Sekui: Përfundimet e ODIHR, kusht për BE

Aug 18, 2011 | 10:32
Ambasadori i BE-së në Tiranë, Etore Sekui

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Etore Sekui, foli nga Shkodra mbi përfundimet e raportit të OSBE/ODIHR-it, duke thënë se do të jetë pjesë e progres-raportit për Shqipërinë.Ai u shpreh se ato rekomandime do të përfshihen në progres-raport si kusht për integrimin e vendit e, në këtë pikë, theksoi rëndësinë e dialogut mes partive për plotësimin e të gjitha kushteve apo rekomandimeve. “Komisioni Europian do të marrë në konsideratë në mënyrë të qartë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it përsa i përket progres-raportit që do t’i dorëzohet Ministrisë së Jashtme më 12 tetor të këtij viti. Çështja e integrimit europian duhet konsideruar si çështje kombëtare. Duhet angazhim i fortë dhe i plotë nga forcat politike. Duhen zbatuar të gjitha prioritetet që Komisioni Europian i ka sugjeruar Shqipërisë. Për të ndodhur kjo, është e domosdoshme të fillohet dialogu politik në Shqipëri”, tha Sekui. Duke iu referuar raportit të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 8 majit, ambasadori Sekui u ka kërkuar partive politike të respektojnë rekomandimet e kërkuara për reformën zgjedhore. Për këtë, Bashkimi Europian kërkon nga liderët politikë të ulen në një tryezë për të formular ligjin e ri elektoral.
Ambasadori ishte në Shkodër për të marrë pjesë në një aktivitet të organizuar nga zyra e Bashkimit Europian. Nxënës të gjimnazeve nga Shkodra dhe Vlora kanë qenë protagonistë të një ekspozite të përbashkët. Në ambientet e zyrës së Bashkimit Europian në Shkodër është hapur një ekspozitë pikture dhe fotografie me punimet e të rinjve nga Vlora dhe Shkodra. Ky aktivitet ishte menduar si një konkurs mes të rinjve. Prezantimi më i mirë në pikturë apo dhe në fotografi do të jetë pjesëmarrës në një tjetër aktivitet në qendrën e Bashkimit Europian, ku të pranishëm do të jenë të rinj nga vende të ndryshme të Europës. Ekspozita do të qëndrojë e hapur disa ditë në qendrën e hapur nga Bashkimi Europian në Shkodër. Kjo zyrë ndodhet në rrugën kryesore pedonale në Pjacë. Megjithëse ambasadori ishte i pranishëm në një aktivitet rinie, ai ka bërë dhe prononcim mbi situatën politike në Shqipëri. Ambasadori i Bashkimit Europian, Etore Sekui, ka pohuar se “integrimi europian është çështje interesi kombëtar”. Sipas tij, kërkohet një angazhim i plotë e i fortë nga forcat politike shqiptare, si dhe duhen zbatuar prioritetet e Komisionit Europian që Shqipëria të ecë para. “E kam thënë disa herë, është e domosdoshme të fillojë dialogu politik në Shqipëri”, shtoi ai, duke ritheksuar që partitë politike të respektojnë rekomandimet e kërkuara për reformën zgjedhore.

Trojka: Të punohet për 2013-n
Trojka e ambasadorëve foli për raportin e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 8 majit pak orë pas publikimit të tij. Ambasadori amerikan, Arvizu, theksoi se partitë duhet të punojnë për zbatimin e rekomandimeve të tij për zgjedhjet e ardhshme politike në vitin 2013. “Duke njohur reputacionin e Stonestreet dhe të ODIHR-it, besoj se kanë realizuar një raport profesional. Raporti flet vetë edhe për rekomandimet për partitë politike”, tha Arvizu.

Raporti i OSBE/ODIHR
Në materialin prej 34 faqesh, misioni i OSBE/ODIHR-it ka përfshirë edhe 27 rekomandime për klasën politike. Aty propozohet ndryshimi i formulës së përbërjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me qëllim rritjen e besimit të publikut. Ndërsa për votat e hedhura gabim, misioni propozon që Kodi Zgjedhor duhet ndryshuar për të trajtuar vlefshmërinë e fletëve të votimit të hedhura në kutinë e votimit të gabuar.

 

RITVAN DIBRA

© Panorama.al

Te lidhura