Serbët e Veriut u bënë palë me ndërkombëtarët

Aug 8, 2011 | 12:11

NEXHMEDIN SPAHIU

Në një intervistë në RTK menjëherë pas aksionit të dështuar të qeverisë së Kosovës në Veri, shpreha dilemën time se aksioni ka dështuar ose nga padija e papërvoja e qeverisë, ose se dështimi ka qenë i qëllimshëm për të arsyetuar një marrëveshje të mëvonshme. Pas marrëveshjes trelaterale, serbët e Veriut – KFOR – Prishtinë del se aksioni paskësh dështuar qëllimshëm dhe se njësia speciale e Policisë së Kosovës qenka sakrifikuar qëllimshëm.
Në terren mbetet e njëjta gjendje
Marrëveshja trelaterale në thelb nuk e ndryshon situatën në terren me atë që është që nga dita e nesërme e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Në formë ajo ka ndryshuar sepse pas marrëveshjes trelaterale, lëvizja e mallrave serbe pa  mbikëqyrjen e institucioneve financiare të Kosovës është legale. Kufizimi për kamionët mbi 3.5 tonë nuk është ndonjë pengesë nëse nuk është e kufizuar sasia totale brenda një harku kohor. Në vend të një kamioni 35 tonësh, dërgon 10 kamionë 3.5 tonësh dhe është e njëjta sasi.
Moskufizimi për mallrat e Kishës Ortodokse lë po ashtu hapësirë të madhe manipulimi dhe autonominë e serbëve nuk e kufizon vetëm me Veriun, por edhe në komunat me shumicë serbe në Jug të Kosovës. Le që as biznesmenët e përkatësisë etnike shqiptare nuk është se nuk do të përfshihen në transaksione të Kishës serbe dhe malli i Serbisë i padoganuar dhe pa TVSH do të vazhdojë të bëjë konkurrencë jolojale në tregun kosovar.
Qeveria e Kosovës s’është dashur të ndërhyjë në marrëveshjen mes KFOR-it dhe përfaqësuesve të serbëve të Veriut të Kosovës. Njeriu mund të thotë se çfarë ka mundur të bëjë më shumë se kaq qeveria e Kosovës? Se çfarë ka mundur të bëjë më shumë për këtë mund të shkruhen libra të tërë, por më e lehtë është përgjigjja çfarë ka mundur të mos bëjë qeveria e Kosovës. Ajo çfarë mund të mos bënte qeveria e Kosovës është të mos ndërmerrte një aksion të dështuar. Ajo çfarë tjetër ka mundur të mos bëjë ka qenë të mos ndërhyjë në marrëveshjen mes KFOR-it dhe përfaqësuesve të serbëve të Veriut të Kosovës. Të paktën marrëveshja e KFOR-it me përfaqësuesit e serbëve të Veriut të Kosovës të mos legjitimohej e të mos legalizohej nga qeveria e Kosovës, kjo do t’ë ishte një bazë me e fortë për negociatat e mëtejme.
Marrëveshje e dëmshme dhe pa kurrfarë nevoje
Tani, qeveria Kosovës ka bërë marrëveshje me serbet e Veriut përmes një pale të tretë ndërkombëtare  (KFOR-it). Dhe, ç’është ironia më e madhe, qeveria e Kosovës merr obligime nga kjo marrëveshje (për Kishën serbe, qarkullimin etj.), por serbët e Veriut nuk marrin obligime ndaj qeverisë së Kosovës. Ata obligohen ndaj KFOR-it që do t’i heqin barrikadat për KFOR-in, por nuk garantojnë se nëse do t’i shohin andej ROSU-t nuk do të gjuajnë ndaj tyre si ndaj patave të egra.
Qeveria e Kosovës fare nuk nxjerr mend nga veprimet e Beogradit, i cili nuk e legjitimoi planin e Ahtisarit edhe pse i leverdiste që bashkësia ndërkombëtare dhe qeveria e Kosovës ta kryenin procesin e decentralizimit në Jug të Kosovës. Tani Beogradi është në pozicion shumë më komod.
Qeveria e Kosovës do t’ë ishte më mirë të harxhonte energji se si t’ia hidhte Beogradit, sesa shpenzon gjithë ato energji për t’ia e shitur mu… për hallvë popullit të vet.
Merita e gjeneralit Erhard Bühler
Është meritë personale e gjeneralit Buhler që me trimërinë, sakrificën e intelektin e tij dhe me maturinë prej burri shteti e tejkaloi deri tani vetëm me një viktimë gjithë këtë katrahurë të krijuar nga aventurat politike e policore të qeverisë së Kosovës dhe atyre kriminale të qeverisë së Serbisë.

© Panorama.al

Te lidhura