Xheki Onazis besonte se Lindon B Xhonson dhe një sërë pasanikësh nga Teksasi ishin të përfshirë në vrasjen e bashkëshortit të saj, Xhon F. Kenedi. Këtë e tregojnë disa regjistrime “shpërthyese”, të cilat janë publikuar nga vajza e ish-presidentit, Karolina Kenedi. Regjistrimet tregojnë se ish-Zonja e Parë ishte e bindur se pasardhësi i bashkëshortit të saj, ish-presidenti Xhonson, ishte në qendër të komplotit për vrasjen e Kenedit. Ajo u bind se ish-zëvendëspresidenti Xhonson, bashkë me disa biznesmenë nga jugu, kishin orkestruar të shtënat e Dallasit me njeriun e armatosur Li Harvej Osvald, i deklaruar për shumë kohë si një vrasës pa bashkëpunëtorë. I lindur në Teksas, Xhonson përfundoi mandatin e Kenedit pas vrasjes së tij dhe më pas kandidoi sërish vetë. Kasetat janë regjistruar me historianin Artur Shlesinxher Xhunior brenda pak muajve pas vrasjes së 22 nëntorit 1963 dhe janë vulosur në një kupë në librarinë “Kennedy” në Boston. Në atë kohë, zonja Kenedi, e cila më pas u martua me pasanikun e anijeve greke, Aristotel Onazis, kishte urdhëruar mospublikimin e tyre deri 50 vjet pas vdekjes së saj, me frikën e ndonjë hakmarrjeje kundër familjes. Xheki Onazis vdiq 17 vjet më parë në moshën 64-vjeçare dhe tani, e bija, Karolina Kenedi, ka rënë dakord që t’i publikojë regjistrimet më herët nga sa kishte kërkuar e ëma. Regjistrimet do të publikohen në televizionin “ABC”, ku ka edhe të dhëna të tjera “shpërthyese”. Aty përfshihet edhe sugjerimi se Presidenti Kenedi kishte pasur një të dashur 19-vjeçare nga stafi i Shtëpisë së Bardhë dhe si hakmarrje Xheki kishte krijuar lidhje me yllin e Hollivudit, Uilliam Holden dhe me themeluesin e grupit “FIAT”, Xhani Anjeli. Pak para vrasjes së Kenedit, çifti i kishte përmirësuar marrëdhëniet dhe po diskutonin për më shumë fëmijë.











