Serbi, nisi heshtja zgjedhore, të dielën triplo-votimet

May 4, 2012 | 14:34

Partitë politike dhe kandidatët presidencialë në Serbi patën kohë deri mbrëmë në mesnatë për fushatat e tyre elektorale. Heshtja zgjedhore nisi të enjten në mesnatë dhe do të zgjasë deri në mbylljen e qendrave të votimit në orën 20:00, të dielën. Sipas ligjit të zgjedhjeve për deputetët, heshtja zgjedhore nis 48 orë përpara zgjedhjeve. Fushatat zgjedhore në media, tubimet publike dhe paraqitja e rezultateve zgjedhore janë të ndaluara gjatë kësaj periudhe. Sipas ligjit, është e ndaluar të vendosen simbole të partive politike, koalicioneve, grupeve të qytetarëve dhe listat elektorale, apo çdo lloj tjetër promovimi i kandidatëve deri 50 metra rreth qendrave të votimit. Më 6 maj, Serbia ka tri palë zgjedhje, presidenciale, parlamentare, lokale dhe provinciale. 18 lista elektorale po konkurrojnë për ulëse në Parlament dhe ka 12 kandidatë presidencialë. Të drejtë vote kanë 7.026.579 votues, të cilët do të drejtohen në 8 587 qendra votimi në Serbi dhe jashtë saj. Ndërkohë, OSBE-ja do të monitorojë vetëm zgjedhjet serbe që do të mbahen në territorin e Kosovës me rreth 500 vëzhgues. Në Kosovë do të mbahen vetëm zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare. Zgjedhje lokale do të mbahen vetëm në dy komuna, Zubin Potok dhe Zveçan, por ato nuk mbështeten as nga Beogradi dhe as nga Prishtina. Sa për Presidentin, kandidatët më të fortë janë Boris Tadiç dhe nacionalisti Tomisllav Nikoliç, të cilët garojnë shumë afër njëri-tjetrit.

© Panorama.al

Te lidhura