
Ish presidenti i Serbisë, Boris Tadiç i ka thënë të përjavshmes kroate, “Globus” se Serbia në një kuptim e ka pranuar realitetin se Kosova është e pavarur dhe se edhe gjatë negociatave nuk e kishte ndërmend që ta bënte jo të pavarur Kosovën, por donte të përcaktonte kuadrin ligjor të asaj pavarësie.
Sipas tij, Serbia nuk ka më asnjë institucion apo instrument me të cilët do menaxhonte çfarëdo procesi në Kosovë.
Udhëheqësi i Partisë Demokratike, deri para dy muajsh, president i Serbisë, Boris Tadiç në intervistën për “Globus” thotë se po të ishte në vendin e Tomislav Nikoliç do të shkonte në Vukovar dhe Srebrenicë, dhe do ta zhdukte nga fjalori idenë e “Serbisë së Madhe”.
“Unë pres që Nikoliç të marrë parasysh interesat e popullit serb, që do të thotë se idetë e Serbisë së Madhe duhet të zhduken nga mendja dhe fjalori i tij”, tha Tadiç.
© Panorama.al











