Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Etore Sekui u bëri thirrje politikanëve shqiptarë që të vendosin vullnetin dhe dialogun politik në themel të procesit integrues të vendit, duke theksuar se gjithçka është në duart e vëtë shqiptarëve.
Duke folur në një takim me studentë të Universitetit të Tiranës, të organizuar nga Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare, Sekui tha se BE-ja është e angazhuar për ta ndihmuar Shqipërinë, por gjithçka mbetet ne duart e saj.
Sipas ambasadorit të BE-së, Shqipëria ka nevojë për më shumë besim tek vetëvetja, pasi nëse nuk ke besim tek vetja, as të tjerët nuk të besojnë, theksoi ai.
“Pa vullnet politik, pa dialog politik procesi i integrimit është si një biçikletë pa timon që nuk mund të shkojë shumë larg. BE nuk e detyron dot Shqipërinë që të ketë vullnet të mirë. Ky është vendi juaj, përgjegjësia juaj. BE mund të japë disa arësye bindëse se përse integrimi është i nevojshëm, por më në fund përsëri është vendimi juaj” – tha ambasadori Sekui.
© Panorama.al












