Seksi në gjimnaz, 25% s’njohin as prezervativët

Aug 9, 2011 | 12:02

Një pjesë e tyre kryejnë marrëdhënie seksuale që në vitin e parë. Në maturë seksi nuk është tabu thuajse për të gjithë.Adoleshentët nuk e kanë problem të tregojnë përvojat. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, në 6 vitet e fundit sensibilizimi për përdorimin e metodave kontraceptive është rritur ndjeshëm. Megjithatë, mbetet i lartë numri i gjimnazistëve që bëjnë seks të pambrojtur. Ka rezultuar se mbi 75% e gjimnazistëve që kryejnë marrëdhënie seksuale përdorin prezervativë. Në studimin e vitit 2005 shifrat ishin rreth 61%. Por, ndërsa janë të informuar për këtë lloj metode, nxënësit e shkollave të mesme kanë pak informacion për metodat e tjera moderne kontraceptive. “Megjithëse kemi një përmirësim të situatës, sërish duhet më shumë punë edhe nga vetë shkollat për më tepër sensibilizim dhe më shumë njohuri rreth aktivitetit seksual”, thonë specialistët e ISHP-së.
Shtatzënitë e padëshiruara
Ndërkaq, sipas të dhënave të studimit, ka një rënie edhe të shtatzënive të padëshiruara në shkollë të mesme, por gjithsesi, fenomeni ekziston. Është i pamundur të monitorohet plotësisht pasi pjesa më e madhe e adoleshenteve shtatzëna që kryejnë një abort zgjedhin klinikat private. Janë rreth 2.9% e tyre që kanë pranuar se kanë përjetuar një shtatzëni në gjimnaz. Adoleshentet pranojnë se as e kanë çuar ndërmend se mund të sjellin në jetë një fëmijë në këtë moshë. Ndërsa për aq sa ka ndodhur, fajin ua hedhin partnerëve. Sipas tyre, janë ata që nuk kanë dashur të kenë një marrëdhënie të mbrojtur dhe ato thjesht u janë bindur. Mjekët specialistë sqarojnë se pavarësisht rritjes së përdorimit të prezervativëve, të rinjtë janë shumë pak të informuar për metoda të tjera kontraceptive, sidomos për ato orale. “Kjo bën që edhe gjatë aktivitetit seksual në vijim ata të jenë të kushtëzuar në zgjedhjet e tyre. Sidomos femrat, të cilat ia lënë në dorë partnerit metodën kontraceptive që do të përdoret. Në vendet e tjera të Bashkimit Europian janë femrat ato që vendosin vetë se cila është më e përshtatshmja për to”, shprehen mjekët.
Sëmundjet e seksit
Adoleshentët dhe të rinjtë kanë informacion të vakët edhe për sëmundjet seksualisht të transmetueshme. Mjekët pohojnë se të rinjtë nuk ua vënë veshin këtyre problemeve që mund t’u kushtojnë shtrenjtë për shëndetin. Sipas tyre, mbrojtja më e thjeshtë prej këtyre infeksioneve është përdorimi i prezervativit. Vetëm duke përdorur atë, të rinjtë i shpëtojnë njëkohësisht dy të “këqijave”: shtatzënisë së padëshiruar dhe sëmundjeve seksualisht të transmetueshme. Ndërkaq, sipas të dhënave të studimit, më shumë se 1/5 e gjimnazistëve kanë pranuar se kanë kryer marrëdhënie seksuale gjatë viteve të gjimnazit. Numri i meshkujve që e pohojnë një gjë të tillë është 4 herë më i madh se ai i femrave. Marrëdhënia seksuale në moshë të vogël mund të lërë pasoja të shumta në shëndet, sidomos te femrat. Ato mund të përjetojnë një shtatzëni të padëshiruar, që në shumicën e rasteve i çon drejt abortit me pasoja deri në sterilitetin e tyre. Ndaj është shumë i nevojshëm informacioni për metodat kontraceptive, për të pasur një aktivitet seksual të shëndoshë.

75 përqind
e gjimnazistëve që kryejnë marrëdhënie seksuale pranojnë se përdorin prezervativët. Të dhënat vijnë nga studimi i Institutit të Shëndetit Publik.

2.9 përqind
e tyre që kanë pranuar se kanë përjetuar një shtatzëni në gjimnaz. Adoleshentet pranojnë se as e kanë çuar ndërmend se mund të sjellin në jetë një fëmijë në këtë moshë.

Kontraceptivë për çrregullime hormonale

Jo vetëm si metodë e planifikimit familjar, por edhe si zgjidhje për probleme që shkaktohen nga çrregullimet hormonale të femrave apo cisteve, që shpesh u krijojnë atyre shqetësime madhore e deri në sterilitet. Sipas mjekëve specialistë, përdorimi i kontraceptivëve është i nevojshëm sidomos në periudhën e dytë të fertilitetit, pas moshës 30 vjeç, kur shprehen edhe më shumë çrregullime të tilla. “Duhet të hiqet ideja se kontraceptivët japin efekte anësore. Në vendet e Bashkimit Europian, deri në 40% e femrave përdorin normalisht një kontraceptiv. Tek ne shifrat flasin për më pak se 11%. Megjithatë, ne ua përshkruajmë pacienteve tona problemet e ndryshme hormonale që kanë”, tha Astrit Bimbashi, shefi i shërbimit të obstetri-gjinekologjisë. Ai theksoi se tashmë ka si mundësi zgjedhje kontraceptive me bazë natyrale, të cilët kanë estrogjen natyral. “Qlaira është njëra prej tyre. Është pothuajse e njëjtë me hormonet që prodhon trupi i gruas dhe me një progresteron, i cili mbron prej të gjitha efekteve anësore. Kjo e bën një produkt të tillë që të jetë i pranueshëm nga të gjitha moshat e grave deri në 50 vjeç, kur 10 vjet më parë as mund të mendohej se një grua në këtë moshë mund të merrte një terapi dhe është e sigurt për atë që merr”, tha Bimbashi. Pilula kontraceptive redukton gjakrrjedhjen menstruale me 88 për qind pas gjashtë muajve trajtim, krahasuar me pikënisjen. Reduktimi fillon të ndihet që pas muajit të parë. Niveli i ulët në gjak i hekurit (Ferritinës), si pasojë e humbjes se gjakut që ka pasur gruaja, arrin të rikuperohet menjëherë në mënyrë  sinjifikative nga përdorimi i Qlairas. Mjekët në fund këshillojnë që grupmosha e femrave që rekomandohet të përdorin pilulën e kombinuar, duhet të jetë mbi 35 vjeç dhe të mos pinë duhan.

 

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura