Sarkozi dhe Holande në “Duelin e fundit”

May 3, 2012 | 14:48

Presidenti konservator, Nikolas Sarkozi dhe kandidati socialist për Presidencën, Fransua Holande, u përballën mbrëmë në një debat televiziv për të cilin Sarkozi paraprakisht ishte shprehur se do ta përdorte për të “shpërthyer” kandidatin Holande. Ky ishte shansi i fundit i Sarkozisë për të fituar pikë kundrejt rivalit të tij, i cili jo vetëm që doli fitues në raundin e parë të votimit më 22 prill, por sipas sondazheve, rezulton me 6 deri në 8 pikë para Sarkozisë. Presidenti francez kishte kërkuar tri debate televizive në raundin e dytë të votimit, përkundër traditës me një raund të tillë, por Holande e refuzoi këtë kërkesë. Sarkozi beson se aftësia e tij për të zotëruar debatet para kamerave do ta ndihmojë të kapërcejë diferencën e pikëve që e kanë lënë atë pas socialistit. Të dy kandidatët kishin paralajmëruar se nuk e konsideronin si një ndeshje boksi debatin dy orë e gjysmë, por mediat franceze e kishin klasifikuar si një debat për mbijetesë politike me titujt: “Dueli i fundit”. Debati u ndoq nga rreth 20 milionë shikues. Sarkozisë i duhet mbështetja e të paktën 1.5 milionë njerëzve për të kthyer rezultatin. Ai e ka kaluar ditën dje në shtëpi me gruan e tij, Karla Bruni, madje ka shtyrë edhe mbledhjen javore të kabinetit, duke u përgatitur për debatin. Ai hapi tema si emigracioni, integrimi, propozimet e së majtës për t’u dhënë të drejtë të huajve që të votojnë në zgjedhjet lokale, dhe çështjet nukleare. Ndërsa Holande e goditi Sarkozinë mbi “arritjet” e tij në Presidencë. Rivali socialist njihet për qetësinë dhe ironinë e tij. Sarkozi dhe Holande kanë debutues edhe në vitin 1999 mbi çështjet europiane.
Kandidatët debatuan në një studio bardhë e zi me xham akrilik, kishin mundësi t’i rregullonin vetë temperaturat e ajrit të kondicionuar me formatin tradicional francez, dy kolltukë përballë njëri-tjetrit me një tryezë në mes, ku rivalët ishin saktësisht 2.45 metra larg.

© Panorama.al

Te lidhura