Seanca e fundit në Kuvend, në dyshim dekretet e Topit

Jul 21, 2011 | 11:01

Parlamenti do të mblidhet sot në seancën e fundit për këtë sesion. Në rendin e ditës, i cili do të bëhet publik pak minuta para fillimit të seancës është parashikuar ligji për taksën e makinave, i cili kaloi një javë më parë në qeveri dhe para pak ditësh në Komisionin e Ekonomisë. Ndërkohë stafi i Kuvendit duket se do të qëndrojë në kontakt të vazhdueshëm me Presidencën për të mësuar nëse kreu i shtetit do të hedhë firmën mbi dy dekretet e reja të ministrave. Nëse Topi do të firmosë propozimet e kryeministrit Berisha ato do të kalojnë menjëherë në seancë për tu votuar. Kreu i shtetit, sipas nenit 98, pika 1 e Kushtetutës ka shtatë ditë kohë për të dekretuar ministrat e rinj, por nuk dihet nëse këtë afat maksimal do ta marrë me ndryshimet e fundit. Në rast se kjo do të ndodhë, deputetët nuk do të largohen dot në fund të kësaj jave me pushime, por do të qëndrojnë në gatishmëri për tu mblidhet edhe në një seancë javën tjetër për tu votuar ministrat e rinj. Dy propozimet e kryeministrit Sali Berisha, Eduard Halimi, i cili do të shkojë te Drejtësia dhe Aldo Bumcci që do të zërë vendin e lënë bosh nga Ferdinand Xhaferri kanë shfrytëzuar mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ligjeve për të qerasur deputetët anëtarë të këtij komisioni.

© Panorama.al

Te lidhura