Sot shënohet dita botërore e lirisë së shtypit. Organizata e Evropës Juglindore për Media (SEEMO), ka lëshuar një deklaratë në mbrojtje të lirisë së shtypit, ku bëhet apel për lënien menjanë të presioneve ndaj medias dhe gazetarëve.
“Lufta për lirinë e shtypit është një përpjekje e vazhdueshme”- është shprehur Oliver Vujoviç, sekretarë i përgjithshëm i Organizatës së Evropës Juglindore për Media.
Nga një monitorim i SEEMO-s në rajon, në vende si, Shqipëria, Bjellorusia, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Qipro, Republika Çeke, Greqia, Hungaria, Kosova, Moldavia, Mali i Zi, Republika e Maqedonisë / Maqedonia, Polonia, Rumania , Serbia, Sllovakia, Sllovenia, Turqia dhe Ukraina politikanët pretendojnë se i respektojnë liritë e shtypit, por sot gazetarët janë të ndaluar, sulmuar fizikisht dhe verbalisht, presionet mbi gazetarët vazhdojnë dhe vetë-censura po kthehet në një normë.
SEEMO thekson se në disa raste pronësia e mediave nuk është transparente. Në vitin 2011, SEEMO thotë se janë rregjistruar 684 shkelje të lirisë së shtypit.
“Politika ushtron presion mbi mediat nëpërmjet mënyrave të ndryshme, sidomos këto presione shtohen në kohë fushatash elektorale. Biznesi po ashtu ushtron një presion të drejtpërdrejtë, ose nëpërmjet metodave indirekte, duke tërhequr reklamat.”- thuhet më tej në këtë raport.
Po ashtu, kriza ekonomike dhe fitimet e ulta të mediave kanë ndikuar në përkeqësimin e punësimit të gazetarëve, të cilat janë të detyruar të punojnë me rroga të ulta, dhe shpesh herë pa ndonjë kontratë punësimi të qëndrueshme. Në këto rrethana, thotë më tej raporti, gazetarët nuk janë të motivuar të angazhohen në gazetari cilësore, apo në raportimin investigativ.
“Këto trende negative, megjithatë janë shoqëruar me një rritje të tregut online të mediave dhe lirinë relative të shprehjes për përdoruesit e këtyre mediave,” thekson SEEMO.
Vujoviç u ka bërë thirrje autoriteteve që të vënë retorikën e tyre në shërbim të lirisë së medias; të zgjidhin rastet e pazgjidhura të vrasjes së gazetarëve, të gjejnë autorët e sulmeve të ndryshme ndaj gazetarëve, t’i mbrojnë ata nga çdo formë presioni dhe të garantojnë një mjedis të lirë dhe demokratik për mediat.
© Panorama.al











