
TIRANË- Dy persona të arrestuar, 1.2 kg heroinë dhe 19 mijë euro të sekuestruara është bilanci i një aksioni të sotëm të policisë së Tiranës.
Aksioni i koduar “Braka” vu në pranga shtetasit, Besnik Hasan Mitrovica, 27 vjeç, Lorenc Agim Taranai, 32 vjeç, të dy banues në Tiranë. Arrestimi i tyre u bë në mesditë në rrugën dytësore të hyrjes së Autostradës, me 1 kg e 200 gramë lëndë e dyshuar e llojit heroinë.
“Në sajë të një hetimi intensiv dy mujor u arrit goditja në kohë e kësaj linje shpërndarje me shumicë dhe trafikimi në Tiranë, lëndë e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku automjetin tip “Golf ”, me targa të huaja si dhe shuma e parave prej 19 mijë euro, para të cilat dyshohen se janë përfituar nga kjo veprimtari e paligjshme”- thuhet në njoftimin e policisë.
Sipas policisë lënda narkotike vinte në Tiranë për tu shpërndarë kryesisht në zona si, fusha e Aviacionit, Stacioni i Trenit, Laprakës, Kamzë, si dhe në zonën e Bllokut në Tiranë.
© Panorama.al











