Sekui: Vazhdoni konsensusin, reformat si Avokati i Popullit

Feb 16, 2012 | 11:19

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Etore Sekui

Ambasadori i BE-së, dje në Komisionin e Integrimit

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Ettore Sekui, deklaroi dje se partitë politike duhet të vazhdojnë në frymën e konsensusit për të përfunduar reformën zgjedhore dhe atë parlamentare. Për diplomatin e BE-së, zgjedhja e Avokatit të Popullit ishte një shembull i mirë për rrugën që duhet të vazhdojë konsensusi i dy forcave kryesore. “E shoh fluksin e diskutimeve tuaja për integrimin me rëndësi të veçantë; Derisa ka vullnet politik, edhe rezultatet janë të frytshme. Ne besojmë që e njëjta iniciativë mes partive për zgjedhjen e Avokatit të Popullit të vazhdojë edhe në punën për Komisionin e Reformës Parlamentare dhe Zgjedhore”, tha ai. Ambasadori Sekui mori pjesë dje në Komisionin Parlamentar të Integrimit, nga ku kërkoi që faktori politik të rishikojë Planin për Veprim në bashkëpunim edhe me shoqërinë civile. “Besojmë se roli i fortë i shoqërisë civile është parakusht për anëtarësimin e vendit në BE, sepse shoqëria civile ka rol thelbësor në transformimin e çdo shoqërie në një shoqëri ku të ketë sundim të plotë të ligjit”, tha kreu i delegacionit të BE-së. Sekui ka theksuar se drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Europian, Stefano Sanino, do të vizitojë sërish Tiranën dhe, sipas tij, këto takime të shpeshta tregojnë rëndësinë që Bashkimi Europian i jep procesit të integrimit të Shqipërisë.

© Panorama.al

Te lidhura