
Nëntë apartamente në zona të ndryshme të Tiranës, dy automjete dhe pesë llogari bankare janë sekuestruar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda pasi rezultojnë pasuri të përfituara nga të ardhurat e prostitucionit në Itali. Personat që rezultojnë pronarë të pasurive në fjalë janë shtetasit Vasil Bajraktari, si dhe persona të tretë, Bajram Bajraktari dhe Dritë Baraktari. Kërkesa për bllokimin e pasurisë është bërë mbi bazën e ligjit antimafia. Sekuestrimi ka ardhur pas hetimit pasuror ndaj shtetasit Vasil ose Vladimir Bajraktari. Ky shtetas, me vendimet e datave 12 shkurt 2003 dhe 13 prill 2007, është dënuar respektivisht me 4 e 8 vjet burgim për kryerjen e veprës penale të “shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese”. Më 15 prill 2011, Gjykata e Tiranës ka njohur dënimin e dhënë në Itali ndaj të dyshuarit që e ka dënuar atë me 8 vjet burgim për “shfrytëzim të prostitucionit në rrethana rënduese”. Sipas vendimit, Vasil ose Vladimir, Bajraktari, nga muaji gusht 2000 ka organizuar trafikimin nga Rumania, Malin e Zi, Shqipëri e më pas në Torino Itali, të shtetaseve rumune Joana Bizas dhe Joana Garbah. Këto shtetase janë keqtrajtuar duke u detyruar të ushtrojnë prostitucion dhe të gjitha fitimet janë marrë nga i dënuari dhe bashkëpunëtorët e tij, shtetasi shqiptar Robert Çerçizaj dhe shtetasja ruse Natalia Stracova. Prokuroria ka theksuar në kërkesën e saj drejtuar Gjykatës se nga hetimet ka rezultuar se disa nga pasuritë për të cilat është kërkuar sekuestrim janë krijuar pas gushtit vitit 2000, kur ka filluar aktiviteti kriminal i Vasil Bajraktarit, i dënuar sipas vendimit të datës 12 shkurt dhe datës 13 prill në Gjykatën e Apelit Torino. Për këto pasuri, bazuar në nenin 3/4 të ligjit nr. 10192, datë 03.12.2009, duhet vendosur sekuestrimi, thekson Prokuroria, sipas së cilës, i akuzuari ka aktivitet biznesi, por të ardhurat nuk justifikojnë pasuritë në emër të tij dhe të afërmve. tr.so
Pasuritë e sekuestruara
1. Apartament, 223.5 m2, rruga “Komuna e Parisit”, Tiranë, blerë më datë 06.07.2007 në emër të Bajram Bajraktarit.
2. Apartament 64 m2, rruga “Abdyl Frashëri”, Tiranë, në emër të Bajram Bajraktarit.
3. Apartament 2+1, rruga “Kongresi i Lushnjës”, Tiranë, blerë më datë 24.11.2000, në emër të Bajram Bajraktarit
4. Apartament 147 m2, rruga “Donika Kastrioti”, Tiranë, blerë më datë 11.03.2003, në emër të Bajram Bajraktarit.
5. Sipërfaqe 9.99 m2, rruga “Gjin Bue Shpata”, Tiranë, blerë më datë 16.11.2000 në emër të Drita Bajraktarit.
6. Lokal me sipërfaqe totale trualli 750 m2, në rrugën “Ferit Xhajko”, Tiranë, blerë më datë 13.06.2001, në emër të shtetases Drita Bajraktari.
7. Apartament banimi 1+1, me sipërfaqe 75.2 m2 dhe trualli që i takon 5.8 m2, rruga “Komuna e Parisit”, Tiranë, blerë më datë 10.12.2002 në emër të Vladimir (Vasil) Bajraktarit.
8. Apartament banimi 88 m2, Lagjja e Plazhit, Durrës, blerë më datë 27.07.2005, në emër të shtetasit Bajram Bajraktari.
9. Apartament banimi, 64 m2, Lagjja e Plazhit, Durrës, blerë më datë 08.09.2005 në emër të Bajram Bajraktarit.
10. Makina autoveturë “Benz”, tipi 210 E270CDI, me targa TR 3102 N, blerë më datën 14.05.2007 nga Vladimir Bajraktari, importuar në Shqipëri më 17.01.2001.
11. Autoveturë “Benz”, tipi 163, me targa AA 291 BT, blerë në datën 14.11.2011, në pronësi të Bajram Bajraktarit.
12. Mjeti autobus “Fiat”, tipi 370, me targa SK 0330 A, blerë më 22.02.2002, në pronësi të Vladimir Bajrakratit.
13. Llogaritë bankare në emër të Bajram Abaz Bajraktarit dhe Dritë Shasho Bajraktarit:
– Llogari kursimi në shumën 1,024.37 USD (një mijë e njëzet e katër pikë tridhjetë e shtatë).
– Llogari rrjedhëse dhe tri depozita me afat në euro, 17.67 euro, depozitë me afat një vit 1,392.16 euro, depozitat me afat tre muaj, 90,975.75 euro dhe 2,953.10 euro.
– Llogari rrjedhëse dhe dy depozita me afat në lekë në shumat 301.21, depozita me afat gjashtë muaj 6,389,529.00 dhe 2,408,000.00.
14. Llogaritë bankare në emër të Bajram Abaz Bajraktarit dhe Dritë Shasho Bajraktarit, në shumën 27 000 USD si dhe një depozitë në shumën 1557.37 USD.
15. Llogaritë bankare në emër të Bajram Abaz Bajraktarit, në shumën 93,866 lekë.
Itali, pranga 8 shqiptarëve
Tetë shtetas shqiptarë kanë rënë në prangat e Policisë italiane dje gjatë një aksioni kundër trafikimit të drogës. Karabinierët e Trentino Alto Adige kanë arrestuar trafikuesit e kokainës, heroinës, marijuanës dhe hashashit, të cilët i shpërndanin drogat në parqe, rrugë dhe lokale. Të arrestuarit shqiptarë janë: Shkëlzen Laçi 27 vjeç, Fatos Sula 23 vjeç, Hektor Muka 29 vjeç, Florentin Kulluri 25 vjeç, Altin Ajazi 33 vjeç, Saimir Hysa 33 vjeç, Elvi Kici 20 vjeç dhe Alban Toska, 25 vjeç, ndërsa tre të tjerët janë një maqedonas dhe dy italianë. Ata janë kapur me 17 kg drogë.











