‘Serbia duhet të përballet me realitetin në Kosovë’

Jul 9, 2012 | 17:32
Gordon dhe Jahjaga

PRISHTINE- Serbia duhet të përballet me realitetin e shtetit demokratik e sovran të Kosovës, ka deklaruar të hënën në Prishtinë, ndihmëssekretari amerikan për çështjet Evropiane, Filip Gordon.

Pas një takimi që zhvilloi me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, Gordon tha se po vinte nga Beogradi ku kishte takuar presidentin e sapozgjedhur Tomisllav Nikolliç, të cilit ai i kishte përcjellë edhe njëherë qëndrimet e Shteteve të Bashkuara se Kosova është shtet i pavarur me integritet të plotë territorial.

“I kam shprehur atij qëndrimin se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin sovranitetin dhe integritetin e Kosovës”, tha Gordon.

Ndërkaq lidhur me vazhdimin e dialogut Kosovë – Serbi, Gordon tha se SHBA angazhohet që marrëveshjet e arritura deri më tani të zbatohen. Ai u shpreh i inkurajuar me planet për veriun e Kosovës. “Zyra Civile atje është në të mirë të qytetarëve të atjeshëm të cilëve do t’u shërbejë të jenë më afër institucioneve të Kosovës”, tha zyrtari amerikan.  Gjatë kësaj vizite, Gordon i dha mbështetje të drejtpërdrejtë edhe presidentes Jahjaga, e cila nga ana e saj, tha se Republika e Kosovës është një faktor i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit në rajon.

“Ne duam marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjitha shtetet fqinje, po ashtu edhe me Serbinë, por duke pranuar edhe realitetet e krijuara”, tha Jahjaga.

Presidentja e vendit përsëriti edhe njëherë qëndrimin e institucioneve të Kosovës se për tri komunat veriore nuk ka ndarje e as status të veçantë. Zgjidhja është në Pakon e Ahtisarit, tha Presidentja.

Para se të vinte në Prishtinë, Gordon ka qëndruar edhe në Beograd në kuadër të një turneu diplomatik nga 6 deri më 12 korrik, gjatë të cilit ka vizituar Francën, Kroacinë, ndërsa ka vazhduar me Serbinë, Kosovën dhe Qipron.

© Panorama.al

Te lidhura