Senati italian ka miratuar manovrën e parë ekonomike me masa kursimi prej 70 miliardësh deri në vitin 2014, e cila pritet të marrë miratimin edhe nga Dhoma përfaqësues për t’u aprovuar përfundimisht me votëbesim të premten në mbrëmje.Në Senat, 161 përfaqësues i thanë po paketës së kursimit, 135 ishin kundër saj dhe 3 abstenuan. Por tensioni mbetet i lartë, pasi masat në dekret janë “antipopullore”, ato godasin familjet me fëmijë dhe kanë rritje taksash, një masë gjithnjë e papëlqyer për popullin dhe bizneset gjithashtu. Presidenti italian, Xhorxho Napolitano, i cili kishte apeluar për përgjegjshmëri mes ligjvënësve, u shpreh i kënaqur për miratimin e paketës. “Kjo është një mrekulli”, ka thënë ai. Miratimi i masës në Senat ndodhi një ditë pasi Fondi Monetar Ndërkombëtar i bëri thirrje Italisë që të nisë një program shkurtimesh për të mos kaluar në një situatë emergjente borxhi. Kostot e huamarrjes së Italisë u ngritën të mërkurën në nivelin e tyre më të lartë në më shumë se një dekadë, duke shkaktuar dyshime të reja në lidhje me aftësinë e zonës euro për të sistemuar veten. Në Itali, pjesë e reformimit fiskal janë bërë edhe 483 lehtësime fiskale, përfshirë edhe ato për familjet. Mes zërave të shumtë goditen lehtësimet fiskale që ofron shteti për fëmijët në ngarkim, shpenzimet për instruktimin, ato mjekësore dhe ato të çerdheve. Shkurtimet do të prekin të gjithë zërat e lehtësimeve fiskale, por do të jetë qeveria italiane që do të vendosë më pas se si do të ndërhyjë. Masat fillimisht ishin parashikuar të kapnin shifrën 40 miliardë euro, por paketa shkoi në mbi 70 miliardë euro kursime deri në vitin 2014. Në fushat e prekura do të jenë edhe pensionet e niveleve të ndryshme, akcizat, kryesisht ato të karburanteve etj. Këto ishin masat e para të ashpra të kursimit të Italisë, pas ndezjes së llambës së alarmit nga fondacionet më të mëdha bankare botërore. Analistët e lidhën problemin financiare të Italisë dhe të vendeve të tjera të rrezikuara të zonës euro (Irlandës, Spanjës e Portugalisë) me vështirësitë e arritjes së marrëveshjes për paketën e dytë të ndihmës për Greqinë, e cila duhej të ishte miratuar që të hënën e kaluar. Sipas analistëve, kjo po rrit edhe mosbesimin në tregje, se vendet e zonës euro mund të jenë në gjendje të shpëtojnë veten nga kriza e borxheve. Kryeministri grek, Jorgo Papandreu, u bëri thirrje dje vendeve europiane që ta miratojnë sa më shpejt paketën e re të ndihmës për vendin e tij, të zhytur në krizën më të thellë financiare të historisë së tij.
Preket SHBA
Debatet mbi buxhetin në SHBA ka detyruar agjencitë amerikane të vlerësimit të bonitetit të vënë në pikëpyetje aftësinë kredituese të ekonomisë më të madhe në botë. E para që uli vlerësimin ishte “Moody’s”, e cila është duke verifikuar mundësinë e heqjes së notës maksimale “AAA” për bonot e thesarit në SHBA. Argumenti ishte “paaftësia deri tani e presidentit Barak Obama për të arritur një marrëveshje lidhur me rritjen e tavanit të borxhit maksimal”.











