Serbët bllokojnë një njësit të KFOR-it në Leshak

Aug 21, 2011 | 14:07

Dhjetëra qytetarë serbë të Leposaviçit kanë dalë në rrugë afër Leshakut për të bllokuar ushtarët e KFOR-it të cilët po tentojnë të bllokojnë të gjitha rrugët që po shfrytëzohen për kontrabandimin e mallrave nga Serbia, njofton Express.

Kryetari paralel i komunës së Leposaviçit, Branko Niniç ka thënë të dielën se njësitë e KFOR-it po tentojnë të okupojnë hapësirat e ndërmarrjes pyjore ‘Serbijashuma’ në Leshak.

“Banorët e këtushëm kanë dalë në rrugë duke penguar KFOR-in për të shkuar me automjetet e tyre të rënda në këto hapësira të Serbiashuma-s, kështu që ushtarët e KFOR-it për momentin janë të bllokuar në këtë vend”, ka thënë Niniç.

Burime të Kosovapress-it bëjnë të ditur se serbët kanë bllokuar të vetmen rrugë që mundëson tërheqjen e forcave të KFOR-it dhe se bisedimet mes përfaqësuesve komunalë të Leposaviçit dhe atyre të KFOR-it për zgjidhjen e kësaj krize janë duke u zhvilluar ende.

Helikopterë dhe forca të shtuara të KFOR-it në Leshak

Helikopterë të forcave të KFOR-it që nga mëngjesi i hershëm i ditës së diel janë duke fluturuar mbi Leshak afër Leposaviçit, ndërsa vërehen forca të shtuara të ushtarëve të KFOR-it në këtë anë.

Burime të Kosovapress-it nga Leposaviçi tregojnë, forcat e KFOR-it kanë bllokuar anën e majtë të bregut mbi lumin Ibër që çon për në Rvatska dhe katër fshatrat tjera të banuara me boshnjakë në komunën e Leposaviçit, rrugë kjo që dyshohet se deri tani është përdorur nga kapot serbë të krimit për kontrabandimin e mallrave nga Serbia.

“Popullata është e shqetësuar nga një aksion i tillë nga ushtarët e KFOR-it, ndërkohë që organet përgjegjëse të Leposaviçit janë duke bërë përpjekje të kontaktojnë me gjeneralin Buhler për të kuptuar qëllimin e këtij aksioni”, kanë thënë burimet.

© Panorama.al

Te lidhura