Sekretari i Kryeministrisë, në Prokurori për serverin

Feb 25, 2012 | 14:03

Nga protesta e 21 janarit

Hetimi për riformatimin e kompjuterit me regjistrimet filmike të demonstratës.

Gjergj Lezhja paraqitet, por shtyhet marrja në pyetje.

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Gjergj Lezhja, është paraqitur në Prokurorinë e Tiranës për të dhënë deklarime në lidhje me hetimet që po zhvillohen për fshirjen e pamjeve të 21 janarit nga serveri i kamerave të këtij institucioni. Lajmi është mësuar nga burime jozyrtare të Prokurorisë, ndërsa zyrtarisht organi i akuzës nuk e konfirmoi këtë informacion. Megjithatë, nga burimet e Prokurorisë mësohet se zyrtari i lartë i Kryeministrisë është paraqitur në organin e akuzës dhe ka marrë kontakt me grupin e hetimit. Pas këtij kontakti është vendosur që seanca e marrjes në pyetje të zhvillohet në një kohë të dytë. Nuk është e qartë nëse shtyrja e marrjes në pyetje ka ndodhur nga një angazhim urgjent që i ka dalë sekretarit të Këshillit të Ministrave, apo shkak për shtyrjen ka qenë një debat në lidhje me procedurën që do të ndiqej. Zoti Lezhja është personi përfaqësues i Kryeministrisë që ka mbajtur komunikim shkresor me Prokurorinë gjatë hetimeve në lidhje me fshirjen e imazheve të kamerave në serverin e Kryeministrisë. Në kërkesën e organit të akuzës për caktimin e masës së sigurisë të Armando Kasajt, ekspert i IT-së në Kryeministri, vartës i Lezhjes, sqarohet se sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave u ka kthyer dy herë përgjigje kërkesave të grupit të hetimit.
Dëshmia e Kasajt
Armando Kasaj, eksperti i IT-së në Kryeministri, i akuzuar nga Prokuroria për shpërdorim detyre, mësohet se gjatë deklarimeve të tij të para pas 21 janarit ka thënë se kopjen e imazheve të marra nga kamerat ditën e ngjarjes ua ka dhënë dy personave. Sipas dëshmisë së dhënë asokohe nga Kasaj, njëra kopje e materialit i është dhënë shefes së analizës në Gardën e Republikës, ndërsa kopja tjetër i është dhënë një punonjësi të Kryeministrisë. Pak orë pas ngjarjes së 21 janarit, në konferencën e parë për shtyp, Kryeministri Sali Berisha deklaroi se i kishte kërkuar sekretarit të Përgjithshëm që t’i vinte në dispozicion Prokurorisë çdo material të nevojshëm për hetimin, përfshi edhe imazhet e marra nga kamerat e sigurisë. Ditën e ngjarjes mësohet se 11 kamera kanë qenë në punë, të gjita të lidhura me monitorët dhe serverin e zyrës së katit të parë, çelësin e së cilës e dispononte Armando Kasaj. Në dhomën ku ndodhej serveri dhe ekranet e lidhura me kamerat, në katin e parë të Kryeministrisë, kanë qëndruar katër gardistë, një femër dhe tre meshkuj, të gjithë të paarmatosur. Ata ishin pjesë e sektorit të analizës në Gardën e Republikës. Disa orë para demonstratës së 21 janarit kishin kërkuar që personi përgjegjës t’u hapte derën e dhomës ku ndodheshin ekranet e kamerave të vëzhgimit që shikonin përreth Kryeministrisë. Bazuar në planin e masave, tre nga gardistët e sektorit të analizës do të ndiqnin pamjet në monitorët e vëzhgimit dhe do t’u flisnin me radio apo me kufje efektivave të armatosur të Gardës që ndodheshin jashtë Kryeministrisë. Duke ndjekur pamjet në kamera, punonjësit e analizës do të informonin kolegët e tyre të armatosur jashtë Kryeministrisë për lëvizjet e demonstruesve, aktet e dhunës dhe gjithçka tjetër.

Lezhja: Asnjë kontakt me Prokurorinë
Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Gjergj Lezhja, mohoi mbrëmë të ketë pasur kontakt me Prokurorinë. I pyetur nga gazeta “Panorama”, ai tha se nuk ka pasur asnjë kontakt me Prokurorinë apo me grupin hetimor. Nga burimet e tjera mësohet, në fakt, se ai është paraqitur në Prokurori, por nuk është marrë në pyetje.

Ekspertiza: Kopjimi e fshirja
Ekspertizat e kryera në Tiranë dhe në SHBA kanë gjetur tri ndërhyrje në serverin e Kryeministrisë. E para ka ndodhur mesditën e 21 janarit, ku serveri është boshatisur në mënyrë që të regjistronte plotësisht demonstratën. Më pas, në orën 19:35, sipas Prokurorisë, është ndërhyrë në server me kopjimin e regjistrimeve të kamerave dhe më pas fshirjen e tyre nga kompjuteri. Ndërhyrja tjetër, që i ka dhënë fund çdo mundësie për rikuperimin e pamjeve, ka qenë ajo e orës 00:51. Sipas organit të akuzës, në këtë orë serveri është riformatuar duke zhdukur nga memoria gjithçka që ishte regjistruar më parë.

TRAZHGIM SOKOLAJ

© Panorama.al

Te lidhura