Selitë, shtylla e korrentit bie në rrugë, aty ku vdiq 14-vjeçari

Jul 5, 2012 | 14:17

TIRANE – Banorët e Selitës, në zonën ku rreth tre muaj më parë një 14-vjeçar gjeti vdekjen nga kontakti me rrymën elektrike, kanë përjetuar sërish të njëjtën ngjarje mesditën e djeshme, kur një shtyllë korrenti është rrëzuar para shtëpive të tyre. Ngjarja ndodhi mesditën e djeshme, në një zonë të banuar, mes Selitës dhe kryqëzimit të “Kodrës së Diellit”, në Tiranë, duke rrezikuar jetën e kalimtarëve. Banorët e alarmuar kanë lajmëruar fillimisht Policinë e Tiranës, duke sinjalizuar se, pavarësisht rrëzimit të shtyllës, telat vazhdonin të përcillnin rrymë elektrike duke lëvizur nëpër asfalt. Për disa minuta, shtylla e rrëzuar në mes të rrugës, përveçse ka penguar qarkullimin e mjeteve, ka vënë në rrezik edhe jetën e fëmijëve, të cilët në atë zonë dalin për të luajtur dhe rrezikonin kontaktin me telat e korrentit. Është dashur ndërprerja e energjisë elektrike nga CEZ dhe më pas heqja e shtyllës, që banorët t’i rikthehen normalitetit, pasi fatmirësisht kësaj here incidenti nuk pati pasoja në njerëz. Banorët e zonës së Selitës, kryesisht familja e 14-vjeçarit Arnid Leskaj, i cili u vra nga një tel korrenti më 29 mars të këtij viti, u kanë bërë thirrje vazhdimisht autoriteteve policore, por edhe CEZ-it, që të sistemojnë shtyllat me kabllot që përcjellin energji elektrike. Duke qenë se ka mbingarkesë dhe lidhje elektrike, që në shumë raste kryhen në mënyrë të paligjshme, herë pas here krijohen masa elektrike, që pasohen edhe nga shkarkesa të forta. Por edhe pas thirrjeve të banorëve, shtyllat vazhdojnë të kenë të njëjtën ngarkesë dhe të shkaktojnë të tjera incidente, duke rrezikuar jetën e banorëve.

FAMILJA E 14-VJEÇARIT
Pasi kishte kaluar një muaj nga vdekja e 14-vjeçarit Arnid Leskaj, kur një tel korrenti u shkëput nga shtylla në Selitë të Tiranës, gjyshi i tij Qani Leskaj kërkonte që të vendosej drejtësi. Leskaj ishte interesuar në Polici dhe Prokurori, ku kërkonte që të përcaktoheshin shkaktarët e kësaj tragjedie në familjen e tij, qoftë firma që po kryente asfaltimin në rrugë, që këputi telin nga shtylla, qoftë kompania CEZ që nuk ndërpreu energjinë në zonë, kur teli ishte këputur. Megjithatë, edhe pas ankesave të tij, duket se asgjë nuk ka ndryshuar në vendin ku ndodhi ngjarja e rëndë.

© Panorama.al

Te lidhura