Me më pak se 50 për qind të votave të numëruara, partia radikale e Tomisllav Nikoliçit, SNS, shpalli fitoren në zgjedhjet e përgjithshme, duke pretenduar rreth 2 për qind më shumë avantazh nga koalicioni i drejtuar prej demokratëve të Boris Tadiç. Zv.lideri i serbëve progresivë (SNS), Aleksandar Vuçiç, ka shpallur fitoren në një konferencë për shtyp, me optimizëm se diferenca do të thellohej pas numërimit të votave në Kosovë. Por Vuçiç tha gjithashtu se lideri i partisë, radikali Tomisllav Nikoliç, po udhëhiqte edhe garën presidenciale, gjë që rezultatet paraprake e mohojnë. Rezultatet parapake në Serbi, me 46 për qind të votave të numëruara, kanë treguar se koalicioni në pushtet i demokratëve (DS) ka fituar 22.7 për qind të votave parlamentare. Opozita e Serbisë Progresive (SNS) dhe koalicioni i tyre kanë marrë 23.9 për qind të votave, sipas paraprakeve. Këto rezultate pasohen nga Partia Socialiste e Serbisë (SPS) 14.8 për qind, Partia Demokratike e Serbisë (DSS) 7.1 për qind, koalicioni LDP 6.8 për qind, dhe rajonet e bashkuara të Serbisë 5.3 për qind. Deri në këtë numërim, partitë dhe koalicionet e mbetura nën pragun prej pesë për qind për hyrjen në Parlament janë radikalët serbë (SRS), 4.7 për qind dhe lëvizja “Dveri”, 4.1 për qind. Sidoqoftë, fituesit do t’i duhet t’i drejtohet formimit të një koalicioni. Pjesëmarrja në votime është vlerësuar 58.7 për qind. Analistët kanë paralajmëruar se rezultatet mund të ndryshojnë pas numërimit gjatë natës të votave të hedhura në Kosovë, por nuk ka asnjë dyshim se Presidenti do të zgjidhet në raundin e dytë. Serbia mbajti dje zgjedhje të trefishta, presidenciale, parlamentare dhe lokale. Rezultati i këtyre të fundit nuk është shpallur ende në media.
Gara presidenciale
Gara presidenciale serbe do të vazhdojë pas dy javësh, pasi asnjë prej 12 kandidatëve nuk arriti të marrë 50 për qind të votave të dielën. Rezultatet paraprake treguan se kandidati i DS, Boris Tadiç, ka fituar 26.8 për qind të votave, i ndjekur nga Tomisllav Nikoliç, me 25.6 për qind të votave. Lideri i socialistëve (SPS), Ivica Daçiç, ka marrë 15.2 për qind të votave, ndërsa lideri i DSS, Vojisllav Koshtunica, u rendit i katërti në garën e parë për President në Serbi, me 7.7 për qind të votave. Kandidatët e tjerë janë renditur: Zoran Stankoviç (URS), 7.1 për qind; Çedomir Jovanoviç (LDP), 5.3 për qind; Jadranka Sheshel (SRS), 3.9 për qind. Nëse rezultatet nuk pësojnë ndonjë ndryshim dramatik, atëherë shkojnë në balotazh Boris Tadiç dhe Tomisllav Nikoliç, njëlloj si në zgjedhjet e kaluara.
Rezultatet paraprake
Partia Demokratike (DS) – 22.7 për qindSerbia Progresive (SNS) –
23.9 për qindPartia Socialiste (SPS) – 14.8 për qind
Partia Demokratike
e Serbisë (DSS) –
7.1 për qindKoalicioni LDP –
6.8 për qindRajonet e Bashkuara të Serbisë –
5.3 për qind
Votimi në Kosovë, pa incidente
Serbia ka hapur 90 qendra votimi për serbët që jetojnë në Republikën e Kosovës, në mungesë të një ambasade të saj për shkak të mosnjohjes. Qeveria e Kosovës vlerësoi se mbajtja e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të Serbisë në territorin e Kosovës për herë të parë është bërë jashtë organizimit të institucioneve të Serbisë, sipas standardeve ndërkombëtare për të drejtat e shtetasve që kanë dyshtetësi. OSBE i ka monitoruar me 500 vëzhgues këto zgjedhje dhe sipas ministrit të Brendshëm të Kosovës, Bajram Rexhepi, zgjedhjet kanë kaluar pa ndonjë incident. “Situatat e sigurisë në tërë Kosovën ka qenë në nivel, dhe OSBE-ja i ka kryer me korrektësi punët e saj deri tani. Ka pasur disa tendenca për t’i mbajtur zgjedhjet lokale në Zveçan dhe Zubin-Potok. Këto nuk paraqesin kurrfarë legjitimiteti. Procesi ka kaluar shumë mirë, përkundër analizave të ndryshme, të cilat kanë parashikuar se do të ketë dhunë dhe probleme”, theksoi Rexhepi. Megjithatë, prania e trupave policore në Kosovë ka qenë më e lartë se ditët e tjera. Ndërkohë, në Veri të Mitrovicës u raportua se rreth orës 17:00 janë dëgjuar breshëri të shtënash nga armët automatike, ndërsa në dy komunat në Veriun e Kosovës, ku po mbahen zgjedhjet ilegale për nivelin lokal, janë rritur tensionet mes grupeve radikale serbe.











