Sekui: Zgjedhja e Presidentit, konsolidim i dialogut politik

Jun 7, 2012 | 14:10

Ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë, Etore Sekui, tha dje për “Newës 24” se zgjedhja e kreut të shtetit është moment i konsolidimit të dialogut politik në vend. Ai tha se Bashkimi Europian ka përsëritur disa herë thirrjen për zgjedhjen e një Presidenti sipas frymës së Kushtetutës. “Është e qartë se zgjedhja Presidentit është një moment i një konsolidimi potencial për dialogun politik, i cili është një prej kërkesave për integrim që në vetvete është një aspekt i rëndësishëm për integrimin europian. Kjo është pikërisht arsyeja pse po e ndjekim me kaq vëmendje këtë proces. Kjo është arsyeja pse komisioneri Fyle ka përsëritur që zgjedhja e Presidentit të bëhet në respekt të plotë dhe në frymën e Kushtetutës, duke pasur parasysh që Presidenti i Republikës, sipas Kushtetutës, është një përfaqësues i unitetit të popullit. Kjo është pikërisht arsyeja”, u shpreh Sekui. Duke folur për vizitën e Saninos në Tiranë, ambasadori i KE-së tha se “zoti Sanino vjen nesër, ashtu siç ai bën zakonisht, sepse ai vjen në mënyrë frekuente. Në mënyrë që të japë mesazhin se Bashkimi Europian është i gatshëm për të asistuar Shqipërinë në angazhimin e saj, në përpjekjet e saj për të ecur përpara në rrugën drejt Bashkimit Europian. Zoti Sanino vjen gjithashtu për të treguar se ju ndjekim me vëmendje dhe jemi të gatshëm për t’ju ndihmuar për zbatimin e plotë të angazhimeve të nëntorit, në të cilën u ra dakord për një sërë reformash nga shumica dhe opozita”.

© Panorama.al

Te lidhura