Kosovë, Kuvendi rezolutë për rendin e sigurinë

Jul 28, 2011 | 15:18

UPDATE- Kuvendi i Kosovës ka miratuar rezolutën në mbështetje të veprimit të qeverisë për vendosjen e ligjshmërisë në veri, me 89 vota për, 9 kundër dhe asnjë abstenim.

Përmes kësaj rezolute Kuvendi mbështet të drejtën kushtetuese për ushtrimin e kontrollit në tërë territorin e Kosovës, kërkon respektimin e masave të reciprocitetit në raport me Serbinë, si dhe fton bashkësinë ndërkombëtare për të përkrahur institucionet e Kosovës për vendosjen e rendit dhe ligjit në tërë territorin.

Po ashtu, Kuvendi kërkon nga Qeveria që të vazhdojë me angazhimin e saj për vendosjen e kontrollit në pikat kufitare 1 dhe 31, si dhe për shtrirjen e autoritetit në veri dhe fton qytetarët për ruajtjen e qetësisë dhe rendit kushtetues.

Pasdite, seanca do të vazhdojë me shqyrtimin e disa projektligjeve, mes të cilëve edhe ai për vlerat e luftës.

 

Thaci ne Kuvend

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka njoftuar ligjvënësit në seancën e Kuvendit të Kosovës për veprimet e ndërmarra nga Policia e Kosovës me vendimin e Qeverisë dy ditë më parë, përderisa ka shprehur këmbënguljen për vënien e rendit dhe ligjit në pikat 1 dhe 31 në veri të Kosovës.

Deklaratat jane bere ne fjalen e mbajtur sot ne senacen e jashtezakonshme te Kuvendit per situaten ne veri te Kosoves.

Thaçi ka thënë se pika 1 është djegur dhe dëmtuar tejmase, por Qeveria e Kosovës është e gatshme qysh sot të punojë për rregullimin e logjistikës së nevojshme në këtë pikë.

Kreu i ekzekutivit të vendit ka vënë në dukje se në pikën 31 janë zhvilluar ballafaqime të ashpra nga KFOR-i dhe Policia e Kosovës me bandat serbe.

“Fatkeqësisht dje pasdite një grup i organizuar kriminal i udhëhequr nga liderët e strukturave paralele ka sulmuar pikën 1 e më pas atë 31. Pika 1 është djegur dhe dëmtuar në masë të madhe, ndërsa pika 31 është mbrojtur nga KFOR-i dhe Policia e Kosovës. Në pikën 31 j anë zhvilluar ballafaqime të ashpra prej KFOR-it dhe Policisë së Kosovës me bandat serbe. Kjo pikë është në kontroll të plotë të Policisë së Kosovës dhe KFOR-it. Mund të them se Policia e Kosovës po qëndron heroikisht në këto pika”, ka thënë Thaçi.

Kryeministri i vendit ka thënë me këtë rast se Kosova po i afrohet përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur dhe misioni i pamundur deri tani për vënien e rendit dhe ligjit në veri, po bëhet i mundur dhe realitet nga institucionet e shtetit të Kosovës.

Thaçi ka thënë Kosova gjendet para një ballafaqimi të ri, i cili nuk është i lehtë, mirëpo ka thënë se ka besim të plotë si kurrë ndonjëherë më parë në këto 12 vjet, andaj ka kërkuar mbështetje edhe tek forcat tjera politike si dhe besim tek institucionet e Republikës së Kosovës.

“Skenari i Serbisë për ndarjen e veriut të Kosovës nuk do të ndodhë kurrë dhe me asnjë çmim. Institucionet e Kosovës do të shfrytëzojnë të gjithë autoritetin kushtetues dhe ligjor për të mbrojtur çdo pëllëmbë të territorit dhe për t’u përballur me të gjithë njerëzit e mosrespektimit të rendit dhe ligjit”, ka theksuar Thaçi para ligjvënësve.

Kryeministri Thaçi ka siguruar ligjvënësit se Qeveria është e vendosur dhe për asnjë çmim nuk do të ketë kthim prapa në gjendjen e para katër ditësh.

“Në asnjë rrethanë dhe për asnjë çmim nuk do të ketë rikthim prapa në gjendjen e para katër ditësh. Nuk do të ketë rikthim prapa në gjendjen e ‘status quos’, nuk do të ketë rikthim në gjendjen e mëhershme. Qeveria e Kosovës është e konsultuar dhe e koordinuar me të gjithë faktorët që punojnë për rend, ligj, respektim të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës”, është shprehur Thaçi.

Ai ka thënë më tej se masat e reciprocitetit me Serbinë do të zbatohen në të gjitha pikat kufitare me Serbinë dhe kjo do të zgjas derisa Serbia nuk e ndryshon qëndrimin e saj. Thaçi ka shprehur gatishmërinë për dialog për çështje praktike, por ka përjashtuar çfarëdo dialogu për rregullimin e brendshëm, duke thënë se për çështjet e brendshme nuk do të bisedohet asnjëherë në asnjë rrethanë dhe me askënd.

Thaçi ka ftuar qytetarët për qetësi, solidaritet, mirëkuptim dhe besim tek institucionet e Republikës së Kosovës dhe tek KFOR-i, duke garantuar se në veri të Kosovës do të kthehet rendi dhe ligji.

Kuvendi, seance te jashtezakonshme per veriun

Ligjvënësit e Kosovës janë pajtuar njëzëri që Kuvendi në seancën e sotme të devijojë nga rendi i ditës dhe ta fus si çështje urgjente debatin për gjendjen e krijuar në veri të Kosovës. Kjo kërkesë është shtruar nga shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, i cili ka thënë se kjo është bërë në harmonizim të plotë me të gjithë shefat e grupeve parlamentare.

Grabovci ka thënë se shefat e grupeve parlamentare janë pajtuar që pas një debati për këtë çështje të nxirret një rezolutë në mbështetje të vendimeve të Qeverisë ës Kosovës për vënien e rendit dhe ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

“Vlerësojmë se vendimi i Qeverisë së Kosovës ka qenë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kuvendit dhe i falënderoj të gjithë deputetët, të gjitha grupet parlamentare që kemi qenë të njëzëshëm, të një mendimi në këtë pikë”, ka thënë Grabovci.

Shefat e grupeve parlamentare i kanë dhënë mbështetje kërkesës, megjithëse ka pasur një paqartësi nëse duhet të ketë seancë të jashtëzakonshme, apo vetëm të futet si pikë e rendit të ditës debati për veriun.

Ismet Beqiri nga LDK-ja ka thënë se nuk ka nevojë për seancë të jashtëzakonshme, por vetëm për mocion që çështja e veriut të futet në rend dite, ndërkaq Visar Ymeri nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se Kuvendi nuk bën të sillet sikur gjendja në Kosovë është normale, por duhet të debatohet për situatën e krijuar në veri të vendit.

Seanca vendosi që fillimisht të jetë një seancë për gjendjen në pjesën veriore të Kosovës dhe pas kësaj të vazhdojë me seancën e rregullt me shqyrtimin e projektligjeve

 

/Kosovapress/

© Panorama.al

Te lidhura