetë marrëveshje”, tha kryetarja e delegacionit kosovar, Edita Tahiri, para gazetarëve në Bruksel. “Ajo fusnotë është si fjollë bore, do të shkrihet me kalimin e dimrit”, shtoi ajo. Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se të gjitha institucionet, partitë dhe subjektet politike dhe të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës duhet “t’i japin mbështetje konkrete kësaj marrëveshjeje, procesit të dialogut dhe rrugës së Republikës së Kosovës, shtet sovran dhe i pavarur, në proceset e integrimeve euroatlantike”. Ndërsa Kryeministri Thaçi pohoi se “kjo nuk ishte zgjidhja ideale, por e vetmja për momentin ku po kalon Kosova”. Ai shtoi se kjo marrëveshje nuk e zbeh shtetësinë.
Pala serbe
Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, tha se marrëveshjet konfirmuan politikën: “Edhe Europa, edhe Kosova”. Sipas tij, Serbia do të vazhdojë të jetë konstruktive dhe e hapur për dialog me Kosovën, “gjithmonë në përputhje me Kushtetutën e Serbisë dhe interesat e qytetarëve të saj”.
Marrëveshjet
“Kosovo” do të jetë emërtimi i vetëm që do të përdoret dhe në fusnotën që do të përdoret në asterisk do të shkruhet: Ky identifikim është pa paragjykime ndaj pozicioneve rreth statusit dhe është në pajtim me rezolutën 1244 të KSKB dhe opinionin e GJND-së për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e BE-së. Palët kanë rënë dakord edhe për protokollin teknik për implementimin e marrëveshjes së pikëkalimeve, të arritur më 2 dhjetor 2011. “Kjo do t’i mundësojë palëve që të fillojnë të punojnë në çështjet praktike si buxheti, dizajni dhe lokacioni i ndërtesave”, sqaron BE-ja. Palët janë pajtuar që të punojnë sidomos rreth Regjistrit Civil javën e ardhshme, në mënyrë që të përshpejtojnë implementimin në këtë fushë.
Vetëvendosja në protestë
Lëvizja “Vetëvendosje” ka shprehur pakënaqësinë ndaj marrëveshjes së arritur në Bruksel, duke thirrur të hënën, më 27 shkurt, një protestë kundër saj, që do të zgjatë 4 orë. Sipas Albin Kurtit, protesta e së hënës nuk do të jetë e fundit dhe ajo do të vazhdojnë deri në kthimin e njohjes me “Republikë”. Kurti, marrëveshjen e arritur në Bruksel e ka quajtur si qëndrim personal të Kryeministrit.
Reagim i LDK-së
Lidhja Demokratike e Kosovës vlerësoi se Republika e Kosovës duhet të përfaqësohet në të gjitha nismat rajonale me emrin e vet kushtetues. Duke ritheksuar përkushtimin e përhershëm për BE-në, integrimin dhe SHBA-të, LDK-ja vlerëson se aspirata historike e popullit të Kosovës për integrime mund të arrihet vetëm duke i forcuar institucionet e pavarura të vendit, brenda dhe në raportet ndërkombëtare.
Berisha
Kryeministri Sali Berisha e ka vlerësuar marrëveshjen e arritur në Bruksel si një akt të një rëndësie të veçantë. Sipas Kryeministrit, vërtet marrëveshja parashikon përdorimin e një fusnote si një kompromis ndërmjet palëve, por pranimi i saj nga pala serbe është pranimi de facto dhe de juro i Kosovës si shtet dhe vend i pavarur. “E vërteta e pakundërshtueshme është se pas 17 shkurtit të vitit 2008… dhe pas vendimit të Gjykatës së Hagës, Rezoluta 1244 e OKB-së është thjesht … një letër e vdekur…”, thuhet në deklaratë.
Topi
Presidenti Bamir Topi vlerësoi se marrëveshjet në dialogun e fundit Kosovë-Serbi, të arritura me një vullnet politik të përbashkët dhe me mbështetjen e fuqishme të SHBA-ve e BE-së, nuk i cenojnë parimet e pavarësisë së Kosovës dhe as integritetin territorial dhe sovranitetin e vendit. Presidenti theksoi se marrëveshjet i kontribuojnë paqes dhe stabilitetit në rajon dhe janë një hap konkret drejt rrugës së përbashkët në integrimin europian, me pjesëmarrje me të drejta të plota të Kosovës në të gjitha veprimtaritë rajonale.
© Panorama.alBraçe kundër Ramës për marrëveshjen Kosovë-Serbi
Kryetari i opozitës, Edi Rama, vlerësoi mbrëmë marrëveshjen e arritur me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në lidhje me bashkëpunimin rajonal dhe zbatimin e detyrimeve që burojnë nga menaxhimi i integruar i kufijve në pikat e kalimit kufitar. Për kryesocialistin Rama, “përdorimi i fusnotës duhet lexuar si një hap që i krijon dy shteteve përparimin në rrugën e tyre të përbashkët europiane si dy shtete të pavarura dhe sovrane, dhe në asnjë rrethanë nuk vë në pikëpyetje vullnetin sovran të popullit të Kosovës, shpallur më 17 Shkurt 2008”. Por, deputeti socialist Erjon Braçe akuzon politikanët që e kanë përshëndetur këtë marrëveshje, duke u fokusuar te Sali Berisha dhe Hashim Thaçi. “Ju pata thënë, këta të gjithë e urrejnë Republikën! Ai në Kosovë thjesht se aq di! Ky në Shqipëri, sepse e urren! Ai në Kosovë s’kishte det dhe pranoi ‘fusnote-n’, ky në Shqipëri që ka det, e shiti njëherë, por edhe po lëshon sektorë strategjikë, duke paguar me çdo çmim varësinë prej Serbisë!” shprehet Braçe në profilin e tij në Facebook.












