SARANDE – Shërbimi Zjarrfikës në Sarandë ka dhënë alarmin për mungesën e hapësirave të mjaftueshme mes objekteve të ndërtuara në qytet. Në pesë vitet e fundit, asnjë objekt i ndërtuar rishtas nuk ka marrë firmën e këtij organi, duke shkelur haptazi ligjin urbanistik. Kjo ka bërë që përveç kaosit urban të krijuar prej vitesh, të ketë edhe pasoja, që pa dyshim do të sjellin efekte negative në të ardhmen. Mungesa e hapësirave të bollshme mes objekteve të ndërtuara në Sarandë është një realitet i pakthyeshëm dhe i pandryshueshëm në kushtet e sotme. Prej shumë vitesh nuk merret në konsideratë miratimi nga ana e Shërbimit Zjarrfikës për certifikimin e ndërtimit të objekteve, çka ka sjellë një çrregullim urban të shoqëruar me ngushtim të hapësirave nga njëri objekt në tjetrin. Kjo ka sjellë pasoja të rënda, pasi në një rast kritik zjarrfikësja e ka të pamundur të penetrojë në këto hapësira mjaft të ngushta. Për shefin e PMNZSH në Sarandë, Rakip Muzhaj, prej më se 5 vitesh nuk merret në konsideratë firma e këtij organi që të certifikojë dhe të japë koordinatat për ndërtimin e objektit të caktuar, duke respektuar në radhë të parë hapësirat e nevojshme për kalimin e makinave zjarrfikëse. sh.d











