
Lazarati i “rrethuar” nga forcat policore, arrin të “eksportojë” hashash nga territori i vet. Sasia e fundit e dalë nga fshati rebel, i takon ditës së sotme ku 110 kg marijuanë kanë arritur të dalin nga Lazarati përmes rrugëve të tjera, larg vëmendjes dhe të pakontrolluara nga forcat e policisë. Droga prej 110 kg marijuanw wshtw bllokuar nga policia kufitare e Gjirokastrës.
Bilanci flet për arrestimin e trafikantëve të marijuanës, ndërkohë që nuk është mundur të arrestohet drejtuesi i mjetit transportues të saj. Redijal Kysaj dhe Misir Buda, 25- vjeçarë, të dy nga Gjirokastra, janë arrestuar nga specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut pasi janë autorë të trafikut të 110 kg marijuane, në drejtim të zonës së gjelbër kufitare. Ndërkohë, Imer Ruko, 21 vjeç, drejtuesi i mjetit të marijuanës po nga Gjirokastra, është shpallur në kërkim pasi mundi të largohej duke i shpëtuar kështu forcave policore.
Droga ishte brenda katër çantave të mëdha, në bordin e automjetit NISSAN me targa greke YKP 2151 me drejtues Imer Ruko.
Nga hetimet paraprake të kryera nga ana e specialistëve të Sektorit Kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut, rezulton se lënda narkotike është blerë në Lazarat dhe është transportuar përmes rrugëve rurale duke iu shmangur kontrollit policor.
Marijuana do të transportohej në drejtim të Greqisë e më pas shitej në kryeqytetin grek Athinë. Të tre të rinjtë gjirokastritë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin do të realizonin trafikun e lëndës narkotike në drejtim të shtetit grek përmes kufirit të gjelbërt. Materialet në ngarkim të të rinjve trafikantë do t’i kalojnë organit të akuzës për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike të kryer në bashkëpunim.
Pro Nase
© Panorama.al











