Sequi: PD-PS të bashkëpunojnë

Jul 24, 2011 | 13:15

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Etore Sequi, përsëriti dje apelin për nisjen e dialogut dhe bashkëpunimit mes maxhorancës dhe opozitës për integrimin e vendit. Këtë deklaratë ambasadori Sequi e bëri gjatë një takimi që zhvilloi me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, gjatë paradites së djeshme në Presidencë. Sipas ambasadorit Sequi, nëse vonesat do të vazhdojnë, vendi rrezikon proceset integruese. Kreu I Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Etore Sequi, vuri në dukje faktin se “Shqipëria nuk i ka plotësuar 12 përparësitë e kërkuara nga Europa e Bashkuar, prandaj është shumë e rëndësishme që si maxhoranca ashtu edhe opozita të bashkëpunojnë në mënyrë konstruktive në këtë drejtim, përndryshe perspektiva europiane e vendit tonë rrezikon të mbetet ende larg aspiratave dhe interesave madhore të popullit shqiptar.”

Gjithsesi, theksoi Ambasadori Sequi, “BashkimiEuropian dhe institucionete saj mbeten të gatshmejo vetëm të japin ndihmesën dhe përkrahjen e tyre në drejtim të kryerjes së reformave të nevojshme dhe gjetjes së vullnetit të munguar, por edhe t’i ripërsërisin me forcë kritikat dhe vërejtjet e tyre, me synim që klasa politike shqiptare t’i rikthehet përparësisë së axhendës integruese europiane”. Njoftimi i mesazhit të ambasadorit Sequi erdhi nga zyra e shtypit të Presidencës. Kreu i shtetit shqiptar, Bamir Topi, pasi vlerësoi deklaratat më të fundit të përfaqësuesit diplomatik të Brukselit në Tiranë dhe angazhimin e tij intensive në zhbllokimin e ngërçit politik, theksoi se “në këtë situatë të stërzgjatur ngërçi politik, është e domosdoshme ulja e tensionit politik dhe nisja e menjëhershme e dialogut politik institucional mes palëve dhe gjetja e vullnetit të sinqertë për kryerjen e reformave shumë të rëndësishme si ajo zgjedhore në sistemin e drejtësisë etj, që do të mundësonin vazhdimin e rrugëtimit integrues europian të vendit dhe do të shërbenin si prove pjekurie e klasës politike shqiptare para bashkësisë ndërkombëtare”.

Ambasadori Sequi, ne tri dite intensive

Si pjesë e trojkës së ambasadorëve në Tiranë, ambasadori i BE-së në Tiranë, Etore Sequi, ka qenë mjaft aktiv ditët e fundit. Tre ditë më parë, gjatë festës kombëtare të Egjiptit, bashkë me zv. ambasadoren amerikane, Debora Xhons, dhe ambasadorin e OSBE-së, Eugen Volfarth, Sequi i përcolli politikës shqiptare domosdoshmërinë e nisjes sa më parë të dialogut mes palëve për të vendosur interesat e vendit mbi ato partiake. Dy ditë më parë, nga Pogradeci ai i kujtoi politikës se Shqipëria vazhdon të mbetet larg axhendës së BE-së.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura