Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken dhe Sekretari i jashtëm britanik David Lammy arritën në Kiev për një vizitë të përbashkët të mërkurën. Vizita vjen ndërsa Ukraina i bën trysni perëndimit që ta lejojë atë të përdorë raketa me rreze të gjatë veprimi kundër Rusisë.
Diplomatët e lartë arritën në kryeqytetin ukrainas me tren nga Polonia disa orë pas debatit presidencial në Shtetet e Bashkuara, gjatë të cilit Nënpresidentja Kamala Harris dhe ish-Presidenti Trump u përplasen për luftën mbi 2 vjeçare në Ukrainë.
Sekretari Blinken udhëtoi nga Londra, ku akuzoi Iranin se i kishte ofruar Rusisë raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi Fath-360, duke e quajtur këtë një “përshkallëzim dramatik” të luftës.
Për muaj të tërë, Ukraina ka kërkuar miratimin për të përdorur armë me rreze të gjatë nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët perëndimorë për të goditur objektivat në Rusi. Kievi pritet të shtojë trysninë duke marrë parasysh blerjen e fundit të armëve nga Rusia.
“Ne shpresojmë që armët me rreze të gjatë veprimi për goditje në territorin e armikut tonë do të miratohen dhe do t’i kemi ato”, i tha Kryeministri ukrainas Denys Shmyhal Sekretarit britanik Lammy. “Ne shpresojmë për ndihmën dhe mbështetjen tuaj në këtë çështje.”
Në një konferencë për shtypin të martën, Kryeministri Shmyhal tha se “nëse na lejohet të shkatërrojmë objektiva ushtarakë ose armë të përgatitura nga armiku për sulme në Ukrainë, sigurisht që do të sillte më shumë siguri për civilët tanë, njerëzit tanë dhe fëmijët tanë”.
“Ne po punojmë drejt kësaj dhe do të vazhdojmë ta kërkojmë këtë çdo ditë.”
Duke iu referuar raketave nga Irani, ai shtoi: “Përdorimi i armëve të Rusisë nga aleatët e saj terroristë për të goditur Ukrainën bën të mundur vazhdimin e luftës së gjenocidit dhe terrorizmin në territorin tonë. Ne duhet të jemi në gjendje t’i përgjigjemi një terrorizmi të tillë duke shkatërruar objektiva ushtarakë në territorin e tyre për të garantuar siguri më të madhe për qytetarët tanë.
Vizita e së mërkurës vjen përpara udhëtimit të kryeministrit britanik Keir Starmer në Uashington, ku ai do të takohet me Presidentin Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë të premten. Kërkesa e Ukrainës për leje për të goditur objektivat ruse do të përfshihet në diskutim.
Presidenti Biden e ka lejuar Ukrainën të lëshojë raketa të dërguara nga Uashingtoni përtej kufirit drejt Rusisë në vetëmbrojtje, por kryesisht për distanca të shkurtra për shkak të shqetësimeve për përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.
Vizita e rrallë e përbashkët e diplomatëve të lartë britanikë dhe amerikanë, që në mënyrë të pazakontë u njoftua paraprakisht, është një sinjal publik i Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe për mbështetje për Ukrainën përpara atij që ka të ngjarë të jetë një dimër brutal i sulmeve ruse.
Sulmet ajrore ruse, të cilat më së shumti synojnë dëmtimin e infrastrukturës energjetike të Ukrainës, janë intensifikuar javët e fundit me sulme me raketa dhe dronë gjatë natës.
Ndërsa zoti Blinken dhe zoti Lammy mbërritën në Kiev, Mbretëria e Bashkuar njoftoi se po ndalonte 10 anije tregtare që i akuzon për transport të paligjshëm të naftës ruse në kundërshtim me sanksionet ndërkombëtare. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar tha se anijet do të ndalohen nga portet britanike dhe mund të bllokohen nëse hyjnë.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al