Barrikadat serbe në veri kanë mbetur në rrugët që lidhin zonat e banuara nga serbët me pjesën tjetër të Kosovës, edhe pas takimit të krerëve të katër komunave, ku pritej vendimi për heqjen e tyre.Pika e parë e pajtueshmërisë së arritur mes KFOR-it, Prishtinës e Beogradit që kërkon heqjen e barrikadave nga rrugët që çojnë në pikat kufitare 1 dhe 31, nuk u përmbush. Sipas përfaqësuesve serbë të veriut, “nuk ka pasur kushte formale ligjore” për mbajtjen e seancës, pasi në të nuk kanë marrë pjesë përfaqësues të Zubin Potokut, anëtarë të partisë së ish- kryeministrit serb, Vojisllav Koshtunica. Përfaqësuesi i serbëve të Mitrovicës, Marko Jakshiç, tha se pas mosparaqitjes së përfaqësuesve të Zubin Potikut, ata të Zveçanit vendosën ta ndërpresin seancën. Jakshiç tha se përfaqësuesit e katër komunave duhet të ulen dhe të dalin me një qëndrim të përbashkët mbi atë që ai e quajti plani “Dy T”, duke shpjeguar se ky akronim ka të bëjë me mbiemrat e presidentit serb Boris Tadiç dhe kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi. Qeveria serbe e kritikoi këtë vendim. Ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviç, e cilësoi braktisjen e seancës si një “mesazh të keq”. Sipas tij, “Ajo që ka ndodhur sot në Leposaviq u dërgon mesazh të keq qytetarëve, para së gjithash atyre të veriut të Kosovës dhe me ketë edhe gjithë qytetarëve të Kosovës. Ne jemi angazhuar gjatë gjithë këtyre ditëve për një unitet të domosdoshëm, që sot është shkelur”, tha ai në mediat serbe. Por, sipas kryetarit të delegacionit të Beogradit në bisedimet me Prishtinën, dhe një nga politikanët serbë më të angazhuar në çështjen e barrikadave të veriut, Borisllav Stefanoviç, vendimi i serbëve të veriut nuk e kërcënon marrëveshjen me KFOR-in. “Shteti serb e ka pranuar marrëveshjen, komuniteti ndërkombëtar e ka pranuar dhe garanton zbatimin e saj. Askush nuk ka kërkuar nga kryetarët e komunave të marrin vendim”, tha Stefanoviç për mediat serbe, sipas REL. Kreu i delegacionit serb shtoi më tej se vendimi për të hequr barrikadat është “vendim i qytetarëve që janë aty dhe që janë unikë”.
Rusia: Mos lejoni hyrjen e Prishtinës në Veri
Rusia edhe një herë u ka dalë në krah interesave të Serbisë, duke u përpjekur të largojë me deklarata diplomatike autoritetet e Prishtinës nga pjesa veriore e vendit. Ministria e Jashtme e Rusisë i ka bërë thirrje NATO-s, BE-së dhe OKB-së që të parandalojë “tentimin e mundshëm të Prishtinës për ta marrë me forcë nën kontroll pjesën e banuar me serbë në veri”, siç e kanë vlerësuar ata vendimin e qeverisë së Kosovës për kontrollin e doganave në veri. “Fatkeqësisht, gjasat janë të mëdha, që përkundër marrëveshjes së 5 gushtit për t’u përmbajtur nga aksionet ushtarake, Prishtina mund të provojë të rimarrë me forcë kontrollin në zonat e banuara me serbë”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Aleksandër Lukasheviç. Ai ka ftuar BE-në, NATO-n dhe OKB-së që të tregojnë përgjegjësi të plotë për të parandaluar një skenar të tillë.











