Sarkozi “humbet” debatin

May 4, 2012 | 14:39
Holande e Sarkozi gjatë debatit

Debati televiziv mes dy kandidatëve presidencialë në Francë nuk i përmbushi shpresat e Nikolas Sarkozisë për të fituar mbi kandidatin në avantazh, socialistin Fransua Holande.
Por, një agjenci sondazhesh ka deklaruar të enjten se Sarkozi nuk arriti të nxjerrë nga debati numrin e mbështetësve për të marrë rizgjedhjen. Konservatori Sarkozi ka qenë pas sfiduesit socialist Holande gjatë fushatës dhe në sondazhe, po ashtu edhe në raundin e parë dhe shpresa e vetme për të ishte debati i së mërkurës në mbrëmje. Pas debatit, anketuesit thanë se sjelljebuti Holande ishte çuditërisht elastik në hedhje-pritjet e hidhura me rivalin e tij të një kohe të gjatë. “Tani fushata është e përfunduar”, tha për “Associated Press” Gael Sliman, një anketues në agjencinë BVA. “Me përjashtim të një katastrofe krejtësisht të paparashikuar në 48 orët e ardhshme, Fransua Holande do të fitojë zgjedhjet presidenciale në Francë”, shtoi ai. Rezultati i balotazhit do të përcaktojë kursin e Francës për pesë vitet e ardhshme, një vendi të armatosur me armë bërthamore dhe me një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Fitorja e Holandesë mund të riformulojë formatin e debatit të eurozonës, në të cilin deri tani Sarkozi ka qenë një nga aktorët kryesorë bashkë me kancelaren gjermane, Angela Merkel. Dy kanalet kryesore franceze që transmetuan debatin e së mërkurës, vlerësuan një shikueshmëri me rreth 19.5 milionë shikues, apo rreth një e treta e popullsisë së Francës. “TF1” dhe “France-2” nuk paraqitën edhe shifrat e të paktën tri kanaleve kabllorë lajmesh, që po ashtu e transmetuan këtë debat, çka do të thotë se shikueshmëria ka qenë edhe më e lartë. Edhe kandidatët ishin shumë të gjallë në debat. “Kisha menduar se do të ishte e hidhur, dhe ishte”, tha Holande për “France-2” të enjten. Sarkozi deklaroi në radion “RTL” se e kishte shijuar debatin “e fortë”, në të cilin “asnjëri nga ne nuk bëri shumë koncesione”. Në të përditshmet franceze, gjykimi ishte i ndryshëm: titujt e parë të “Le Parisien” flisnin mbi një debat të ashpër, dhe konservatorja “Le Figaro” shkruante në faqen e parë “Tension i lartë”. Ndërsa gazeta e krahut të majtë, “Liberation”, shkruante se “Holande zotëroi gjatë debatit”. Të dy kandidatët akuzuan njëri-tjetrin për gjuhën e përdorur. Sarkozi e ka quajtur rivalin e tij “pak përgojues” dhe vazhdimisht ka thënë se ai ka gënjyer. Kritikët e Sarkozisë e kanë përcaktuar atë shpesh si njeri me stil të stuhishëm, dyshues në sjelljen me të pasurit dhe të paaftë për të përmirësuar ekonominë franceze.

Sondazhet
Holande

54 për qind

Sarkozi
46 për qind

Premtime e mbrojtje
Holande premtoi se nëse fiton në raundin e dytë, ai do të jetë President “i drejtësisë”. “Ne po kalojmë nëpër një krizë serioze”, ka deklaruar Holande, duke premtuar krijimin e një politike të bazuar në të drejtën fiskale dhe sociale. Holande akuzoi Sarkozinë për ndarjen e popullit francez, pasi “përdor krizën ekonomike si arsyetim për premtimet e papërmbushura”. Sarkozi e akuzoi rivalin e tij për paraqitjen e të dhënave të pasakta për ekonominë. “Zoti Holande, kur gënjeni kaq paturpshëm, a duhet t’i pranoj unë këto?”, pyeti Sarkozi, kur Holande tha se Presidenti është gjithmonë i kënaqur me rezultatet e deritashme.

© Panorama.al

Te lidhura