Sekui: Statusi në BE? Pyesni klasën tuaj politike

Sep 11, 2012 | 12:19
Ambasadori i BE-së në Tiranë, Etore Sekui

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Etore Sekui, tha dje se marrja apo jo e statusit të vendit kandidat nga ana e Shqipërisë mbetet në dorë të politikës shqiptare. Këtë deklaratë ambasadori Sekui e bëri pas takimit që zhvilloi në selinë rozë me kryetarin socialist, Edi Rama. “Duhet të pyesni klasën politike shqiptare nëse Shqipëria do ta marrë statusin e vendit kandidat”, u shpreh Sekui. Në një takim që ka zgjatur 30 minuta me liderin e opozitës Edi Rama, shefi i zyrës së BE ka folur shkurt për atë çfarë është biseduar, por në thelb ka qenë situata politike dhe reformat që duhen mbaruar deri në fund të muajit. “Ne folëm për një sërë çështjesh me kreun e PS-së, përfshirë këtu edhe 12 prioritetet e Bashkimit Europian për Shqipërinë, Parlamentin, imunitetin, të drejtën e pronës, administratën civile etj. Domethënë, pak a shumë, të gjitha çështjet e 12 prioriteteve”, tha Sekui. Çështja e heqjes së imunitetit dhe reformat e tjera për plotësimin e 12 prioriteteve janë çështjet kyçe ku është fokusuar vëmendja e ndërkombëtarëve. KE pritet që muajin e ardhshëm të japë vendimin për marrjen e statusit kandidat të Shqipërisë. Javën e kaluar Shqipëria dorëzoi në Bruksel qëndrimin e saj të fundit mbi përmbushjen e masës kritike të 12 përparësive kyçe. Komisioni Europian, i cili ka nisur me kohë hartimin e raport-progresit, do të marrë në shqyrtim të dhënat e fundit të dorëzuara nga qeveria shqiptare për t’i përfshirë në dokumentin që publikohet më 12 tetor.

© Panorama.al

Te lidhura